Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni
25 Shkurt 2026
UNGJILLI I DITËS
“Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS LUKES- Lk 11, 29-32
Pasi populli shkonte gjithnjë duke u bashkuar ai filloi të flasë: “Kjo brezni është brezni e keqe: po kërkon një shenjë! Porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës. Sikurse Jona u bë shenjë për ninivitët, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni. Mbretëresha e Jugut ditën e Gjyqit do të ngrihet bashkë me njerëzit e kësaj breznie dhe do t’i dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i dheut për të dëgjuar urtinë e Salomonit. Dhe, ja, këtu është Dikush më i madh se Salomoni! Njerëzit e Ninivës, ditën e Gjyqit, do të ngrihen bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse u kthyen me predikimin e Jonës, dhe, ja, këtu Dikush më i madh se Jona!”
Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm na përball me një realitet të thellë shpirtëror: njeriu që kërkon shenja, dhe Zoti që kërkon zemrën. Dëgjuam se ndërsa turma shtohen, Jezusi vendos t’ju shpallë të vërtetën mbi realitetin e tyre shpirtëror. Këtë e bën edhe nëpërmjet disa fjalëve që duken mjaft të forta: Ai thotë: “Kjo brezni është brezni e keqe: po kërkon një shenjë!
Sigurisht Jezusi nuk i qorton vetëm për faktin se ata kërkojnë shenja, sepse në historinë e shëlbimit Zoti ju ka folur dhe ka vepruar shpesh përmes shenjave. Besëlidhja e Vjetër është e mbushur me shenja që dëshmojnë kujdesin dhe praninë e Zotit mes popullit të vet. Në fakt, edhe Jezusi ka bërë mjaft shenja duke kryer shërime e lirime në popull. Pra problemi nuk është mungesa e shenjave, por fakti se ata nuk duan ta pranojnë thirrjen e Jezusit dhe të kthehen. Kur zemra është e mbyllur, asnjë shenjë nuk mjafton; kur zemra është e hapur, një fjalë e vetme e Zotit mjafton.
Prandaj vazhdon Jezusi duke thënë: Porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës. Kjo fjalë nuk është dënim, por zbulesë. Jezusi shpall se shenja e vetme që do t’u jepet është shenja e Jonës. Jona ka qenë dërgua në Ninivë për të thirrur në kthim një popull që ishte larg Zotit dhe ata e dëgjuan fjalën e tij, u përulën me agjërim, e hapen zemrën e tyre dhe pranuar fjalën që shpëton. Kështu Jona u bë shenjë jo përmes mrekullive të bujshme, por përmes thirrjes për pendesë. Ndërsa: breznia e Jezusit kishte përpara vetës Birin e Zotit, dhe nuk po e pranonin fjalën as thirrjen e Tij.
Sikurse Jona u bë shenjë për ninivitët, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni. Ashtu si Jona qëndroj në barkun e peshkut dhe doli pas tri ditësh, ashtu edhe Jezusi vdiq dhe u ngjall pas tri ditësh, duke u bërë shenja e shpëtimit. Kjo shenjë është dëshmia më e madhe e dashurisë dhe mëshirës, e cila na siguron shpëtimin. Kryqi është shenja që Zoti i jep botës. Kush nuk pranon shenjën e Kryqit, nuk do të bindet nga asnjë shenjë tjetër.
Përfundon Jezusi duke ju thënë: “Ja, këtu është Një më i madh se Jona.” Kjo fjali është zemra e Ungjillit të sotëm. Jezusi është “më i madh se Jona” sepse misioni i tij ka peshë universale: ai nuk shpëton vetëm një qytet, por ofron mundësinë e shpëtimit për të gjithë njerëzimin. Por Jezusi është më i madh, sepse ai është jo vetëm një profet, por vetë rruga, e vërteta dhe jeta.
O Zot Jezus, faleminderit për Kryqin, shenjën e dashurisë dhe të mëshirës Sate. Të lutem më ndihmo që zemra ime të njohë dhe të përqafojë thellësisht këtë shenjë. Amen!