Besoni në Atë që Ai e dërgoi
20 Prill 2026
UNGJILLI I DITËS
"Besoni në Atë që Ai e dërgoi.”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjn 6, 22-29
Të nesërmen, populli që kishte zënë vend matanë detit, pa se aty s’ishte veçse një lundër dhe se Jezusi nuk kishte hyrë në lundër bashkë me nxënësit e tij por nxënësit ishin nisur vetëm. Ndërkaq, prej Tiberiadit erdhën disa lundra afër vendit ku hëngrën bukë (pasi Zotëria falënderoi). Kur njerëzit panë se aty nuk ishte Jezusi as nxënësit e tij, hynë në lundra dhe kaluan në Kafarnaum për të kërkuar Jezusin.
Kur e gjetën në anën tjetër të detit, i thanë: “Rabbi, kur erdhe këtu?” Jezusi iu përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: më kërkoni, jo pse patë mrekullitë, por pse hëngrët nga ato bukë dhe u ngitë. Veproni, por jo për ushqim që prishet, por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme: atë do t’jua japë Biri i njeriut, sepse këtë e vulosi Ati‑Hyj. Atëherë ata i thanë: “Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji?” Jezusi iu përgjigj: “Vepra që Hyji kërkon është kjo: besoni në Atë që Ai e dërgoi.”
Ungjilli fillon duke treguar se njerëzit kërkojnë Jezusin. Ata kalojnë detin, ndryshojnë vend, bëjnë përpjekje për ta gjetur Jezusin. Kjo, në vetvete, është diçka e mirë. Por Jezusi shikon më thellë se veprimin e jashtëm. Ai sheh arsyen e brendshme pse e kërkojnë dhe u thotë: “Më kërkoni, jo pse patë shenjat, por pse hëngrët bukë dhe u ngitë.” Këtu zbulohet një e vërtetë shumë e rëndësishme për jetën tonë shpirtërore: Nuk mjafton vetëm ta kërkojmë Jezusin — duhet të pyesim veten pse po e kërkoj?! A e kërkojmë Jezusin që të na zgjidhë problemet? Që të na japë ndonjë bekim për nevojat tona? Apo e kërkojmë Jezusin, për atë që Ai është, kërkojmë Pranin e Tij? Etërit e Kishës thonë: “Ka nga ata që e kërkojnë Jezusin për dhuratat e Tij, jo për Vetë Atë. Por dishepulli i vërtetë kërkon Fjalën, sepse ajo ushqen shpirtin.”
Të dashur dëgjues, rreziku jone është, ta kerkojmë Jezusin vetëm për interesat tona, jo për një marrëdhënie të vërtetë me Të. Dhe ta duan Krishtin për hiret dhe bekimet që na i jep, jo për atë që Ai është. Kjo është një formë e rafinuar e egoizmit: Ne kërkojmë paqe, por jo Princin e Paqes. Kërkojmë kuptim, por jo të Vërtetën. Kërkojmë jetë, por jo Burimin e jetës. Prandaj ju thotë Jezusi: Veproni, por jo për ushqim që prishet, por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme: atë do t’jua japë Biri i njeriut, sepse këtë e vulosi Ati‑Hyj. Kujdes! Këtu Jezusi nuk po thotë të mos punojmë për jetën tonë fizike. Por Ai po flet për prioritetin e zemrës. Ekzistojnë dy lloje “ushqimi”:
Ushqimi që prishet i cili është: siguria e rreme, grumbullimi i gjërave materiale dhe të jetuarit vetëm për kënaqësitë e kësaj botë. Ndërsa “ushqim që qëndron për jetën e amshueshme është: Hiri, e vërteta, një marrëdhënie dashurie me Jezusin, Fjala e Tij, shërbimi me dashuri ndaj të tjerëve.
Kështu pra i dashur dëgjues, nuk mjafton të punosh vetëm për rrogën. Nuk mjafton të jetosh vetëm për rehatinë. Je i thirrur të bësh e ndërtosh, diçka që mbetet përjetë në zemrën e Zotit. Atëherë ta pyesim vetën: unë a po jetoj si dikush që beson në jetën e amshueshme, apo si dikush që jeton vetëm për këtë botë?
Vazhdon Ungjilli duke treguar se njerëzit i thanë Jezusit: “Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji?” Ata mendojnë për vepra, detyra, merita. Kjo është një mendësi shumë njerëzore: më thuaj çfarë të bëj, që ta fitoj këtë... Njeriu dëshiron një sistem: rregulla, praktika, merita. Por Jezusi jep një përgjigje tronditëse: “Vepra që Hyji kërkon është kjo: besoni në Atë që Ai e dërgoi.” Këtu ndodh një revolucion teologjik:
Nga bëj-që të shpëtosh - në beso dhe prano shpëtimin. Pra, jo një listë veprash. Jo një sistem rregullash. Por besim. Besim dhe pranim, sepse shpëtimi është dhuratë - jo meritë. Kur Jezusi thotë “besoni”, Ai nuk kërkon thjesht një përpjekje njerëzore. Ai po na fton të hapim zemrën ndaj hirit hyjnorë. Besimi është dhuratë. Por edhe përgjigje e njeriut. Është bashkëpunim mes hirit që na jepet dhe lirisë që na është dhënë.
Kuptohet qartë pra se Ungjilli i sotëm na thotë: Jo meritë, por hir. Jo vetëm vepra, por besim. Jo vetëm kërkim, por takim. Dhe mbi të gjitha: jo vetëm bukë — por Krishtin vetë.
O Zot Jezus Krisht, shpesh të kemi kërkuar për bukën që na jep, dhe jo për Ty që je Buka e Jetës. Të lutëm na çliro nga egoizmi ynë i fshehur. Na mëso të të duam jo për dhuratat e tua, por për atë që Ti je. Amen.