Ati është në mua dhe unë në Atin!

27 MARS 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Ati është në mua dhe unë në Atin!

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS GJONIT - Gjn 10, 31-42

 

 Judenjtë rishtas kapën gurë për ta vrarë.  Jezusi iu përgjigj: “Ju tregova shumë vepra të mira të Atit tim. Për cilën ndër to doni të më vritni me gurë?”

 Judenjtë iu përgjigjën: “Nuk duam të të vrasim me gurë për shkak të ndonjë vepre të mirë, por për shkak të blasfemisë: pse ti, duke qenë njeri, e bën veten Hyj!”  Jezusi iu përgjigj: “A nuk shkruan në Ligjin tuaj: ‘Unë thashë: hyjni jeni?’  Nëse i quajti hyjni ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Hyjit ‑ e Shkrimi Shenjt nuk mund të zhbëhet ‑  si atëherë ju, atij që Ati e shuguroi dhe e dërgoi në botë, mund t’i thoni: ‘Po blasfemon’ pse thashë: Jam Biri i Hyjit?  Nëse nuk i bëj veprat e Atit tim, mos më besoni.  Por nëse i bëj, po edhe nëse nuk më besoni mua, besojuni veprave, që ta merrni vesh e ta kuptoni se Ati është në mua dhe unë në Atin”.

 Prapë deshën ta kapin, por u doli prej duarve.  Jezusi doli prapë matanë Jordanit, në atë vend ku më parë Gjoni pagëzonte dhe zuri vend atje.  Shumë erdhën tek ai dhe thoshin: “Gjoni, njëmend, nuk bëri asnjë mrekulli, por, gjithçka tha për këtë njeri, u vërtetua”.  Atje besuan shumë në të.

 

Sikurse dëgjuam, Ungjilli i sotëm fillon duke treguar se: Judenjtë rishtas kapën gurë për ta vrarë Jezusin. Ky është reagimi i fortë i zemrës që ndjehet e kërcënuar nga ajo që Jezusi ju thotë. Drita kur shkëlqen ose ngroh, ose verbon. Në fakt, Jezusi sapo kishte thënë: “Unë dhe Ati jemi një”. Kjo është një zbuluese e thellë e unitetit ontologjik mes Birit dhe Atit. Jezusi nuk thotë se është “afër” Atit, por se është Një me Atin. Prandaj reagimi është i  menjëhershëm: marrin gurë për ta vrarë.

Guri është simbol i zemrës së ngurtësuar. Edhe neve mund të na ndodhë që të “marrim gurët” kur Fjala e Krishtit prek krenarinë tonë, interesat tona, apo zonat e errëta që nuk duam t’i zbulojmë. Gurët tanë janë gjykimet e shpejta, mbylljet në vetvete, indiferenca, arsyetimet e kota për të mos ndryshuar. Po të dashur dëgjues, sa herë që e refuzojmë të vërtetën për të ruajtur rehatinë tonë, ne, në mënyrë simbolike, përulemi për të marrë një gur.

Atëherë Jezusi iu thotë: “Ju tregova shumë vepra të mira të Atit tim.

Në Ungjillin e Gjonit veprat të mira që Jezusi ka bërë janë shenja të identitetit të Tij hyjnorë. Çdo vepër e Jezusit është një dritare që hapet drejt misterit të Atit. Çdo shërim, çdo falje, çdo ringjallje është shprehje konkrete e dashurisë së Atit. Por, Judenjtë iu përgjigjën: “Nuk duam të të vrasim me gurë për shkak të ndonjë vepre të mirë, por pse ti, duke qenë njeri, e bën veten Hyj!” Në të vërtete Jezusi nuk “bëhet” Hyj; Ai është Hyj që është bërë njeri.

Atëherë Jezusi citon Psalmin 82, në të cilin shkruan:  E pra, unë thashë: “Ju jeni zota, bij të Tejetlartit të gjithë”! Kjo nuk do të thotë se njeriu është Hyj nga natyra, por se ai merr pjesë në jetën hyjnore. Siç thotë Shën Agustini: njerëzit quhen “zota,” sepse marrin Fjalën e Hyjit. Ai përdor Shkrimin Shenjt për të treguar se vetë termi “hyj” mund të përdoret për ata që marrin Fjalën e Hyjit. Nëse Shkrimi u jep këtë titull atyre që janë vetëm pjesëmarrës të Fjalës, sa më tepër i takon Atij që është vetë Fjala e përjetshme! Kjo na zbulon edhe dinjiteti i thirrjes sonë: ne nuk bëhemi Hyj nga natyra, por jemi të thirrur të marrim pjesë në jetën hyjnore me anë të hirit.

Vazhdon Jezusi bisedën me Judenjte duke ju thanë: Nëse nuk i bëj veprat e Atit tim, mos më besoni.  Por nëse i bëj, po edhe nëse nuk më besoni mua, besojuni veprave, që ta merrni vesh e ta kuptoni se Ati është në mua dhe unë në Atin”.

I fton të kuptojnë nga ajo që shohin. Sepse realisht, kush sheh Krishtin, sheh zemrën e Atit dhe krejt jeta e Jezusit është manifestim i plotë e dashurisë dhe i drejtësisë hyjnore. Në shërimin e të sëmurëve, në faljen e mëkateve dhe në sakrificën e Kryqit, ne shohim dashurinë e pafund që Ati ka për çdo njeri. Tamam siç ka thënë edhe Shën Teresa Avila: "Çdo veprim i Jezusit është një dritë që udhëheq shpirtin drejt bashkimit me Hyjin Atë."

Do të ishte një mrekulli e vërtetë nëse edhe jeta jonë si të krishterë ta manifestonte dashurinë dhe mirësinë e Atit. Prandaj mund të themi se Ungjilli i sotëm na vë përballë një zgjedhjeje: të marrim gurë apo të hapim zemrën; të mbrohemi me krenari apo të dorëzohemi në dritën e Fjalë së Jezusit.

 

O Jezus i dashur, Biri i Atit të përjetshëm, na ndihmo që, duke soditur veprat e Tua, zemrat tona të ndizen me zjarrin e dashurisë hyjnore. Bëj që edhe jeta e jonë të jetë reflektim i dashurisë dhe i mëshirës Sate në botë! Amen.