Atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën!
15 QERSHOR 2026
UNGJILLI I DITES
“Atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT- Mt 5, 38-42
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: »Keni dëgjuar se qe thënë: 'Syrin për sy e dhembin për dhëmb'. Unë po ju them: Mos u kacafytni me të keqin, por atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe të tjetrën. Atij që do të qesë në gjyq për të marrë këmishën, jepja edhe mallotën. E nëse ndokush të shtrëngon të ecësh me të një milje, ti bëji dy; atij që të lyp, jepi, e atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën.«
Ungjilli i sotëm na vendos përballë një prej mësimeve më paradoksale të Jezusit.
Siç e dëgjuam, Ungjilli fillon me fjalët e Jezusit: "Keni dëgjuar se qe thënë: 'Syrin për sy e dhëmbin për dhëmb'." Në Besëlidhjen e Vjetër kjo normë kishte për qëllim të kufizonte hakmarrjen. Por Jezusi nuk erdhi vetëm të kufizonte të keqen; Ai erdhi të fitojë mbi të keqen. Është e vërtetë se njeriu natyrshëm dëshiron drejtësi, por Krishti sot na ofron diçka më të madhe: mëshirë. Drejtësia thotë: "Ti më bëre keq, prandaj do të paguash." Dashuria thotë: "Ti më bëre keq, por unë nuk do të lejoj që e keqja jote të më shndërrojë në një njeri të keq." E keqja ka një prirje të përhapet si zjarri. Kur urrejtja ndeshet me urrejtjen, krijohet një zinxhir që vazhdon pafund. Dhe dikush duhet ta ndërpresë atë zinxhir. Pikërisht këtë ka bërë Krishti në Kryq. “O Atë, fali, sepse nuk dinë ç ‘bëjnë.”
Prandaj Jezusi thotë edhe: Mos u kacafytni me të keqin, por atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe të tjetrën. Në të vërtetë, këto fjalë mund të kuptohen plotësisht vetëm në dritën e Kryqit, sepse aty zbulohet misteri më i thellë i dashurisë hyjnore. Sepse, nëse do ta dëgjonim këtë fjalë me mendësinë e botës, do të na dukej si dobësi. Bota na mëson të mbrohemi me çdo kusht, të kundërpërgjigjemi kur na lëndojnë, të kërkojmë gjithmonë të kemi të drejtë dhe të dalim fitimtarë mbi të tjerët. Jezusi, përkundrazi, na zbulon një rrugë tjetër: jo hakmarrjen, por faljen; jo dhunën, por butësinë; jo fitoren mbi tjetrin, por fitoren mbi të keqen me forcën e dashurisë. Kujdes! Jezusi nuk po na mëson të jemi të dobët, as të pranojmë padrejtësinë si diçka të mirë. Nuk po thotë se duhet të heshtim përballë së keqes. Ai po thotë diçka shumë më të thellë: Mos lejoni që e keqja e dikujt tjetër të hyjë në zemrën tuaj dhe të përcaktojë mënyrën se si jetoni ju. E sa herë na ndodh që: Dikush na flet ashpër dhe na prish gjithë ditën. Dikush na trajton padrejtësisht dhe zemra jonë mbushet me hidhërim. Dikush na lëndon dhe ne e mbajmë plagën për vite të tëra. Kështu personi që na ka lënduar vazhdon të ketë pushtet mbi ne. Por Jezusi nuk dëshiron që paqja e zemrës sonë të varet nga sjellja e të tjerëve.
Të kthesh faqen tjetër do të thotë të mos lejosh që e keqja e tjetrit të përcaktojë mënyrën se si do të jetosh ti. Realisht, i krishteri nuk është njeri që nuk ndjen dhimbje; por, me ndihmën e Krishtit, nuk lejon që dhimbja në zemrën e tij të shndërrohet në burim hidhërimi dhe urrejtjeje. Dhe sa herë që zgjedhim të falim në vend që të hakmerremi, të duam në vend që të urrejmë, ne bëhemi dëshmitarë të fitores së Krishtit mbi të keqen. Në Kryq dashuria tregoi se është më e fortë se urrejtja, falja më e fortë se mëkati dhe jeta më e fortë se vdekja. Prandaj i krishteri nuk është thjesht vetëm një njeri që duron; ai është një njeri që beson në fuqinë e dashurisë së Krishtit.
Vazhdon Jezusi: Atij që do të të qesë në gjyq për të të marrë këmishën, jepja edhe mallotën. Këtu Jezusi prek një tjetër plagë të zemrës njerëzore: lidhjen e zemrës me atë që zotërojmë. Shumë konflikte lindin sepse ne jemi të gatshëm të mbrojmë me çdo kusht atë që është “e imja”. Në të vërtetë, kur zemra është e mbushur me Hyjin, ajo nuk ka më nevojë të kapet me dëshpërim pas gjërave.
Tani kemi një nga përkufizimet më të bukura të dashurisë së krishterë. Jezusi thotë: E nëse ndokush të shtrëngon të ecësh me të një milje, ti bëji dy. Natyra e jonë njerëzore pyet: "Sa më duhet të bëj?" Dashuria pyet: "Çfarë tjetër mund të bëj?" Pikërisht këtu dallohet i krishteri i vërtetë: ai nuk kufizohet vetëm në atë që ka për detyrë, por, i frymëzuar nga dashuria e Krishtit, e bën veten dhuratë për Hyjin dhe dhuratë për njerëzit.
E në fund: Atij që të lyp, jepi, e atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën.
Në fakt, një nga frikat tona më të mëdha është se mos mbesim pa asgjë. Prandaj mbajmë për vete fort. Ruajmë. Llogarisim. Harrojmë se kur japim, ne bëhemi të ngjashëm me Hyjin. Sepse Hyji është dashuri që dhurohet pa pushim. Ati i jep gjithçka Birit. Biri i jep gjithçka Atit. Shpirti Shenjt është vetë kjo dhuratë dashurie. Prandaj bujaria nuk është humbje; është pjesëmarrje në jetën e Trinisë.
O Jezus, formoje zemrën tonë sipas zemrës Sate. Kur të lëndohemi, na jep hirin të falim; kur të sprovohemi, na jep forcën të mos e kthejmë të keqen me të keqe. Të lutem, mos lejo që zemra jonë të drejtohet nga sjelljet e të tjerëve, por çdo mendim, fjalë dhe vepër të burojë nga dashuria Jote. Amen.