Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por humb jetën?
07 GUSHT 2026
UNGJILLI I DITES
“Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por humb jetën?”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT - Mt 16, 24-28
Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje! Sepse, kush do ta ruajë jetën e vet, do ta bjerrë, kurse ai që e bjerr për shkak timin, do ta gjejë.
Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por humb jetën? E çka mund të japë njeriu si shkëmbim për jetën e vet? Do të vijë, për të vërtetë, Biri i njeriut në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e vet dhe atëherë do t’i paguajë të gjithë sipas veprave të tyre. Përnjëmend po ju them: Disa nga këta këtu të pranishëm nuk kanë për të vdekur derisa ta shohin Birin e njeriut duke ardhur me Mbretërinë e vet.”
Fillon Ungjilli me fjalët e Jezusit: “Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje.” Në këto fjalë e kuptojmë se Jezusi nuk e detyron askënd ta ndjekë Atë. Prandaj edhe thotë: “Nëse ndokush dëshiron.” Krishti kërkon ta ndjekim me zemër të lirë. Nëse duam ta ndjekim Krishtin, duhet të pranojmë kërkesën e Tij: të mohojmë vetveten, të marrim kryqin tonë dhe ta ndjekim Atë.
Le të ndalemi së pari te kërkesa e parë e Jezusit: “Le ta mohojë vetveten.” Kjo është porta e hyrjes në jetën e dishepullit dhe hapi i parë drejt lirisë së vërtetë. Kujdes! Nuk është mohim i dinjitetit, por çlirim nga gjithçka që na skllavëron dhe na largon nga Hyji. Është guximi për t’i thënë “jo” egoizmit, krenarisë dhe mëkatit, që zemra të jetë e lirë për ta dashur Hyjin mbi gjithçka dhe të afërmin si vetveten. Kur zemra nuk sillet më rreth vetes, por e vendos Krishtin në qendër të jetës, ajo çlirohet nga egoizmi, mbushet me dashurinë e Tij dhe bëhet e aftë ta jetojë Ungjillin me besnikëri dhe gëzim.
Nëse mohimi i vetvetes na çliron nga egoja, kërkesa e dytë na tregon rrugën që duhet të ndjekim: “Le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje.” Kryqi për të cilin na flet Jezusi nuk është diçka e jashtëzakonshme që duhet ta kërkojmë larg nesh; atë e gjejmë aty ku jetojmë: në detyrat e përditshme, në besnikërinë ndaj thirrjes sonë, në durimin me të metat e të tjerëve, në pranimin e dobësive tona, në punën e kryer me ndershmëri, në faljen e fyerjeve, në sakrificat e vogla që askush nuk i sheh. Kur e mbajmë kryqin vetëm, pesha e tij mund të na lodhë, të na shtypë e të na dërrmojë. Ndërsa kryqi, i jetuar në bashkim me Krishtin, bëhet mjet shëlbimi, rrugë shprese dhe burim bekimi.
Por Jezusi nuk ndalet vetëm te fjalët: “Merre kryqin tënd”; Ai shton menjëherë: “Eja pas meje.” Jezusi nuk na kërkon të mbartim vetëm peshën e jetës, por të hyjmë në gjurmët e Tij. Ai nuk na pret në fund të rrugës; është pranë nesh në çdo hap, duke na dhënë forcë, duke na ngritur kur biem dhe duke e shndërruar vuajtjen në bekim. Kështu, edhe detyrat e përditshme, sakrificat më të fshehta dhe kryqet më të vogla bëhen vend i takimit me Hyjin dhe rrugë shenjtërimi.
Krishti nuk na thërret të ecim në një udhë që Ai vetë nuk e ka përshkuar. Ai ka lënë gjurmët e Tij në rrugën e Kalvarit dhe, me dashurinë e Tij deri në fund, e shndërroi kryqin nga shenjë turpi e dënimi në fron të dashurisë, të jetës dhe të fitores. Me të, Krishti e mundi mëkatin dhe vdekjen; me të njëjtin kryq, dishepulli, i bashkuar me Krishtin, fiton mbi egoizmin, tundimet dhe fuqinë e së keqes.
Paradoksi i Ungjillit është ky: nuk e gjejmë jetën duke e ruajtur, por duke e dhuruar me besim. Prandaj, Shën Injaci i Lojolës, pasi e kishte kuptuar se jeta fitohet vetëm kur i dhurohet Krishtit, lutej me shpirt: “Merr, o Zot, dhe pranoje gjithë lirinë time, kujtesën time, mendjen time dhe gjithë vullnetin tim... Më jep vetëm dashurinë Tënde dhe hirin Tënd; kjo më mjafton.” Jezusi vazhdon me një pyetje që depërton deri në thellësinë e ndërgjegjes së njeriut: “Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por humb jetën? E çka mund të japë njeriu si shkëmbim për jetën e vet?”
Çdo fitim tokësor është i përkohshëm; vetëm shpirti ka vlerë të pafund. Asnjë pasuri nuk mund ta blejë, asnjë sukses nuk mund ta zëvendësojë dhe asnjë kënaqësi tokësore nuk mund ta mbushë. Njeriu mund të fitojë pasuri, famë, pushtet dhe admirimin e njerëzve, por nëse humbet miqësinë me Hyjin, mbetet shumë i varfër.
Shën Filip Neri ka thënë: “Ai që ka Krishtin ka gjithçka; ai që nuk ka Krishtin, edhe sikur të ketë gjithçka, nuk ka asgjë.” Sepse bota mund t’i mbushë duart e njeriut, por vetëm Zoti mund t’i mbushë zemrën. Prandaj Ungjilli na thotë: Mos e humb atë që është e përjetshme duke kërkuar gjëra që kalojnë.
Në fund, Ungjilli na siguron edhe se: Ai që ecën sot pas Krishtit të përvujtë, të kryqëzuar dhe të fshehur në sakramente, do të marrë pjesë nesër në lavdinë e Krishtit të ringjallur.
O Jezus, më mëso të të ndjek me një zemër të lirë dhe besnike. Më jep hirin të mohoj gjithçka që më largon prej Teje, të mbaj kryqin tim me dashuri dhe të ec gjurmëve të Tua, derisa të arrij lavdinë e Ringjalljes. Amen.