Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë Emri yt!
18 QERSHOR 2026
UNGJILLI I DITËS
“Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë Emri yt!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT- Mt 6, 7-15
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: E kur të luteni, mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja nëse thonë shumë fjalë. Mos bëni si ata, sepse Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t’i luteni. Prandaj lutuni kështu: Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë Emri yt! Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullneti yt si në qiell ashtu në tokë! Bukën tonë të përditshmen na e jep sot! Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë! E mos na lër të biem në tundim, por na shpëto nga i Keqi! Vërtet, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve; por, nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’jua falë juve gabimet tuaja.”
Ungjilli që sapo dëgjuam na çon në zemrën e jetës shpirtërore: tek lutja. Jo lutje si zakon, jo si formulë fjalësh, por lutja si marrëdhënie e gjallë me Atin. Jezusi sot, na mëson diçka shumë të thellë: “Kur të luteni, mos e teproni me fjalë të kota”. Ai na dhuron lutjen më të bukur, më të thjeshtë, më revolucionare: “Ati ynë”. Kjo lutje, para së gjithash, është lutja e vetë Jezusit. Dhe pikërisht përmes Tij, ne guxojmë ta quajmë Hyjin “Atë”. Kjo nuk është një e drejtë natyrore, por një dhuratë hiri. Ne jemi bij në Birin. Jezusi nuk na mëson të themi “Ati im”, por “Ati ynë”. Fjala “ynë” na nxjerr nga individualizmi shpirtëror dhe na fut në logjikën e bashkësisë. Nuk ka marrëdhënie të vërtetë me Atin pa marrëdhënie me të afërmin. Të thërrasim Zotin “Ati Ynë” do të thotë të pranojmë se jemi vëllezër, të lidhur në gëzim dhe në dhimbje, të krijuar e të mbrojtur nga e njëjta dashuri.
“Ati ynë që je në qiell,” nuk d.m.th. se Zoti është largët, diku në hapësirën e paarritshme. Qielli nuk është largësi gjeografike, por prani e shenjtë. Qielli është aty ku Zoti banon, dhe Zoti banon në thellësinë e shpirtit tonë. “U shenjtëroftë Emri yt!”, nuk do të thotë që emri i Zotit ka nevojë të bëhet më i shenjtë, por që jeta jonë të bëhet vend ku emri i Tij nderohet. Çdo zgjedhje, çdo fjalë, çdo vepër e jona ose e shenjtëron, ose e errëson emrin e Zotit në këtë botë. Pra ne i kërkojmë Atit që shenjtëria e Tij ta mbushë zemrën tonë dhe të reflektohet në mënyrën se si jetojmë. “Ardhtë Mbretëria jote!”. Mbretëria e Zotit është Prania e Krishtit që fillon të sundojë në brendësinë tonë: mbi mendimet tona, mbi dëshirat tona, mbi plagët e fshehura që askush tjetër nuk i sheh. Sa herë zgjedhim të falim në vend që të hakmerremi, sa herë zgjedhim të duam në vend që të mbyllemi, Mbretëria e Zotit është duke ardhur. “U bëftë vullneti yt si në qiell ashtu në tokë!” Qielli është vendi ku vullneti i Zotit kryhet plotësisht. Toka bëhet qiell kur shpirti i njeriut thotë: “Po, o Zot”. Jo për frikë, jo për detyrim, por për dashuri. Vullneti i Zotit është rruga më e sigurt drejt lirisë së brendshme dhe drejtë gazimit të plot për ne.
“Bukën tonë të përditshmen na e jep sot.” Ne nuk kërkojmë pasuri, por bukë. Jo për nesër, por për sot. Kjo na mëson besimin e përditshëm, varësinë e bijve ndaj Atit. Dhe kjo bukë nuk është vetëm ushqim material, por edhe buka e fjalës së Zotit, e Eukaristisë, e dashurisë, dhe e shpresës. “Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë.” Këtu lutja bëhet serioze dhe kërkuese. Falja ndaj të tjerëve nuk është një sugjerim i bukur moral, por kusht shpirtëror. Nuk mund të presim falje nga Ati, nëse zemra jonë mbetet e mbyllur ndaj vëllait. Sigurisht të falesh nuk do të thotë të harrosh dhimbjen dhe padrejtësitë, që kemi jetuar, por d.m.th. me marrë pjesë në logjikën e Kryqit. Është zgjedhje për të dashur edhe kur të dhemb.
Lutja Ati Ynë përfundon me një britmë shprese: “Mos na lër të biem në tundim, por na shpëto nga i Keqi!” Jezusi na mëson këtu një qëndrim vigjilent: nuk duhet të jemi të sigurt në forcat tona, por gjithmonë të qëndrojmë të zgjuar dhe të lutur. Sepse armiku i shpirtit nuk vepron me dhunë të hapur, por me joshje të buta që e largojnë njeriun nga e vërteta pak nga pak. Prandaj lutja Ati Ynë ka një forcë të madhe shpirtërore kundër së keqes, sepse vjen drejtpërdrejt nga Jezusi vetë.
Përfundon Jezusi duke thënë: Vërtet, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve. Jezusi nuk e vendos faljen si një këshillë, por si një ligj shpirtëror: ai që nuk fal, në të vërtetë e mbyll vetë derën e mëshirës së Hyjit. Kjo nuk d.m.th. se Hyji bëhet i ashpër, por zemra e njeriut që nuk fal e bën veten të paaftë për të pranuar faljen. Ungjilli i sotëm është një ftesë për liri të brendshme: ai që fal, çliron zemrën e vet nga zinxhirët e zemërimit dhe bëhet i aftë të marrë faljen e Hyjit. Dhe falja që japim të tjerëve bëhet vetë vendi ku ne përjetojmë faljen e Hyjit.
Kështu pra, lutja Ati Ynë është një shkollë e brendshme ku shpirti mëson të heshtë, të dojë dhe të banojë në praninë e Hyjit, derisa lutja të mos jetë më vetëm fjalë, por vetë jeta e bashkuar me Të.
O Atë i dashur, U shenjtëroftë Emri Yt në jetën time, ardhtë Mbretëria Jote në zemrën time dhe u bëftë vullneti Yt në çdo ditë të jetës sime. Amen.