Ai u ngjall së vdekuri!

 

05 Prill 2026 - 

 

UNGJILLI I DITËS

 

Ai u ngjall së vdekuri!

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjn 20, 1-9

 

Ditën e parë të javës, në mëngjes, ende pa dalë drita, erdhi Maria Magdalenë te varri dhe pa se guri ishte hequr prej varrit.  Atëherë erdhi me vrap te Simon‑Pjetri dhe tek ai nxënësi tjetër, të cilin Jezusi e donte dhe u tha: “E kanë marrë Zotërinë prej varrit e nuk dimë se ku e kanë vënë.”  Atëherë dolën Pjetri dhe ai nxënësi tjetër e u nisën drejt varrit.  Vraponin të dy bashkë, por ai nxënësi tjetër ia kaloi Pjetrit dhe arriti i pari te varri.  Ai u përkul dhe pa pëlhurat e vëna aty, por nuk hyri. Ndërkaq mbërriti edhe Simon‑Pjetri që po vinte pas tij dhe hyri në varr. I pa pëlhurat e vëna  dhe rizën që pati qenë në kokë të Jezusit. Kjo nuk ishte me pëlhura, por veçmas e palosur në një vend.

 Atëherë hyri edhe ai nxënësi tjetër, që mbërriti i pari te varri, pa e besoi.  Në të vërtetë, ende nuk e kishin kuptuar Shkrimin e shenjtë: se duhej që Ai të ngjallej së vdekuri.

 

Ungjilli fillon në heshtje: “ende pa dalë drita erdhi Maria Magdalenë te varri dhe pa se guri ishte hequr prej varrit”. Ky nuk është vetëm një shënim kohe, por një simbol i thellë shpirtëror. Errësira nuk është thjesht mungesë drite fizike; ajo simbolizon gjendjen e brendshme të njeriut që ende nuk ka arritur në dritën e plotë të kuptimit dhe të besimit. Maria Magdalenë vjen në këtë errësirë, sepse zemra e saj është ende e mbështjellë nga dhimbja dhe hutimi përballë misterit të vdekjes së Jezusit.

Ajo shkon te varri me një zemër të thyer, por njëkohësisht edhe me një dashuri që nuk dorëzohet as përballë vdekjes. Kjo është pika kyçe: dashuria e saj është më e fortë se dëshpërimi. Pikërisht kjo dashuri e shtyn të kërkojë, edhe kur gjithçka duket e humbur. Kërkimi i saj nuk është i ftohtë apo racional, por i mbushur me mall, me besnikëri që buron nga një lidhje e fortë dhe personale me Jezusin. Kur Maria arrin te varri dhe sheh se guri është hequr, reagimi i saj i parë është shumë njerëzor: ajo mendon menjëherë për humbjen. “E kanë marrë Zotërinë…” Sa herë ndodhë kështu edhe në jetën tonë: përballë një “varri bosh”: një zhgënjimi, një humbje, një krize, menjëherë na vjen të mendojmë negativisht.

Më pas dëgjuam se Simon Pjetri dhe nxënësi që Jezusi e donte, nisen me vrap drejt varrit. Nxënësi tjetër arrin i pari. Po, dashuria mbërrin më shpejt. Megjithatë, ai nuk hyn menjëherë: ndalet dhe pret Pjetrin. Kjo tregon se dashuria e vërtet pret dhe respekton ritmin dhe rolin e tjetrit.

Një tjetër detaj i rëndësishëm janë pëlhurat e palosura. Kjo nuk është një skenë rrëmuje apo paniku, siç do të ishte në rast vjedhjeje. Përkundrazi, gjithçka flet për qetësi dhe qëllim. Është një “shenjë e heshtur” që tregon se ajo që ka ndodhur nuk është një akt njerëzor, por një veprim hyjnor. Vdekja nuk është fituar me dhunë, por është fituar nga brenda, me dashuri.

Kur më në fund hyn edhe nxënësi tjetër, Ungjilli thotë: “pa dhe besoi”. Ai nuk sheh Jezusin e ringjallur, por sheh shenjat — dhe ato i mjaftojnë për të besuar. Dashuria e vërtetë arrin në besim. Ajo sheh thellë, jo vetëm me sytë e trupit, por sheh me sytë e zemrës dhe beson.

Menjëherë Ungjilli shton: “ende nuk e kishin kuptuar Shkrimin e Shenjtë”. Kjo është shumë e rëndësishme për jetën tonë shpirtërore. Besimi mund të lindë edhe përpara se ne të kuptojmë gjithçka. Por kuptimi i plotë vjen më vonë, kur drita e Shkrimit Shenjt dhe përvoja e Ringjalljes ndriçojnë atë që kemi parë dhe besuar. Prandaj, jeta e krishterë është një rrugëtim: nga kërkimi në besim, dhe nga besimi në kuptim.

Ungjilli i sotëm na mëson pikërisht këtë: ecja drejt Ringjalljes fillon me një zemër që kërkon, edhe në errësirë, dhe përfundon me sy që besojnë, edhe para se të kuptojnë plotësisht.

Shën Gjoni Gojarti thoshte: “Krishti u ngjall dhe vdekja u rrëzua; Krishti u ringjall dhe jeta mbretëron.”

 

O Krisht i Ngjallur, të lutem ma dhuro dashurinë e vërtetë, që në momentet e errësirës dhe të dhimbjes, të kërkoj si Maria Magdalenë. Bëj që të njoh shenjat e pranisë sate dhe të besoj, edhe kur nuk i kuptoj plotësisht ato! Amen.