Bëni gjithçka t’ju thotë!

27 Prill 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Bëni gjithçka t’ju thotë!

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjn 2, 1-12

 

 Të tretën ditë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit.  Në dasmë ftuan edhe Jezusin e nxënësit e tij.  Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!”  [E] Jezusi i tha: “Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!”  Nëna e tij u tha shërbyesve: “Bëni gjithçka t’ju thotë!”  Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte dy apo tri masë.  Jezusi u tha shërbyesve: “Mbushni enët me ujë!” Ata i mbushën deri në grykë.  “Merrini tani ‑ u tha atëherë ‑ e çojani kryetarit të tryezës.” Ata ia çuan.  Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë ‑ e nuk e dinte nga vinte ‑ shërbyesit, që e kishin mbushur ujin, e dinin ‑ kryetari i tryezës e thirri dhëndrin  dhe i tha: “Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë e, kur t’i nxehë pija, sjell verë më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!”  Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të.  Pastaj zbriti në Kafarnaum me nënën e vet, me vëllezërit [e vet], e me nxënësit e vet. Aty nuk qëndruan shumë ditë.

 

Siç e dëgjuat, Ungjilli fillon kështu:  Të tretën ditë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit.  Në dasmë ftuan edhe Jezusin e nxënësit e tij.  Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!”

 Është një dasmë që në fillim shkon mirë, por gjërat shkojnë keq, sepse në mes të festës ndodh diçka dramatike: vera mbaron.

Në kuptimin shpirtëror për ne, vera që mungon është: gëzimi i brendshëm, kuptimi i jetës, dashuria e gjallë që shteron. Edhe Shën Augustini e sheh “verën” si gëzimin e dashurisë hyjnore. Kur ajo mbaron, zemra mbetet bosh, edhe në mes të festës së jetës. Në të vërtetë ka shumë festa që duken nga jashtë, por brenda janë pa gëzim. Martesa që duken të bukura, por pa dashuri. Të rinj që qeshin, por ndihen bosh. Besimtarë që bëjnë praktika fetare, por nuk ndjejnë më zjarrin e dashurisë hyjnore. Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!”. Maria sheh atë që të tjerët nuk e shohin. Maria sheh mungesën tonë shpirtërore, sheh dobësinë tonë, sheh etjen tonë për hirin hyjnor. Po, Maria njeh më mirë se ne nevojat tona, madje njeh edhe ato që ne nuk i shohim.

Maria nuk qëndron indiferente. Ajo ndërmjetëson te Jezusi. Ajo bën diçka shumë të thjeshtë dhe shumë të fuqishme. I thotë Jezusit: “Nuk kanë më verë.” Ajo nuk e zgjidh vetë problemin, por e çon te Jezusi. Ndersa ne kemi një zakon të keq: përpiqemi të rregullojmë gjithçka vetë. E mbajmë stresin, e mbajmë turpin, e mbajmë frikën. Maria nuk kërkon mrekulli drejtpërdrejt, nuk i thotë Jezusit se çfarë duhet të bëj, Ajo thjesht paraqet nevojën.

Përgjigjja e Jezusit duket e çuditshme: “Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!” Ju kujtoj se në Ungjilli e Gjonit “ora” e Jezusit është ora e Kryqit, por përmes Marisë, kjo orë fillon të zbulohet në atë moment. Edhe kur duket se “ora nuk ka ardhur”, ndërmjetësimi i Marisë hap rrugën që hiri të veprojë.

Atëherë Maria u thotë shërbëtorëve: “Bëni çfarë t’ju thotë Ai.” Këtu qëndron fuqia e Marisë: ajo nuk zë vendin e Krishtit, por na çon tek Ai. Në të vërtetë ky është thelbi i jetës së krishterë: të dëgjosh Jezusin dhe të bësh ashtu si Ai thotë. E gjithë historia e shenjtërisë është historia e njerëzve që i janë bindur kësaj fjale.

Vazhdon Ungjilli: Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Gjashtë enë përfaqësojnë  Ligjin e Vjetër, dhe përpjekjen njerëzore pa hirin hyjnor. Janë prej guri: të forta, të ftohta, të pandryshueshme dhe janë bosh. Tamam si zemra e njeriut pa hirin e Shpirtit Shenjt. Të rregullt nga jashtë, por bosh nga brenda.

Jezusi u tha shërbyesve: Mbushni enët me ujë! dhe ata i mbushën deri në grykë. Dëgjoni, të dashur dëgjues. Ka mbaruar vera dhe Jezusi urdhëron të mbushin enët me ujë!  A nuk është diçka pa kuptim kjo? Megjithatë shërbëtorët bëjnë siç ju thotë Jezusi. Dhe në atë moment pa zhurmë, pa spektakël, ndodh mrekullia. Uji bëhet verë. Dhe jo çfarëdo vere, por verë shumë e mirë. Një bindje e vogël ndaj Fjalës së Jezusit, hapi derën për një mrekullinë të madhe. Kuptohet pra të dashur dëgjues se Hiri i Hyjit kërkon bashkëpunimin tonë.

Por si? Përmes lutjes, sakrificës, besnikërisë në gjërat e vogla. Dhe mbi të gjitha: përmes dorëzimit në duart dhe në zemrën e Marisë. Këtu kemi edhe një tjetër detaj. Shihet se vetëm shërbëtorët e dinë çfarë ndodhi. Kjo është shumë domethënëse. Ata që shërbejnë janë ata që kuptojnë misterin dhe veprimin e Hyjit. Pastaj kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë, e thirri dhëndrin dhe i tha: “Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!  Kjo e përmbys logjikën njerëzore, ku zakonisht gjërat më të mira vijnë në fillim... Ndërsa me Jezusin, më e mira vjen në fund. Kjo është edhe një shpresë e madhe për të gjithë ne: jeta me Zotin nuk venitet, por thellohet. Dashuria nuk zbehet, por bëhet gjithnjë më e vërtetë dhe më e ëmbël.

Përfundon Ungjilli: “dhe nxënësit e tij besuan në të.” Ja, kjo është arsyeja pse në Ungjillin sipas Gjonit mrekullitë quhen “shenja”, sepse nuk janë qëllim në vetvete; ato çojnë drejt besimit dhe drejt një lidhjeje më të thellë me Krishtin.

Prandaj i dashur dëgjues thirre Marinë sepse:  I mbështetur Asaj nuk do të rrëzohesh; në mbrojtjen e Saj nuk do të kesh frikë asgjë; nën drejtimin e Saj nuk do të humbësh as s’do të lodhesh; e në sajë të ndërmjetësisë dhe meritave të Marisë do të mbërrish në portin e shpëtimit. (Shën Bernardi)

 

O Mari, paraqitja Jezusit mungesat tona të fshehta, plagët që nuk dimë t’i themi, etjen që nuk dimë ta shprehim dhe na mëso të bëjmë gjithçka që Ai na thotë. Amen.