Atëherë Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkretëtirë që ta tundojë djalli.
22 Shkurt 2026
UNGJILLI I DITËS
“Atëherë Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkretëtirë që ta tundojë djalli. !”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT- Mt 4, 1-11.
Atëherë Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkretëtirë që ta tundojë djalli. Dhe, pasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund u urit. Atëherë iu afrua tunduesi dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, urdhëro që këta gurë të shndërrohen në bukë!” Por Jezusi iu përgjigj: “Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit. ’“ Atëherë djalli e mori dhe e çoi në Qytetin e shenjtë, e vuri në majë të Tempullit dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, hidhu poshtë, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Për ty Hyji do t’i urdhërojë engjëjt e vet, dhe ata do të të mbajnë para duarsh, që këmba jote të mos vritet në ndonjë gur!” Jezusi iu përgjigj: “Porse Shkrimi i shenjtë thotë edhe: ‘Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd!” Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e kësaj bote dhe madhërinë e tyre e i tha: “Të gjitha këto do të t’i jap nëse bie përmbys para meje e më adhuron”. “Atëherë Jezusi tha: “Ik, o djall, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Adhuroje Zotin, Hyjin tënd, dhe shërbeji vetëm Atij!’“ Atëherë djalli e la dhe, ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.
Të dashur dëgjues, që në fillim të krijimit, po ashtu edhe në fillim të ri-krijimit, Shkrimi Shenjt na tregon se djalli afrohet për të tunduar. Në librin e Zanafillës, Adami dhe Eva jetonin në Parajsën tokësore, të rrethuar nga të mirat e Zotit, por aty shfaqet tunduesi që përmes mashtrimit i çon në rënie. Në mënyrë të ngjashme, edhe në fillim të misionit të Jezusit, pas Pagëzimit në Jordan, Ai shkon në shkretëtirë për t’u përgatitur shpirtërisht dhe aty përballet drejtpërdrejt me tundimet e djallit. Por, këtë herë fitorja i përket Jezusit. Ungjilli i sotëm na paraqet tre tundimet kryesore që djalli i bën Jezusit.
Tundimi i parë: lidhet me nevojat themelore dhe me identitetin: “Nëse je Biri i Hyjit, urdhëro që këta gurë të shndërrohen në bukë.” Djalli vë në dyshim fjalën që Ati ka thanë pas Pagëzimit: “Ky është Biri im i dashur”. Edhe sot këto tundime shfaqen në mënyrë të veçantë përmes pyetjeve të brendshme që e trazojnë zemrën tonë. P.sh.:
A jam vërtet bir i dashur i Hyjit?
A është Zoti me mua?
A m’i fal Zoti të gjitha mëkatet e mia?
A me të vërtetë e dëgjon Zoti lutjen time?
Pyetje të tilla janë shenja se armiku është afruar për të dobësuar besimin dhe për të na hell në shkurajim dhe në trishtim. Dëgjuam se Jezusi nuk hyn në dialog me djallin, por i përgjigjet me Fjalën e Shkrimit të Shenjtë: “Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.”
Tundimi i dytë: ka të bëjë me pushtetin, lavdinë dhe krenarinë. Djalli i ofron Jezusit të gjitha mbretëritë e botës, me kusht që ta adhurojë. Tundim, i cili njeriut të sotëm i shfaqet në dëshirën për t’u dukur i madh, i fuqishëm, i njohur dhe i lavdëruar.
Por Jezusi nuk bën llogari me atë që djalli i premton, dhe të keqit i përgjigj: “Shkrimi i shenjtë thotë: “Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe vetëm Atij shërbeji.”
Tundimi i tretë: është edhe më i rrezikshëm, sepse djalli përdor vetë Shkrimin Shenjt për qëllime të këqija. ... djalli e mori dhe e çoi në Qytetin e shenjtë, e vuri në majë të Tempullit dhe i tha: Nëse je Biri i Hyjit, hidhu prej këtu poshtë, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Hyji për ty do t’u urdhërojë engjëjve të vet që të të ruajnë’, dhe ‘do të të mbajnë para duarsh, që të mos e vrasësh këmbën tënde në ndonjë gur. Djalli pra, duke vënë në provë Hyjin që të bëjë shenja spektakolare. Prej në maje të tempullit me u hedhë poshtë, e më e të pa të gjithë, e të gjithë me u habit... Ah sa shumë djalli i afrohet njeriut me këto propozime. Jezusi e refuzon këtë logjikë dhe përgjigjet: “Porse Shkrimi i shenjtë thotë edhe: ‘Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd!”
Përfundoj duke cituar një shprehje të Shën Ambrozit. Ai na ka thënë: Kur i merr në dorë Shkrimet e shenjta dhe i lexon me fe, djalli largohet prej teje.
O Jezus, Ti që në shkretëtirë e munde të keqin, të lutem frymëzoje zemrën time me lutje të përditshme, forcoje shpirtin tim me Fjalën tënde.
Jezus, kur jam i dobët, bëhu forca ime; kur jam i tunduar, bëhu fitorja ime. Amen.