“Ç‘është kjo dije që iu dhurua?”

04 Shkurt 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Ç‘është kjo dije që iu dhurua?”

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MARKUT - Mk 6, 1-6.

 

Jezusi u nis prej andej e shkoi në vendin ku u rrit. E përcollën edhe nxënësit e tij.  Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë në sinagogë. Shumica e dëgjuesve çuditeshin e thoshin: “Nga i vijnë këtij këto?

Ç‘është kjo dije që iu dhurua? Po këto mrekulli të mëdha që bëhen nga duart e tij?  Po a nuk është ky zdrukthëtar, i biri i Marisë, vëllai i Jakobit, i Jozetit, i Judës, i Simonit? Po a nuk janë këtu ndër ne motrat e tij?”

Kështu u bë për ta arsye e mosbesimit në të.  Jezusi u tha: “Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.”  Dhe nuk mundi të bëjë aty asnjë mrekulli, përveç se shëroi disa të sëmurë duke vënë mbi ta duart.  E çuditej për mosbesimin e tyre.

 

Ungjilli i sotëm na ndal në Nazaret, vendi ku Jezusi kthehet tek të vetët, dhe pikërisht atje refuzohet. Dëgjuam se ata thonë: ‘Po a nuk është ky zdrukthëtar i biri i Marisë?’.

Kjo tregon rrezikun e njohjes sipërfaqësore: ata e njohin Jezusin si njeri të zakonshëm, punëtor të thjesht, dhe nuk lejojnë që drita e vërtetë të hyj në zemrën e tyre, prandaj as nuk e shohin Hyjin brenda Tij. Në këtë kuptim, Nazareti është një pasqyrë e zemrës sonë: sa shpesh mendojmë se e njohim Zotin, por nuk e lejojmë që Fjala e tij të na shndrisë për të kuptuar misterin e Zotit që vepron në thjeshtësi. Njerëzit e Nazaretit shohin njeriun, por humbin Hyjin.

“I biri i Marisë. Përmendja e Marisë pa Jozefin nuk është e pazakontë në kulturën hebraike (zakonisht përmendet i ati). Prandaj mund të besohet se kjo është një shenjë përçmimi. Kjo mënyrë e gjykimit bëhet për ta arsye e mosbesimit në të.

Papa Françesku thotë: “Nazareti është vendi ku mendojnë se i dinë të gjitha gjërat e Zotit dhe pikërisht aty Fjala nuk gjen hapësirë.” Po, të dashur dëgjues, kur mendojmë se e njohim Zotin plotësisht, atëherë zemra e jonë mbyllet dhe lehtë gjejmë arsye mos me besu. Besimi lind kur zemra hapet përballë misterit, për ketë arsye Fjala e Jezusit kërkon dëgjues të brendshëm. 

Vazhdon Ungjilli duke thënë se: Jezusi nuk mundi të bëjë aty asnjë mrekulli.  Pse? Sepse të dashur dëgjues Zoti e merr seriozisht lirinë tonë, edhe atëherë kur kjo liri thotë ‘jo’. Prandaj Jezusi “nuk mundi”: jo sepse ishte i pafuqishëm, por sepse dashuria nuk dhunon. Në lidhje me këtë Papa Benedikti XVI  ka thënë: “Dashuria e Hyjit është e gjithëpushtetshme, por ajo respekton lirinë e njeriut deri në fund”. Kështu kuptojmë se mrekullia: nuk është akt magjik, por bashkëpunim mes hirit dhe besimit.

 Nazareti nuk është vend ndëshkimi, por vend ku hiri nuk gjen bashkëpunim.

Përfundon Ungjilltari duke thënë: Jezusi çuditej për mosbesimin e tyre. Sigurisht kjo çudi nuk është mungesë dijeje, por dhimbje e dashurisë së refuzuar. Dhimbje sepse drita është aty, por zemra e tyre e refuzon dhe zgjedh errësirën.

         

O Zot Jezus eja në Nazaretin e zemrës sonë. Eja aty ku mendojmë se të njohim, por shpesh nuk të besojmë. Hape zemrën tonë ndaj misterit tënd, që hiri yt të gjejë bashkëpunim.

Të lutem eja Jezus e bëje zemrën tonë Nazaret të ri: vend dëgjimi dhe vend besimi. Amen.