Ai që e zbaton fjalën time, askurrë s’do ta shohë vdekjen!

26 MARS 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Ai që e zbaton fjalën time, askurrë s’do ta shohë vdekjen!

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS GJONIT - Gjn  8, 51-59

 

Përnjëmend, përnjëmend po ju them: ai që e zbaton fjalën time, askurrë s’do ta shohë vdekjen” [Atëherë] judenjtë i thanë: “Tani po shohim qartë se je i djallosur. Abrahami vdiq e vdiqën edhe profetët, e ti thua: Ai që zbaton fjalën time, askurrë s’do ta shohë vdekjen.’  A mos je ti më i madh se Ati ynë Abrahami, i cili vdiq? Po edhe profetët vdiqën. Kush kujton se je?”  Jezusi u përgjigj: “Nëse unë e lavdëroj vetveten, lavdi im është asgjë; ka kush më lavdëron ‑ im Atë, për të cilin ju thoni: ‘është Hyji ynë’,  por ju nuk e njohët, përkundrazi unë e njoh. Po t’ju thoja se nuk e njoh, do të isha gënjeshtar si ju. Por unë e njoh dhe e mbaj fjalën e tij.  Abrahami, ati juaj, galdoi në shpirt nga dëshira për ta parë Ditën time. E pa dhe u gëzua.”  Atëherë judenjtë i thanë: “Ende nuk je as pesëdhjetë vjeç dhe e pe Abrahamin!”  Jezusi u përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: përpara se të ishte Abrahami, UNË JAM!”  Atëherë kapën gurë për ta gjuajtur. 

 

Siç e dëgjuam, Ungjilli i sotëm fillon me fjalët e Jezusit: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: ai që e zbaton fjalën time, askurrë s’do ta shohë vdekjen.”

Jezusi nuk thotë vetëm “ta dëgjosh”, por edhe ta zbatosh fjalën. Pra shpëtimi lidhet me besimin që bëhet jetë në ne. Sigurisht Jezusi nuk flet për vdekjen trupore, por për jetën që nuk mund të shkatërrohet nga vdekja. Kjo d.m.th. se edhe nëse njeriu vdes në trup, ai jeton në Hyjin. Prandaj, kur Jezusi thotë: “Ai që e zbaton fjalën time nuk do ta shohë vdekjen”, e ka fjalën se kush hyn në marrëdhënie të vërtetë me Hyjin, hyn në jetën e Tij. Sepse jeta e përjetshme nuk fillon vetëm pas vdekjes; ajo fillon që tani, me anë të dëgjimit dhe të zbatimit të Fjalës së Tij. Kjo është edhe arsyeja pse një i krishterë mund të përballet me vdekjen pa frikë: sepse jeta e tij e vërtetë tashmë ka filluar. Atëherë judenjt i thanë: “Tani po shohim qartë se je i djallosur. Abrahami vdiq e vdiqën edhe profetët, e ti thua: ‘Ai që e zbaton fjalën time, askurrë s’do ta shohë vdekjen.’” Ata nuk e kuptojnë dimensionin shpirtëror të fjalëve të Tij dhe nuk mund ta pranojnë se para tyre është dikush më i madh se Abrahami. Në të vërtetë, Jezusi është më i madh se Abrahami, sepse Krishti është Fjala e përjetshme e Hyjit.

Prandaj Jezusi u thotë: ju nuk e njohët Atë për të cilin thoni se është Hyji Ynë.

Ju kujtoj, të dashur dëgjues, se fjala “njohje” në Ungjillin e Gjonit është një term teologjik shumë i thellë. Njohja e Hyjit nuk është vetëm njohuri intelektuale, por një marrëdhënie e vërtetë me Të, në Bashkim i thellë më Hyjin në Krishtin. Judenjtë pretendojnë ta njohin Hyjin sepse kanë traditën dhe ligjin. Por në të vërtetë nuk e njohin, sepse refuzojnë Jezusin. Nuk mund të njohësh Atin pa njohur Birin.

Vazhdon Jezusi duke u thënë: “Abrahami, ati juaj, galdoi në shpirt nga dëshira për ta parë Ditën time. E pa dhe u gëzua.”

Abrahami është figura e njeriut që beson në premtimin e Hyjit dhe jeton duke pritur përmbushjen e tij. Shën Augustini thotë se Abrahami e pa Krishtin me sytë e fesë: në premtimin e pasardhësit dhe në sakrificën e Isakut. Isaku, që bart drutë e flijimit, është figurë e Krishtit që mbart kryqin. Dhe “Dita e Jezusit” nënkupton momentin e shpëtimit që arrin kulmin në kryq, në ringjallje dhe në lavdi. Në këtë kuptim, besimi i Abrahamit është një besim që shikon përpara drejt përmbushjes në Krishtin. Në të vërtete për traditën biblike kjo do të thotë se historia e shpëtimit është një histori pritjeje, ku e gjithë Besëlidhja e Vjetër drejtohet drejt Krishtit.

Prandaj Jezusi ju thotë: “Përpara se të ishte Abrahami, UNË JAM!”

Jezusi shpall ekzistencën e tij para Abrahamit dhe natyrën e tij hyjnore. Jezusi shpall se Ai është Fjala e përjetshme e Hyjit që u bë njeri. Jezusi nuk thotë: “unë isha”, por “UNË JAM”. Kjo shprehje lidhet drejtpërdrejt me zbulesën e Hyjit në Librin e Daljes, kur Hyji i zbulon emrin e Tij Moisiut: “UNË JAM AI QË JAM.”  Kjo është edhe arsyeja pse Judenjtë marrin gurë për ta vrarë Jezusin, sepse sipas tyre kjo që thotë ai është blasfemi.

Ungjilli përfundon duke thënë se:  Jezusi doli prej Tempullit. Edhe dalja e Jezusit nga Tempulli ka një kuptim simbolik: prania e vërtetë e Hyjit nuk është më e kufizuar në një vend, por gjendet në personin e Krishtit.

                                                                

O Zot Jezus, Fjala e përjetshme e Atit, na jep hirin ta pranojmë dhe ta zbatojmë fjalën tënde me zemër të hapur. Na bashko gjithnjë e më thellë me Ty, që në Ty të njohim Atin dhe në Ty ta kemi jetën që vdekja nuk mund ta shkatërrojë. Amen.