Dëgjoni e merrni vesh mirë!

04 GUSHT 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Dëgjoni e merrni vesh mirë!

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT- (Mt 15, 1-3. 10-14)

 

 

Atëherë disa farisenj e skribë nga Jerusalemi iu afruan Jezusit e i thanë:  “Pse nxënësit e tu nuk i përfillin mësimet që na i lanë të parët? Sepse nuk i lajnë duart para se të hanë bukë!” Ai u përgjigj: “E ju pse e shkelni urdhrin e Hyjit për shkak të mësimit tuaj? Atëherë e grishi popullin t’i afrohej dhe i tha: “Dëgjoni e merrni vesh mirë! Njeriun nuk e bën të papastër ç’hyn në gojë, por ç’del nga goja ‑ ajo e bën njeriun të papastër!” Atëherë iu afruan nxënësit e i thanë: “A e di se farisenjtë, posa e dëgjuan këtë fjalë, u shkandulluan?”Jezusi u përgjigj: “Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qiellor do të nxirret me gjithë rrënjë. Hiquni tyre! Janë të verbër dhe prijës të verbërish. E kur i verbëri i prin të verbrit, të dy bien në gropë.”

         

Ungjilli që sapo dëgjuam nis me një pyetje që farisenjtë ia bëjnë Jezusit: “Pse nxënësit e tu nuk i përfillin mësimet që na i lanë të parët? Sepse nuk i lajnë duart para se të hanë bukë!” Farisenjtë tregonin një zell të madh për të mos shkelur traditat e të parëve, ndërsa harronin atë që kishte më shumë rëndësi: të pastronin zemrën nga lakmia, krenaria dhe zilia. Sigurisht, Jezusi nuk e dënon pastërtinë e jashtme, por hipokrizinë që kujdeset për dukjen dhe lë pas dore dashurinë, drejtësinë dhe mëshirën. Prandaj, Ai dëshiron t’u bëjë të kuptojnë se nuk është larja e duarve ajo që e bën njeriun të pastër, por pastërtia e zemrës. Sepse Hyji nuk kërkon duar të lara, por ndërgjegje të pastër. Pa dyshim, mësimet e të parëve janë një pasuri e çmuar kur na çojnë drejt Hyjit. Por, kur vendosen mbi Fjalën dhe urdhërimet e Tij, ato bëhen pengesë për një marrëdhënie personale dhe të vërtetë me Zotin. Dhe pikërisht për këtë arsye, Jezusi u përgjigjet: “E ju pse e shkelni urdhrin e Hyjit për shkak të mësimit tuaj?” Me këto fjalë, Jezusi zbulon rrezikun e një feje që kufizohet vetëm në praktika të jashtme, që kërkon të ruajë dukjen para njerëzve, por humbet jetën e brendshme dhe fuqinë shndërruese të Ungjillit. Besimi nuk matet nga besnikëria ndaj zakoneve të të parëve, por nga bindja ndaj vullnetit të Hyjit.

Pyetja për ne është: A kujdesemi më shumë për mënyrën se si dukemi para njerëzve, apo për pastërtinë e zemrës sonë para Hyjit?

Pasi ka dialoguar me farisenjtë, Jezusi i drejtohet mbarë popullit: “Dëgjoni e merrni vesh mirë!” Ai nuk thotë vetëm: “Dëgjoni”, por shton: “merrni vesh mirë”. Kjo nuk është vetëm një ftesë për të dëgjuar një mësim, por një thirrje për ta lejuar Fjalën e Hyjit të zbresë nga veshët në zemër, sepse vetëm atëherë ajo nuk mbetet një fjalë e dëgjuar, por bëhet jetë që na shndërron. Ky është dëgjimi i vërtetë që Krishti pret nga nxënësit e Tij. Dhe kjo është thirrja që Jezusi na drejton edhe neve sot, të dashur dëgjues: ta hapim zemrën tonë ndaj Fjalës së Tij, sepse vetëm një zemër që dëgjon me përvujtëri mund të pastrohet, të shndërrohet dhe të jetojë në dritën e Ungjillit.

Atëherë Jezusi u drejtohet atyre me këto fjalë: “Njeriun nuk e bën të papastër ç’hyn në gojë, por ç’del nga goja, ajo e bën njeriun të papastër!” Kjo ishte tronditëse për ata që e dëgjuan. Për shekuj me radhë, pastërtia rituale kishte pasur një vend të rëndësishëm në jetën fetare. Tani Jezusi na zbulon një të vërtetë shumë më të thellë: ekziston një pastërti shumë më e rëndësishme se ajo e jashtmja, por edhe një papastërti shumë më e rrezikshme, e cila buron nga zemra e njeriut. Pastërtia e vërtetë nuk matet me atë që hyn nga jashtë, por me atë që del nga zemra; sepse pikërisht aty gjendet burimi i së mirës, por edhe rreziku i së keqes. Nuk janë, pra, ushqimet ato që e ndotin njeriun, por krenaria, urrejtja, gënjeshtra, smira, gjykimi, fjalët që plagosin dhe një zemër që largohet nga Hyji. Gjuha është dëshmitarja e zemrës, sepse ajo nxjerr në dritë atë që njeriu mban të fshehur brenda vetes. Fjalët tona zbulojnë gjendjen e zemrës sonë. Tamam siç thoshte shenjtë Josemaría Escrivá: “Fjalët zbulojnë temperaturën e jetës së brendshme. Nëse zemra është e mbushur me Krishtin, fjalët tona do të bëhen burim paqeje, ngushëllimi dhe jete për ata që na dëgjojnë. Nëse zemra është e mbushur me zili, krenari apo zemërim, edhe fjalët do të lëndojnë e do të helmojnë.” Prandaj edhe Shën Agostini thotë: “Pastroje zemrën dhe gjithçka që del prej gojës do të jetë e pastër. “Nga kjo kuptojmë qartë se beteja shpirtërore nuk fitohet vetëm duke kontrolluar fjalët që flasim, por duke i lejuar hirit të Hyjit të prekë, të pastrojë dhe të shërojë thellësinë e zemrës sonë. Nëse burimi pastrohet, edhe uji që rrjedh prej tij do të jetë i pastër.

Vazhdon Jezusi: “Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qiellor do të nxirret me gjithë rrënjë.” Bima e mbjellë nga Ati është jeta që ka rrënjë në të vërtetën, në hirin dhe në dashurinë e Hyjit; ndërsa bima që nuk e ka mbjellë Ati, sado e bukur të duket nga jashtë, nuk mund të japë frytin e jetës. Zemra e njeriut është si një kopsht. Në të mund të rriten lulet e hirit dhe të dashurisë, por edhe barërat e këqija të krenarisë, zilisë, egoizmit dhe të mëkatit. Prandaj duhet ta lejojmë Hyjin që të heqë çdo rrënjë të keqe dhe të bëjë të lulëzojnë në ne frytet e hirit të Tij: dashurinë, paqen, mëshirën dhe shenjtërinë.

Përfundon Ungjilli me fjalët e Jezusit: “Janë të verbër dhe prijës të verbërish. E kur i verbëri i prin të verbrit, të dy bien në gropë.” Nga fjalët e Jezusit kuptojmë, të dashur dëgjues, se verbëria më e rrezikshme nuk është mungesa e shikimit fizik, por është të mendosh se sheh, ndërkohë që je larg prej të vërtetës. Njeriu bëhet i verbër kur nuk lejon më që Fjala e Hyjit ta shndrisë jetën e tij. Atëherë ai fillon të justifikojë çdo zgjedhje, të mbrojë çdo zakon dhe të mos e ndiejë më nevojën për dritën hyjnore. Njeriu që e pranon varfërinë e vet shpirtërore mund të ndriçohet nga Krishti; ndërsa ai që mendon se nuk ka nevojë për dritë mbetet në errësirë. Por ai që nuk e njeh errësirën e vet rrezikon t’i çojë edhe të tjerët në errësirë. Ungjilli na mëson se para se të udhëheqim të tjerët, duhet të lejojmë që Krishti të na shndrisë ne. Kur njeriu nuk e ka dritën e së vërtetës, ai i udhëheq të tjerët jo drejt Hyjit, por drejt vetvetes.

 

O Jezus, Dritë e zemrave tona, na jep një zemër të pastër e të përvujtë, që fjalët, mendimet dhe veprat tona të burojnë nga dashuria jote. Shkul nga zemrat tona çdo rrënjë mëkati dhe mbill në to farën e hirit tënd, që jeta jonë të japë frytet e paqes, dashurisë dhe mëshirës. Amen.