A është e mundur të mbajnë zi dasmorët derisa të jetë me ta dhëndri!

04 KORRIK 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

A është e mundur të mbajnë zi dasmorët derisa të jetë me ta dhëndri!

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT - (Mt 9, 14-17)

 

 

Në atë kohë, nxënësit e Gjonit dhe i thanë Jezusit: "Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë?" Jezusi u përgjigj: "A është e mundur të mbajnë zi dasmorët derisa të jetë me ta dhëndri? Por, do të vijë koha, kur do t'ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë edhe ata do të agjërojnë. Askush nuk vë arrnë pëlhure të re në petk të vjetër, sepse arna e shtrin petkun dhe grisja bëhet më e madhe. As nuk shtihet vera e re në rrëshiqa të vjetër: përndryshe rrëshiqat shpohen, vera derdhet edhe rrëshiqat shkojnë dëm. Vera e re qitet në rrëshiqa të rinj e kështu ruhen të dy."

 

          Siç e dëgjuam në Ungjillin e sotëm, ai fillon me një pyetje që nxënësit e Gjonit ia drejtojnë Jezusit: “Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë?” Në lidhje me këtë pyetje, së pari dua të them se kur besimi jetohet vetëm si rregull e zakon, pa dashuri, zemra mbushet me krahasime dhe gjykime. Atëherë lindin shumë “pse”: “Pse ju nuk bëni si ne? Pse ne po e ju jo? Pse kështu e jo ndryshe?” Prandaj, të dashur dëgjues, besoj se na bën mirë që herë pas here të ndalemi dhe të pyesim veten: Pse po shqetësohem? Cili është burimi i ankesave të mia?

Farisenjtë dhe nxënësit e Gjonit ishin aq të përqendruar te rregullat, saqë e kishin të vështirë t’i pranonin të tjerët kur nuk vepronin në të njëjtën mënyrë si ata. Edhe në këtë rast, ata i shprehin ankesat e tyre duke bërë krahasime të kota. "Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë? Atyre Jezusi u përgjigjet: “A është e mundur të mbajnë zi dasmorët derisa të jetë me ta dhëndri?” Në këtë përgjigje Jezusi e quan veten Dhëndër. E dimë tashmë se, në Besëlidhjen e Vjetër, Zoti paraqitet si Dhëndri i Izraelit –simbol i lidhjes, i dashurisë dhe i premtimit të përjetshëm. Kështu, Jezusi, duke përdorur këtë titull, na zbulon identitetin e Tij hyjnor, por edhe thelbin e marrëdhënies që Ai dëshiron të ketë me secilin prej nesh.

Gjithashtu, të dashur dëgjues, në përgjigjen që Jezusi jep shihet qartë edhe fakti, se Ai nuk e mohon vlerën e agjërimit, por tregon se jeta shpirtërore ka ritmin e saj. Cdo gjë ka kohën e vet: Ka kohë për agjërim e pendesë, por ka edhe kohë për gëzim, dhe falënderim. Nxënësit e Jezusit nuk agjërojnë sepse janë në gëzimin e pranisë së Tij; por do të vijë koha e dhimbjes dhe atëherë agjërimi bëhet shprehje e pritjes dhe e dëshirës për Dhëndrin. Agjërimi i vërtetë, pra, lind nga mungesa e Dhëndrit, nga etja për Të. Mund të themi se, në një farë mënyre, agjërimi është britma e zemrës: “Eja, o Zot Jezus!” Me të vërtetë, të dashur dëgjues, agjërimi që lind nga etja për Jezusin dhe është shprehje e dashurisë për Të, ka fuqi shëruese për zemrën dhe për jetën tonë. Shën Gjon Pali II ka thënë: “Njeriu nuk agjëron për ta ndëshkuar trupin, por për ta hapur zemrën ndaj Zotit. Agjërimi është gjuha e dashurisë së atij që pret takimin me Krishtin.” Në të vërtetë, krishterimi nuk fillon me një “mos”, por me një “Po” ndaj dashurisë së Hyjit. Prandaj, agjërimi i vërtetë nuk është vetëm një ndalim i bukës apo i kënaqësive të tjera, por është shprehje e dashurisë për Zotin edhe përqafim i vullnetit të Tij.

Vazhdon Ungjilli me fjalët e Jezusit: “Askush nuk vë arrnë pëlhure të re në petk të vjetër, sepse arna e shtrin petkun dhe grisja bëhet më e madhe. As nuk shtihet vera e re në rrëshiqa të vjetër: përndryshe rrëshiqat shpohen, vera derdhet edhe rrëshiqat shkojnë dëm. Vera e re qitet në rrëshiqa të rinj e kështu ruhen të dy.”

Në këto fjalë të Jezusit shihet një mësim i thellë mbi risinë e Ungjillit dhe nevojën që zemra jonë të ripërtërihet. Shën Augustini shpjegon se “petku i vjetër” dhe “rrëshiqat e vjetër” simbolizojnë njeriun që ende mbetet i lidhur pas zakoneve të vjetra, pas krenarisë, egoizmit dhe mënyrës së mëparshme të jetesës. Ndërsa “vera e re” është jeta e re që Krishti dëshiron të na japë. Është hiri i Tij, fuqia e Shpirtit Shenjt, identiteti i ri që marrim si bij e bija të Hyjit.

Kurse “rrëshiqat e rinj” janë zemrat e ripërtërira nga pendimi, përvujtëria dhe dashuria. Vetëm një zemër që lejon Zotin ta ndryshojë mund ta ruajë dhe ta shijojë plotësisht dhuratën e jetës së re që Ai sjell.

Shpesh ne duam që Jezusi të na ndihmojë, të na japë paqe, të na ngushëllojë dhe të na bekojë, por jo që Ai ta ndryshojë jetën tonë. Dëshirojmë ta shtojmë Jezusin si një “arnë” mbi jetën tonë të vjetër. I themi Zotit: “Eja në jetën time, por mos e prek këtë pjesë. Mos më kërko të fal këtë person. Mos më kërko të heq dorë nga ky zakon. Mos më kërko të ndryshoj mënyrën si jetoj.” Por, Jezusi na thotë se jeta e re kërkon një zemër të re.

 

 

O Jezus, më jep hirin që agjërimi im të jetë një shprehje e dashurisë sime për Ty. Të lutem, më ripërtërij me hirin Tënd dhe bëje zemrën time një rrëshiq të ri, të aftë të pranojë dhe të ruajë jetën e re që Ti dëshiron të më japësh. Amen.