Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë
18 Shkurt 2026
UNGJILLI I DITES
“Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT -Mt 6, 1-6. 16-18
“Ruajuni të mos i bëni veprat tuaja të mira në sy të njerëzve për t’u parë prej tyre! Përndryshe nuk do të keni farë shpërblimi te Ati juaj që është në qiell. Prandaj, kur të ndash lëmoshë, mos i bjer borisë para vetes, siç bëjnë shtiracakët në sinagoga dhe në rrugë të madhe për t’u nderuar prej njerëzve. Për të vërtetë po ju them: u ndanë me atë shpërblim! Ndërsa ti, kur të bësh lëmoshë, të mos dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë, e Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë.” “Kur të luteni, mos bëni si shtiracakët, të cilëve u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshe të rrugëve, që t’i shohin njerëzit. Përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! Ndërsa ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë. “Edhe kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! Ti, përkundrazi, kur të agjërosh, përeroje kokën tënde dhe laje fytyrën tënde, që të mos e vënë re njerëzit se po agjëron, por Ati yt, që është në fshehtësi. Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.”
Në Ungjillin e sotëm Jezusi flet për tre shtylla të jetës fetare hebraike: lëmoshën, lutjen, agjërimin. Jezusi bën një thirrje: Ruajuni të mos i bëni veprat tuaja të mira për t’u parë prej njerëzve! Sigurisht nuk është e keqe që njerëzit t’i shohin veprat tona të mira, por është keqe, që të bëjmë vepra të mira me qëllim që njerëzit të na shohin. Pra të jemi në kujdes të mos bëjmë vepra “të mira”, me një zemër që kërkon duartrokitje, pëlqime dhe lavdërime prej njerëzve. Me të vërtetë, kur njeriu kërkon sy që ta shohin, ai e zhvendos veprën e mire nga altari i Zotit në skenën e botës. Prandaj pyetja vendimtare nuk është: “A e panë njerëzit veprën e mirë që bëra?” por: “A e bëra këtë vepër për Zotin?” Fulton J. Sheen: Thoshte: “Është e mundur të bësh vepra të shenjta dhe të humbasësh shenjtërinë.” Lavdërimi njerëzor është i shpejtë, por i përkohshëm. Ai të lartëson sot dhe nesër të harron. Ndërsa ajo që bëhet në fshehtësi, qëndron në përjetësi.
Vazhdon Jezusi duke na thënë edhe: kur të bësh lëmoshë, të mos dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë e Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë.” Kjo mënyrë fshehtësie e bën veprën e pastër dhe të denjë për shpërblimin hyjnor. Në të kundërtën, kur ne bëjmë lëmoshë për të na parë njerëzit, shpërblimi ynë do të jetë shikimi i njerëzve. Kur tregojmë për lëmoshën që kemi bërë shpërblimi ynë do të jetë lavdia e njerëzve. Ndërsa kur na intereson që të mirën të cilën e bëjmë, ta di vetëm Zoti, atëherë do të kemi si shpërblim bekimin hyjnorë.
Po edhe “Kur të lutesh, - thotë Jezusi - hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi,. Kujdes! Kur lutja bëhet për t’u dukur para njerëzve, ajo nuk është bisedë me Zotin, por kthehet në monolog me vetën. Prandaj na mëson Jezusi: ku të lutësh hyr në dhomën tendë. D.m.th. hyr në zemrën tendë. Aty ku banon Zoti dhe aty ku të pret Zotit që të bisedosh me të. Dhe “derën” duhet ta mbyllim jo vetëm ndaj njerëzve, por edhe ndaj: mendimeve që na shpërqendrojnë, krenarisë sonë shpirtërore, dëshirës për t’u dukur më të mirë se të tjerët. Atëherë në dhomën e mbyllur ndodhë diçka e mrekullueshme: Aty, mendja pushon së kërkuari duartrokitje. Aty ne pushojmë së foluri dhe fillojmë të dëgjojmë. Aty lutja bëhet një bisedë miqësore me Atin. Në këtë mënyrë do ta kemi të sigurte shpërblimin që është bashkimi me Hyjin dhe përjetimin e dashurisë së Tij atërore.
Përfundon Ungjilli duke folur për agjërimin, ku kuptojmë se, nëse e bëjmë për t’u parë, e lavdëruar prej njerëzve, humbet fuqinë e vet shpirtërore. Shën Augustini e lidh agjërimin me dashurinë dhe thotë: “Çfarë fiton nga barku i zbrazët, nëse zemra mbetet plot me urrejtje?” Shenjti thekson se agjërimi i vërtetë shprehet në falje, pajtim dhe mëshirë. Më të vërtetë nëse nuk shndërrohet në dashuri konkrete, agjërimi humbet kuptimin e tij. Agjërimi është hapje ndaj Hyjit dhe ndaj të tjerëve.
O Atë i dashur, Ti që banon në fshehtësinë e zemrës, bëje jetën time një lutje të heshtur, një bamirësi pa zë, një agjërim që ushqen dashurinë, sepse Ti, sheh në fshehtësi, dhe shpërblimi Yt është vetë prania Jote në zemrën time. Amen.