A po i dallon shenjat që Hyji po të jep në jetën tënde?

23 TETOR 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

“A po i dallon shenjat që Hyji po të jep në jetën tënde?”


PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS LUKES- Lk 12, 54-59

 

Në atë kohë, Jezusi iu drejtua turmës: »Kur shihni renë se çohet në perëndim, përnjëherë thonë: 'Do të bjerë shi!', dhe ashtu ndodh. Kur shihni se fryn shiroku, thoni: 'Do të jetë vapë' dhe bën vapë, Shtiracakë! Dukën e tokës e të qiellit dini ta çmoni, por këtë kohë nuk dini!?«  Përse ju vetë nuk gjykoni vetvetiu ç'është e drejtë? Kështu, kur shkon bashkë me kundërshtarin tënd tek ushtruesi i drejtësisë, përpiqu udhës të biesh në godi me të - që të mos qesë para gjykatësit, gjykatësi të të dorëzojë shërbëtorit e shërbëtori të të hedhë në burg. Unë po të them se s'do të dalësh prej andej pa e paguar edhe më të sprasmin qindar.«

 

Të dashur dëgjues, në Ungjillin e sotëm, Jezusi u drejtohet njerëzve me një pyetje të fortë: “Përse ju vetë nuk gjykoni vetvetiu ç'është e drejtë?” (Lk 12,57). Ai i qorton sepse dinë të dallojnë shenjat e motit, por nuk janë në gjendje të dallojnë shenjat e kohës në të cilën jetojnë. Shikojnë qiellin, erën dhe retë, por nuk shohin veprimin e Hyjit në historinë dhe në jetën e tyre. Jezusi dëshiron të na zgjojë nga një besim i cekët dhe i pakujdesshëm. Ai na fton të kemi sy shpirtëror, një zemër që di të dallojë praninë e Hyjit dhe zërin e Tij.

Ne jetojmë në një kohë ku kemi shumë informacione, por shpesh kemi pak urti. Dimë çfarë ndodh në botë, por ndonjëherë nuk dimë çfarë po ndodh brenda zemrës sonë. Njohim lajmet e ditës, por nuk dëgjojmë gjithmonë lajmin e Ungjillit. Prandaj Jezusi na pyet edhe sot: A po i dallon shenjat që Hyji po të jep në jetën tënde?

Jezusi thotë: “Kur shihni renë se çohet në perëndim, përnjëherë thonë: 'Do të bjerë shi’... Kur shihni se fryn shiroku, thoni: 'Do të jetë vapë' dhe bën vapë’.” (Lk 12,54-55). Njeriu di të interpretojë shenjat e natyrës, sepse ka mësuar t'i vëzhgojë. Por për jetën shpirtërore duhet edhe një zemër e hapur ndaj Hyjit. Shenjat e Hyjit mund të jenë shumë të thjeshta: një fjalë e Ungjillit që na prek, një këshillë që na zgjon ndërgjegjen, një njeri që Hyji vendos në rrugën tonë, një vuajtje që na bën të reflektojmë, një mundësi për të falur, një thirrje për t'u kthyer në lutje. Shpesh Hyji nuk flet me zhurmë. Ai flet në heshtje.

Sa herë Hyji na ka dhënë një mundësi për t'u kthyer tek Ai, por ne e kemi shtyrë? Sa herë ndërgjegjja na ka thënë: “me falë!”, por ne kemi thënë: “Nuk mundem”? Sa herë Ungjilli na ka treguar rrugën, por ne kemi zgjedhur rrugën tonë?

Jezusi na kërkon dallim shpirtëror. Jo çdo gjë që bota e quan të mirë është domosdoshmërisht e mirë. Jo çdo gjë që është e zakonshme është e drejtë. Jo çdo gjë që shumica pranon është në përputhje me Ungjillin. Prandaj i krishteri duhet të formojë ndërgjegjen e tij me Fjalën e Hyjit, me lutjen dhe me mësimin e Kishës. Kjo kërkon guxim. Është më e lehtë të gjykojmë të tjerët sesa të shohim veten. Është më e lehtë të themi: “Ai ka gabuar”, sesa të pyesim: “Ku duhet të ndryshoj unë?”

Jezusi pastaj përdor një shembull nga jeta e përditshme. Nëse dikush ka një mosmarrëveshje me tjetrin, duhet të përpiqet ta zgjidhë sa më shpejt, para se çështja të arrijë te gjykatësi. Këtu kemi një mësim shumë të rëndësishëm për jetën e krishterë: mos e shty pajtimin. Sa shumë plagë në familje mbeten për vite sepse dikush thotë: “Le të vijë ai i pari.” “ Le ta bëjë ai ose ajo hapin e parë”  Sa marrëdhënie janë prishur sepse askush nuk ka pasur guximin të thotë: “Më fal.” Sa zemra mbajnë brenda vetes fjalë të pathëna, zemërim dhe plagë të vjetra! Jezusi na thotë: Pajtohu sa je ende në rrugë. Mos prit nesër.

Mos prit një moment tjetër. Mos prit që tjetri të bëjë hapin e parë. Nëse ke gabuar, kërko falje. Nëse je lënduar, përpiqu të falësh. Nëse ke një konflikt, kërko rrugën e pajtimit. Pajtimi duhet kërkuar me ngut, sepse zemra që jeton në armiqësi nuk mund ta shijojë plotësisht paqen e Krishtit.

Jezusi na kërkon të jemi të zgjuar dhe të dallojmë kohën e hirit. Nuk duhet të presim një shenjë të jashtëzakonshme. Shenja më e madhe është vetë Krishti që na flet përmes Ungjillit. Prandaj, kur Fjala e Hyjit na prek ndërgjegjen, të mos themi: “Kjo është për dikë tjetër.” Le të themi: “o Zot, çfarë dëshiron të ndryshosh në mua?” Ky është fillimi i një jete të re. Të dish të dallosh shenjat e kohës do të thotë të kuptosh se çdo ditë është një dhuratë dhe çdo ditë është një mundësi për t'u afruar më shumë me Krishtin.

Pyetje për reflektim

A di t'i dalloj shenjat përmes të cilave Hyji po më flet sot, apo jam tepër i zënë me punë të tjera dhe skam kohë për ta dëgjuar?

A kam ndonjë person me të cilin duhet të pajtohem, ta fal ose t'i kërkoj falje?

Çfarë duhet të ndryshoj sot në jetën time, në mënyrë që zemra ime të jetë më pranë Krishtit?

 

O Jezus, më jep një zemër të zgjuar dhe një ndërgjegje të pastër, që të di t'i dalloj shenjat e pranisë sate. Më mëso të mos e shtyj kthimin, faljen dhe pajtimin. Më jep guxim të ndryshoj atë që duhet të ndryshoj dhe të jetoj sot sipas Ungjillit. O Zot, më ndihmo të të dëgjoj, të të ndjek dhe të pajtohem me vëllezërit e mi. Amen.