Biri i njeriut do të jetë në zemrën e tokës tri ditë e tri net!
20 KORRIK 2026
UNGJILLI I DITËS
“Biri i njeriut do të jetë në zemrën e tokës tri ditë e tri net!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT - (Mt 12, 38-42)
Në atë kohë, disa skribë e disa farisenj morën fjalën e i thanë Jezusit: "Mësues, prej teje duam të shohim një shenjë."Ai u përgjigj: "Breznia e mbrapshtë dhe lavire ç’shenjë kërkon! Shenjë tjetër s'do t'i jepet përveç shenjës së Jonës profet! Sikurse 'Jona qe në barkun e përbindshit të detit tri ditë e tri net,' ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë në zemrën e tokës tri ditë e tri net. Njerëzit e Ninivës do të ngriten Ditën e Gjyqit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse ata u kthyen në predikimin e Jonës. E ja, këtu diç më shumë se Jona! Mbretëresha e Jugut do të ngritet Ditën e Gjyqit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i botës për të dëgjuar urtinë e Salomonit, dhe ja, diç këtu më shumë se Salomoni!"
Ungjilli i sotëm na vendos përballë një pyetjeje shumë aktuale: Çfarë kërkojmë nga Zoti? A kërkojmë ta njohim Atë, apo vetëm të shohim mrekulli? Skribët dhe farisenjtë i afrohen Jezusit me një kërkesë që në pamje të parë duket legjitime: "Mësues, duam të shohim prej teje një shenjë." Por Jezusi e njeh zemrën e tyre. Ata nuk kërkojnë të besojnë; kërkojnë një provë që t'i përshtatet logjikës së tyre.
Në të vërtetë, Jezusi kishte bërë tashmë shumë mrekulli: kishte shëruar të sëmurët, kishte dëbuar djajtë, kishte falur mëkatet. Problemi nuk ishte mungesa e shenjave, por mbyllja e zemrës. Kur zemra nuk dëshiron të hapet ndaj Hyjit, as mrekullitë më të mëdha nuk mjaftojnë, për ta zbutë atë.
Shën Gjon Gojarti e komenton kështu këtë pjesë: "Ata nuk kërkonin të mësonin të vërtetën, por të gjenin rast për ta akuzuar Krishtin. Kush nuk beson nga dashuria për të vërtetën, nuk do të bindet as nga mrekullitë."
Sa herë edhe ne biem në të njëjtin tundim! Themi: " O Zot, nëse ma zgjidh këtë problem, atëherë do të besoj më shumë." Ose: "Nëse më jep një shenjë të qartë, atëherë do të të ndjek." Por besimi nuk lind nga detyrimi; ai lind nga takimi i zemrës me dashurinë e Hyjit.
Shenja e Jonës: është shenja e misterit të Kryqit dhe e Ringjalljes. Jezusi nuk refuzon të japë një shenjë. Ai premton "shenjën e Jonës." Ashtu si Jona qëndroi tri ditë në barkun e peshkut, kështu Biri i Njeriut do të qëndrojë tri ditë në zemrën e tokës. Kjo është zemra e fesë sonë: Kryqi dhe Ringjallja.
Mrekullia më e madhe nuk është shërimi i trupit, por fitorja mbi mëkatin dhe mbi vdekjen. Shenja më e madhe nuk është një fenomen i jashtëzakonshëm, por varri i zbrazët.
Shën Augustini shkruan: "Kryqi ishte gjykimi i botës; Ringjallja ishte triumfi i së vërtetës. Aty është shenja që u jepet të gjithë atyre që kërkojnë me zemër të sinqertë." Edhe sot Krishti vazhdon të na flasë përmes kësaj shenje. Çdo Eukaristi është kujtesa e Kryqit dhe prania e të Ringjallurit. Çdo rrëfim i sinqertë është një Ringjallje e vogël e zemrës.
Mbretëresha e Jugut dhe banorët e Ninivës: Jezusi sjell dy figura nga Besëlidhja e Vjetër. Mbretëresha e Jugut udhëtoi një rrugë të gjatë për të dëgjuar urtinë e Solomonit. Banorët e Ninivës u kthyen e bën pendesë falë predikimit të Jonës.
Por tani, para skribëve dhe farisenjve, qëndron Dikush më i madh se Solomoni dhe më i madh se Jona: vetë Krishti. Këtu Jezusi na mëson një të vërtetë të rëndësishme shpirtërore: përgjegjësia rritet me hirin që marrim. Sa më shumë e njohim Ungjillin, aq më shumë jemi të thirrur ta jetojmë atë.
Kështu: "Ninivasit besuan në një shërbëtor; judenjtë nuk besuan në Zotin. Prandaj dënimi i tyre është më i madh." Edhe neve na është dhënë shumë: Fjala e Hyjit, Sakramentet, mësimin e Kishës, dëshminë e shenjtërve. Pyetja nuk është sa dimë për Krishtin, por sa e lejojmë Atë të ndryshojë jetën tonë.
Në botën e sotme jemi të rrethuar nga kërkimi i së jashtëzakonshmes. Shumë njerëz ndjekin vizione, profeci, fenomene të pazakonta, ndërsa harrojnë mrekullinë e përditshme të pranisë së Zotit. Krishti na fton të mos jetojmë duke kërkuar vazhdimisht shenja të reja, por të mësojmë të lexojmë shenjat që Ai tashmë na ka dhënë: Fjalën e Tij, Kishën, Sakramentet, dashurinë e të afërmit, paqen që lind nga falja dhe praninë e Tij në Eukaristi.
Shën Gregori i Madh na kujton: Besimi i krishterë nuk është verbëri, por një besim që mbështetet mbi Personin e Krishtit. Ai që ka takuar Krishtin nuk jeton më duke kërkuar prova, por duke u bërë vetë shenjë e pranisë së Tij në botë.
Pyetje për reflektim personal
A e kërkoj Zotin me një zemër që dëshiron ta njohë, apo vetëm kur kam nevojë për ndonjë mrekulli ose zgjidhje?
Cilat janë shenjat konkrete të pranisë së Krishtit që kam përjetuar në jetën time dhe që ndoshta i kam lënë pas dore?
A është jeta ime një shenjë që i afron të tjerët te Krishti, apo një pengesë për ta njohur Atë?
O Zot Jezus, Ti nuk na le pa shenja, por na ke dhënë shenjën më të madhe: Kryqin dhe Ringjalljen Tënde. Hape zemrën tonë që të mos kërkojmë prova sipas dëshirave tona, por të të njohim në Fjalën Tënde, në Eukaristi dhe në jetën e përditshme. Na jep hirin e një besimi të fortë, të përulur e besnik, që edhe ne të bëhemi shenja e dashurisë dhe e shpresës sate për botën. Amen.