“Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin kah Hyji!”

05 Shkurt 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

 Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin kah Hyji!”

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MARKUT -Mk 6, 7-13

 

Jezusi doli e mësonte nëpër fshatra përreth. Atëherë i thirri të Dymbëdhjetët e nisi t’i dërgojë dy nga dy dhe u dha pushtet mbi shpirtrat e ndytë.  U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër, përveç shkopit: as bukë, as strajcë, as para bakri në brez,  por të mbathin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë petka.

 Dhe u thoshte: “Kudo që të hyni në ndonjë shtëpi, rrini aty derisa të largoheni nga ai vend.  Po qe se ndokund nuk ju pranojnë dhe nuk ju dëgjojnë, dilni dhe shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre.”  Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin kah Hyji.  Dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.

 

Të dashur dëgjues, Ungjilli i Markut na çon sot në një çast vendimtar të jetës së Jezusit: Ai nuk vepron më i vetëm, i thërret të Dymbëdhjetët dhe i dërgon, për t’i bërë pjesëtarë të misionit të Tij. Në  këtë  mision, ata dërgohen dy nga dy, sepse feja jetohet në bashkim, në mbështetje reciproke dhe në dëshmi të përbashkët. Shën Gregori e thellon këtë duke thanë:  të dërguarit dy e nga dy shpreh harmoninë mes fjalës dhe jetës. Predikimi pa shembull është i zbrazët; fjala pa jetë nuk bind.

Ungjilltari na thotë edhe se Jezusi: U dha pushtet mbi shpirtrat e ndyrë. Po, pushteti i apostujve vjen nga marrëdhënia që ata kanë me Jezusin. Dhe lufta kundër shpirtrave të ndyrë është shenjë se Hyji po hyn në histori, duke përmbysur sundimin e së keqes dhe duke e çliruar njeriun nga gjithçka që e skllavëron: nga frika, nga mëkati, dhe nga i keqi. Pyetja është: a i lejojmë ne Zotin të hyjë në historinë e jetës sonë? Prania e Zotit në jetën tonë është çlirim: çlirim nga mëkati, nga frika, dhe nga skllavëria e të keqes.

Apostujve Jezusi: U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër, përveç shkopit.

Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një këshill praktike, por edhe pwr një qëndrim shpirtëror. Në të vërtetë, varfëria e shpirtit është hapësirë për tu mbushë  me Zotin. Nxënësi i Jezusit duhet të jetë “i zbrazët”, që të mund të mbushet me Shpirtin Shenjt.

Sipas Shën Jeronimi varfëria e apostujve është predikimi i parë, pastaj vjen fjala.

Ky qëndrim shpirtëror pra është kusht i domosdoshëm për ta leju Zotin të veprojë parmes tyre. Vetëm një zemër e lirë mund të shpallë Ungjillin të pa errësuar.

Vazhdon përsëri Jezusi duke i porositur ata që i dërgon: Kudo që të hyni në ndonjë shtëpi, rrini aty derisa të largoheni nga ai vend. Kjo është një thirrje për besnikëri dhe përvujtëri. Apostulli i vërtetë nuk vrapon pas rehatisë, dhe edhe nëse nuk do të pranohet nuk duhet ta humbas paqen. Me të drejtë thoshte Shën Augustini: “Kush e mbart Jezusin brenda zemrës, nuk dridhet nga refuzimi i të tjerëve.”

 Përfundon Ungjilli duke thënë: Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin kah Hyji.  Dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin. Ungjilli i sotëm na se misioni i Kishës – dhe i çdo besimtari – është i trefish: të thërrasë në kthim, të luftojë të keqen, dhe të shërojë me mëshirë.

Përfundoj, të dashur dëgjues duke theksuar se Apostujt nuk u dërguan fillimisht për të bërë mrekulli, por për të thirrur në kthim, sepse pa kthimin e zemrës, edhe mrekullia mbetet e pafrytshme. Shën Gregori ka thënë: “Kthimi i vërtetë është si dera që hapet brenda njeriut; nëpër këtë derë mund të hyjë drita e Hyjit.

O Hyji i Mire, largoje prej nesh çdo frikë dhe çdo errësirë që na pengon me të ndjek plotësisht. Të lutemi ndihmoje zemrën tonë që të hapet plotësisht për Ty! Amen.