Ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj!
04 MARS 2026
UNGJILLI I DITËS
“Ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT - Mt 20, 17-28
Kur Jezusi po ngjitej në Jerusalem, i mori veçmas të dymbëdhjetët dhe udhës u tha: “Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje, e do t’ua dorëzojnë paganëve për ta vënë në lojë, për ta frushkulluar e për ta kryqëzuar. Por ai të tretën ditë do të ngjallet.” Atëherë iu afrua nëna e bijve të Zebedeut me të bijtë dhe e përshëndeti me fytyrë për dhe për t’i lypur diçka. Jezusi i tha: “Çka dëshiron?” Ajo iu përgjigj: “Urdhëro që këta të dy, bijtë e mi, të rrinë në Mbretërinë tënde njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.”
Jezusi u përgjigj: “Nuk dini çka lypni. A mundeni ta pini ju kelkun që unë do ta pi?” “Mundemi!” ‑ iu përgjigjën. Jezusi vijoi: “Me të vërtetë ju do ta pini kelkun tim, por të më rrini njëri në të djathtë e tjetri në të majtë, nuk është në dorë time t’jua japë, por do t’u jepet atyre, për të cilët u bë gati prej Atit tim.” Kur morën vesh dhjetë të tjerët, u zemëruan me dy vëllëzërit. Atëherë Jezusi i thirri pranë vetes e u tha: “Ju e dini se sunduesit zotërojnë mbi popujt e vet e princat e tyre i mbajnë nën pushtet. Porse, ndërmjet jush nuk duhet të jetë ashtu! Përkundrazi, ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, kurse ai që ndër ju dëshiron të jetë i pari, le të bëhet skllavi juaj, sikurse edhe Biri i njeriut, që s’erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për të gjithë!”
Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm, na fton të meditojmë mbi momentin kur Jezusi, i merr veçmas të dymbëdhjetë dishepujt dhe u tregon se çfarë do t’i ndodhë. Fillon duke ju thanë: Ja, po ngjitemi në Jerusalem. Kjo shprehje: po ngjitemi në Jerusalem, ka kuptim jo vetëm gjeografik, por edhe teologjik: është ngjitja drejt përmbushjes së misionit shpëtimtar. Ngjitja në Jerusalem është hyrje e vetëdijshme në misterin e dhurimit total.
Po, Jezusi shkon drejt Mundimeve me vetëdije dhe liri të plotë. Ai nuk është viktimë e rrethanave, por pranon planin e Atit me dashuri të plotë. Jezusi ecën drejt Kryqit sepse e do botën, sepse e do çdo njeri, sepse më do mua dhe të do ty i dashur dëgjues.
Vazhdon Jezusi duke thënë: Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e skribëve. Titulli “Biri i njeriut” lidhet me vizionin e Danielit 7,13 ku bëhet fjalë për një figurë hyjnore që merr pushtet dhe lavdi të përjetshme dhe me figurën e Shërbëtorit të vuajtur tek libri Isaia 53. Jezusi pra bashkon lavdinë hyjnore me vuajtjen njerëzore, duke treguar kështu se Kryqi nuk është shkatërrim, por rruga e shpëtimit. Lavdia kalon përmes përvujtërisë dhe dashurisë sakrifikuese. Jezusi lejon që ta dorëzojnë dhe pikërisht dorëzimi i Tij është një shembull ekzemplar i dashurisë që nuk frikësohet nga dhimbja, as nda vdekja.
Jezusi e thotë qartë: Të tretën ditë do të ngjallet. Ringjallja është përgjigjja e Atit ndaj bindjes së Birit; konfirmimi se dashuria është më e fortë se vdekja. Duket qartë në këta pak rreshta se: Kryqi dhe Ringjallja, dhimbja dhe dashuria, humbja dhe shpresa janë të lidhura ngushtë. Ungjilli i sotëm na thërret për të ndjekur Jezusi edhe kur rruga është e vështirë, sepse kryqi i përditshëm është vendi i shenjtërimit dhe bashkimit tonë me Jezusin.
Ndërsa Jezusi flet për kryqin, nëna e Jakobit dhe Gjonit kërkon vendet e para për bijtë e saj. Duket një kontrast dramatik: Jezusi flet për vuajtje, dorëzim, kryqëzim dhe ngjallje. Dishepujt mendojnë për pushtet, lavdi dhe pozita.
Është momenti për reflektim të brendshëm: e çfarë kërkojmë ne, vend nderi apo mundësi për të shërbyer? Jezusi mbretëron nga froni i Kryqit. Pushteti i Tij është dashuria që fal, që duron e sakrifikon veten.
O Zot Jezus, Ti u ngjite me vetëdije e liri drejt Jerusalem, jo si viktimë e rrethanave, por si Bir që i bindet Atit me dashuri të plotë. Na jep edhe neve hirin ta pranojmë kryqin tonë të përditshëm, jo me frikë, por me besim; jo me ankesë, por me dorëzim në duart e Hyjit Atë. Amen!