Bëhuni të mëshirshëm sikurse Ati juaj është i mëshirshëm!
02 MARS 2026
UNGJILLI I DITËS
“Bëhuni të mëshirshëm sikurse Ati juaj është i mëshirshëm!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS LUKES- Lk 6, 36–38
Atëherë Jezusi u tha: “bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse (edhe) Ati juaj është i mëshirshëm.”
“Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni! Mos dënoni e nuk do të dënoheni! Falni e do të gjeni falje! Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet nën sqetullën tuaj: sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim.”
Jezusi nuk na thotë: bëhuni njerëz të mire, por: “Bëhuni të mëshirshëm sikurse Ati juaj është i mëshirshëm.” Ky rresht menjëherë na sjell në mendje njërën prej lumturive: Lum të mëshirëshumit: sepse do të gjejnë mëshirë!
Ati ynë qiellor nuk lodhet duke falur, nuk lodhet duke pritur kthimin e mëkatarit, nuk ndalet duke na dashur. Dhe asgjë nuk e bën njeriun më të ngjashëm me Hyjin Atë sesa mëshira. Mëshira është vula që tregon se jemi bij të Atit.
Të jesh i mëshirshëm do të thotë: Të mos mbash idhnim. Të mos ushqesh urrejtje. Të mos jetosh duke numëruar gabimet e tjetrit.
Vazhdon Ungjilli i sotëm të dashur dëgjues, na thërret të hyjmë në logjikën e mëshirës hyjnore duke na thënë edhe: Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni. Ne njerëzit, shpesh herë jemi të prirur të gjykojmë shpejt: Shohim një veprim dhe nxjerrim përfundimin. Shohim një gabim dhe vendosim etiketën. Shohim një rënie dhe harrojmë historinë e dhimbjes që mund ta ketë paraprirë. Realisht jo radhë ndodhë që kur njeriu nxiton t’i gjykoj të tjerët, bie vetë në të njëjtat mëkate. Përveç kësaj, ne, duke gjykuar tjetrin, vendosim veten në fronin e Zoti — vend që i përket vetëm Atij.
Pra të dashur dëgjues është në të mirën tonë t’i kujtojmë shpesh dobësitë tona dhe mëkatet tona, që të mos jemi tepër të shpejt as tepër të ashpër ne gjykim ndaj tjerëve. Në fund të jetës, ajo që do të peshojë më shumë, nuk do të jetë sa herë kemi pasur të drejtë kundër dikujt, por sa herë kemi dashur kur ishte e vështirë të duash. Shën Nënë Tereza ka thënë: “Nëse i gjykon njerëzit, nuk ke kohë t’i duash.” Të mos gjykosh nuk do të thotë të quash të mirën të keqe e të keqen të mire, por do të thotë të mos dënosh personin, por ta shohësh me mëshire.
Gjithashtu edhe thirrja: “Mos dënoni e nuk do të dënoheni, dhe falni e do të gjeni falje!” është: një ftesë për mëshirë dhe një rrugë për të marrë faljen nga Hyji. Kur i falim të tjerët, e përjetojmë faljen e Hyjit brenda vetes. Kur falim ne i hapim vetes derën e faljes së Hyjit dhe rrugën e shenjtërisë. Falja është zemra e krishterimit. Pa falje nuk ka paqe. Pa falje nuk ka familje të shëndoshë. Pa falje nuk ka bashkësi të bukur. Me të vërtetë zemra që nuk fal kthehet në burg.
Përfundon Ungjilli duke thënë: Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet nën sqetullën tuaj sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim.
Dashuria dhe falja që japim janë masa me të cilën Hyji na bekon. Nëse masën e dhurimit do ta kemi të vogël, e njëjtë do të jetë edhe masa me të cilën do të marrim.
Të dashur dëgjues, këto fjalë që Jezusi na thotë, nuk janë thjesht teori, por janë për jetën tonë familjare, për marrëdhëniet tona të përditshme, për vendin e punës, dhe për bashkësinë tonë.
O Atë i mëshirshëm, bëje zemrën time të ngjashme me zemrën Tënde; më mëso të dua pa gjykuar dhe të fal pa kushte. Më çliro nga fjala që dënon dhe nga mendimi që lëndon; më mbush me butësi e mirësi. Më jep duar që dhurojnë me gëzim dhe një shpirt që beson në premtimin Tënd: se me masën e dashurisë do të matet edhe jeta ime. Amen.