Ardhtë Mbretëria jote!

24 Shkurt 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Ardhtë Mbretëria jote!”

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT - Mt 6, 7-15

 

E kur të luteni, mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja nëse thonë shumë fjalë.  Mos bëni si ata, sepse Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t’i luteni.  Prandaj lutuni kështu: Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë Emri yt!  Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullneti yt si në qiell ashtu në tokë!  Bukën tonë të përditshmen na e jep sot!  Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë!  E mos na lër të biem në tundim, por na shpëto nga i Keqi!  Vërtet, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve;  por, nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’jua falë juve gabimet tuaja.”

 

Ungjilli që sapo dëgjuam na çon në zemrën e jetës shpirtërore: tek lutja. Jo një lutje si zakon, jo si formulë fjalësh, por lutjen si marrëdhënie të gjallë me Atin. Jezusi sot, na mëson diçka shumë të thellë: “Kur të luteni, mos e teproni me fjalë të kota”. Ai na dhuron lutjen më të bukur, më të thjeshtë, më revolucionare: “Ati ynë”. Kjo lutje, para së gjithash, është lutja e vetë Jezusit. Dhe pikërisht përmes Tij, ne guxojmë ta quajmë Hyjin “Atë”. Kjo nuk është një e drejtë natyrore, por një dhuratë hiri. Ne jemi bij në Birin.  Jezusi nuk na mëson të themi “Ati im”, por “Ati ynë”. Fjala “ynë” na nxjerr nga individualizmi shpirtëror dhe na fut në logjikën e bashkësisë. Nuk ka marrëdhënie të vërtetë me Atin pa marrëdhënie me të afërmin. Të thërrasim Zotin “Ati Ynë” do të thotë të pranojmë se jemi vëllezër, të lidhur në gëzim dhe në dhimbje, të krijuar e të mbrojtur nga e njëjta dashuri.

“Ati ynë që je në qiell,” nuk d.m.th. se Zoti është i largët, diku në hapësirën e paarritshme. Qielli nuk është largësi gjeografike, por prani e shenjtë. Qielli është aty ku Zoti banon, dhe Zoti banon në thellësinë e shpirtit tonë. “U shenjtëroftë Emri yt!”, nuk do të thotë që emri i Zotit ka nevojë të bëhet më i shenjtë, por që jeta jonë të bëhet vend ku emri i Tij nderohet. Çdo zgjedhje, çdo fjalë, çdo vepër e jona ose e shenjtëron, ose e errëson emrin e Zotit në këtë botë. Pra ne i kërkojmë Atit që shenjtëria e Tij ta mbushë zemrën tonë dhe të reflektohet në mënyrën se si jetojmë.

“Ardhtë Mbretëria jote!”. Mbretëria e Zotit është Prania e Krishtit që fillon të sundojë në brendësinë tonë: mbi mendimet tona, mbi dëshirat tona, mbi plagët e fshehura që askush tjetër nuk i sheh. Sa herë zgjedhim të falim në vend që të hakmerremi, sa herë zgjedhim të duam në vend që të mbyllemi, Mbretëria e Zotit është duke ardhur. “U bëftë vullneti yt si në qiell ashtu në tokë!” Qielli është vendi ku vullneti i Zotit kryhet plotësisht. Toka bëhet qiell kur shpirti i njeriut thotë: “Po, o Zot”. Jo për frikë, jo për detyrim, por për dashuri. Vullneti i Zotit është rruga më e sigurt drejt lirisë së brendshme dhe drejtë gëzimit të plot për ne.

“Bukën tonë të përditshmen na e jep sot.” Ne nuk kërkojmë pasuri, por bukë. Jo për nesër, por për sot. Kjo na mëson besimin e përditshëm, varësinë e bijve ndaj Atit. Dhe kjo bukë nuk është vetëm ushqim material, por edhe buka e fjalës së Zotit, e Eukaristisë, e dashurisë, dhe e shpresës. “Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë.” Këtu lutja bëhet serioze dhe kërkuese. Falja ndaj të tjerëve nuk është një sugjerim i bukur moral, por kusht shpirtëror. Nuk mund të presim falje nga Ati, nëse zemra jonë mbetet e mbyllur ndaj vëllait. Sigurisht të falesh nuk do të thotë të harrosh dhimbjen dhe padrejtësitë, që kemi jetuar, por d.m.th. me marrë pjesë në logjikën e Kryqit. Është zgjedhje për të dashur edhe kur dhemb.

Lutja Ati Ynë përfundon me një britmë shprese: “Mos na lër të biem në tundim, por na shpëto nga i Keqi!” Kjo është lutja e atij që e njeh dobësinë e vet. Nuk jemi heronj shpirtërorë. Jemi njerëz që kanë nevojë për hir, për mbrojtje, për dritë. Në fakt, tundimi më i rrezikshëm nuk është gjithmonë mëkati i dukshëm, por vetëkënaqësia shpirtërore, iluzioni se “jam mirë”, krenaria e fshehur që nuk ka më nevojë për Zotin.

Të dashur dëgjues, lutja “Ati Ynë” është lutja që na mëson të jetojmë si bij të dashur, si vëllezër mes nesh dhe si njerëz të lirë, të mbështetur gjithmonë në dashurinë e Atit. Kjo lutje ka forcë të madhe shpirtërore kundër së keqes, sepse vjen drejtpërdrejt nga vetë Jezusi.

 

Ati Ynë, të adhuroj me gjithë qenien time! Qoftë emri Yt i shenjtë në jetën time dhe mbretëria Jote e mbushte zemrën time. Amen!