Askush s'mund t'u shërbejë dy zotërinjve!
20 QERSHOR 2026
UNGJILLI I DITËS
“Askush s'mund t'u shërbejë dy zotërinjve!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT - Mt 6,24-34
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: »Askush s'mund t'u shërbejë dy zotërinjëve, sepse: ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta duajë, ose do t'i mbështetet njërit e tjetrit do t'ia kthejë shpinën. Nuk mund t'i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.« »Prandaj po ju them: mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çkado të pini, as për trupin tuaj se çka do të veshni: vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku? Shikoni shpendët e qiellit! As nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në drithnikë e Ati juaj qiellor i ushqen! A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata? E kush prej jush me gjithë përpjekje shqetësuese që të bëjë, është i zoti ta zgjasë sado pak jetën e vet? E për veshje, përse brengoseni aq? Shikoni si rriten lilat e fushës: nuk heqin keq as nuk tjerrin! E unë po ju them: as vet Salomoni me tërë madhërinë e vet nuk është veshur si njëri nga ata! Tashti, nëse Hyji e vesh kështu barin e tokës, që sot është e nesër qitet në furrë, vallë, a nuk do t'ju vesh më me ëndje ju, o besimpakët? Mos u brengosni, prandaj, duke thënë: 'Çka do të hamë?' e 'Çka do të pimë?' Me çka do të vishemi?' - këto gjëra i kërkojnë paganët - sepse Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto. Kërkoni, pra, më së miri Mbretërinë dhe drejtësinë e tij e të gjitha këto do t'ju jepen si shtesë! Prandaj: mos u brengosni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i del mjaftë pikëllimi i vet!«
Kjo pjesë e Ungjillit të sotëm sipas Mateut (Mt 6,24-34), e vendosur në zemër të Fjalimit në Mal, përmban një nga mësimet më të thella të Jezusit mbi marrëdhënien e njeriut me Hyjin, me pasurinë dhe me shqetësimet e jetës së përditshme. Në këtë tekst, Jezusi nuk flet thjesht për një qëndrim moral, por na zbulon një mënyrë të re jetese që lind nga besimi në Atin qiellor.
Jezusi e nis mësimin me një pohim të prerë: “Askush s’mund t’u shërbejë dy zotërinjëve.” Këtu paraqitet një zgjedhje themelore. Njeriu është krijuar për ta adhuruar Hyjin dhe për ta vendosur Atë në qendër të jetës së vet. Kur pasuria, suksesi, pushteti apo interesat personale zënë vendin e Hyjit, zemra ndahet dhe humbet lirinë e saj të vërtetë. Fjala “pasuri” (Mamona) nuk i referohet vetëm të mirave materiale, por çdo gjëje që pretendon të bëhet zot i jetës sonë.
Shën Augustini vëren se zemra e njeriut është krijuar për Hyjin dhe nuk mund të gjejë paqe larg Tij. Në veprën e tij Rrëfimet, ai shkruan: “Na ke krijuar për Veten tënde, o Zot, dhe zemra jonë është e shqetësuar - pra nuk gjenë paqe, derisa të mos pushojë në Ty.” Pikërisht ky shqetësim i brendshëm lind atëherë kur njeriu kërkon sigurinë e tij në gjëra kalimtare dhe jo në Hyjin e gjallë.
Pas kësaj thirrjeje për zgjedhje, Jezusi kalon tek tema e brengosjes. Ai thotë: “Mos u brengosni për jetën tuaj.” Këto fjalë nuk janë një ftesë për dembelizëm apo papërgjegjësi. Jezusi nuk po thotë se nuk duhet të punojmë apo të planifikojmë. Ai po dënon ankthin që e pushton zemrën kur njeriu jeton sikur gjithçka të varej vetëm nga forcat e veta. Brenga e tepruar është shpesh shenjë e mungesës së besimit në kujdesin atëror të Hyjit. Brenga është si tenja e brendshme që e gërryen shpirtin tonë deri në atë pikë sa na çon të mos kemi më besim në Zotin por vetëm në forcat tona. Prandaj na thotë Jezusi: Pa mua s’mund të bëni asgjë!
Për ta ilustruar këtë të vërtetë, Jezusi na drejton vështrimin drejt krijimit. Ai na fton të shikojmë shpendët e qiellit. Ata nuk mbjellin e nuk korrin, por Ati qiellor i ushqen.
Shën Gjon Gojarti, duke komentuar këtë pjesë, thotë se Krishti na çon tek shpendët jo sepse ato janë më të mençur se ne, por që ne të turpërohemi nga mungesa jonë e besimit. Nëse krijesat pa arsye jetojnë sipas provanisë së Hyjit, atëherë njeriu, i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Hyjit, duhet të ketë edhe më shumë besim në Të.
Po kështu Jezusi na fton të kundrojmë lilat e fushës. Bukuria e tyre është dhuratë e drejtpërdrejtë e Krijuesit. Ato nuk lodhen për t’u stolisur, megjithatë madhështia e tyre tejkalon lavdinë mbretërore të Salomonit. Kjo figurë na kujton se bukuria më e thellë e jetës nuk është rezultat vetëm i përpjekjes njerëzore, por mbi të gjitha i hirit të Hyjit.
Kulmi i kësaj pjese të Ungjilli është urdhri i Jezusit: “Kërkoni më së pari Mbretërinë e Hyjit dhe drejtësinë e tij.” Kjo është hierarkia e krishterë e vlerave. Jezusi nuk thotë të kërkojmë Mbretërinë duke u dhënë pas sigurisë ekonomike, pas suksesit profesional apo pas realizimit të planeve personale. Jezusi kërkon që Mbretëria e Hyjit të jetë e para. Kur Hyji vendoset në vendin e duhur- pra në vendin e parë, edhe gjërat e tjera marrin vendin e tyre të drejtë.
Prandaj, kush e kërkon me sinqeritet Mbretërinë e Hyjit, mëson të përdorë gjërat e kësaj bote pa u bërë skllav i tyre. Pasuritë nuk janë të këqija në vetvete; e keqja qëndron kur zemra lidhet me to më shumë sesa me Hyjin.
Le ta pyesim veten:
- Cilët janë “dy zotërinjtë” që shpesh luftojnë për vendin e parë në zemrën time?
- Për cilat gjëra brengosem më shumë në jetën time dhe sa ia besoj ato Zotit në lutjen time?
- Çfarë do të thotë konkretisht për mua sot të kërkoj së pari Mbretërinë e Hyjit?
- A jetoj i mbërthyer nga frika e së nesërmes apo jetoj me besim në provaninë e Atit?
Lutje:
O Atë qiellor, na jep hirin të të vendosim Ty në qendër të jetës sonë. Çliroje zemrën tonë nga ankthi, nga lidhja e tepruar me pasuritë dhe nga frika për të ardhmen. Mësona të kërkojmë para së gjithash Mbretërinë tënde dhe të jetojmë çdo ditë me besim në dashurinë dhe kujdesin tënd. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.