Delet e mia e dëgjojnë zërin tim.

28 Prill 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Delet e mia e dëgjojnë zërin tim.

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjoni 10, 22-30

 Në Jerusalem po festohej e kremtja e Kushtimit të Tempullit. Ishte dimër.  Jezusi ecte në Treme të Salomonit në Tempull.  Judenjtë e rrethuan dhe i thanë: “Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Mesia, na e thuaj haptas!”  Jezusi iu përgjigj: “Ju thashë e ju nuk më besoni. Veprat që unë bëj në Emër të Atit tim, ato bëjnë dëshmi për mua.  Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni prej deleve të mia.  Delet e mia e dëgjojnë zërin tim; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje.  Unë u jap jetën e pasosur, kurrë nuk do të sharrojnë: askush nuk do t’i rrëmbejë prej dorës sime.  Ati im që m’i dha, është më i madh se të gjithë dhe askush s’mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit.  Unë dhe Ati jemi një.”

 

Ungjilli fillon me një detaj që duket i vogël: “Ishte dimër.” Disa herë Shkrimi i Shenjtë përdor natyrën për të zbuluar gjendjen e shpirtit njerëzor. Sepse ka momente kur edhe ne jemi në “dimër”. Kur shpresa duket e ngrirë, kur lutja nuk të ngroh, kur Zoti duket i largët, dhe kur kemi pyetje dhe nuk marrim përgjigje. Dhe pikërisht në këtë kohë dimri… Jezusi është aty. Ai ecën edhe nëpër rrugët e ftohta të jetës sonë. Vazhdon Ungjilli se Judenjtë e rrethuan Jezusin. Ashtu si edhe ne shpesh e rrethojmë Jezusin: me pyetje, me dyshime, dhe me kërkesa. Ata i thonë Jezusit: “Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Mesia, na e thuaj haptas!” Kjo në fakt, tingëllon si një kërkesë e drejtë… por jo, sepse Judenjtë nuk kërkojnë që të besojnë; ata po kërkojnë një mundësi që ta gjykojnë Jezusin, sepse besimi nuk lind nga më shumë prova, por nga një hapje e brendshme ndaj hirit hyjnor.

E Jezusi iu përgjigj me një qetësi hyjnore: “Ju thashë e ju nuk më besoni. Veprat që unë bëj në Emër të Atit tim, ato bëjnë dëshmi për mua.” Krishti midis tyre ka folur dhe ka vepruar. Ka shëruar të sëmurët, fal mëkatarët, ringjall të vdekurit. Megjithatë Judenjtë nuk besojnë. Pse? Sepse mrekullia nuk është kurrë e mjaftueshme për një shpirt që ka vendosur të mos besojë.

Vazhdon Jezusi duke u thënë: “Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni prej deleve të mia. Delet e mia e dëgjojnë zërin; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje.” Nga kjo kuptohet se besimi është një çështje përkatësie. Të jesh “dele e Jezusit” pra do të thotë: të jesh i hapur ndaj të vërtetës, dhe të dëgjosh zërin e Tij. Por për ta dëgjuar këtë zë, duhet: heshtje, lutje, një zemër e hapur. Zëri i Jezusit është një zë që sjell paqe, jo konfuzion. Është një zë që thërret në dashuri, jo në urrejtje. Është një zë që të çon drejt së vërtetës, jo drejt mashtrimit. Është një zë që nuk të shtyn drejt errësirës, por drejt dritës. P.sh. një njeri është në konflikt dhe ndjen: një zë që thotë: “hakmerru” dhe një tjetër që thotë: “fal”. Cili është zëri i Krishtit? Gjithmonë ai që të çon drejt dashurisë edhe atëherë kur është e vështirë.

Zëri i Jezusit është aty kur lexon Shkrimin dhe diçka të prek. Kur ndërgjegjja të flet qartë. Kur ndjen një shtytje për të bërë të mirën. Sot jetojmë në një botë që flet shumë, poston shumë, komenton shumë. Por dëgjon pak. Dhe vetëm kush mëson të dëgjojë mund të njohë zërin e Jezusit dhe ta ndjekë Atë. Të ndjekësh Krishtin do të thotë të marrësh vendime sipas Ungjillit. Të zgjedhësh të vërtetën kur gënjeshtra është më e lehtë. Të falësh e të duash edhe kur është e vështirë. Ndjekja e Krishtit është një rrugë, jo një moment.

Jezusi thotë: “Unë i njoh…”. Kjo është një fjali që shëron. Në botë njeriu mund të ndihet i përbuzur, i pavlerësuar, dhe i harruar, por Jezusi thotë: “Unë të njoh.” Ai di çfarë ke jetuar në të kaluarën, çfarë të dhemb në shpirt, çfarë fsheh në zemrën tënde dhe përsëri të pranon. Kjo është dashuria hyjnore.

Jezusi premton: “Unë u jap jetën e pasosur.”

Këtu zbulohet dinjiteti i jashtëzakonshëm i njeriut: jemi të thirrur për jetën e përjetshme. Kjo nuk është vetëm për pas vdekjes. Jeta e pasosur është: paqe në zemër, dashuri që nuk mbaron, kuptim në vuajtje, shpresë që nuk shuhet, dritë që nuk fiket as në dimër. Një njeri pa Zotin mund të ketë gjithçka… dhe të jetë bosh. Një njeri me Zotin mund të ketë pak… dhe të jetë i plotë. Në një botë plot pasiguri, Krishti jep një premtim të jashtëzakonshëm: “Askush nuk do t’i rrëmbejë prej dorës sime dhe askush s’mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit.” Kjo është një nga imazhet më ngushëlluese të Ungjillit. Ne jemi: në dorën e Jezusit dhe në dorën e Atit. Në një botë plot pasiguri: marrëdhënie që thyhen, plane që dështojnë, frikë për të ardhmen, Krishti thotë: “Ti je në dorën time dhe asgjë nuk mund të të ndajë nga dashuria ime.” Sa e ëmbël kjo siguri! Kjo nuk do të thotë se nuk do të vuash, por do të thotë se edhe kur kemi frikë, edhe kur rrëzohemi, madje edhe kur gabojmë, Ai nuk na lëshon prej dorës së Vet.

Ungjilli përfundon me fjalët e Jezusit: “Unë dhe Ati jemi një.” Ky është: unitet në natyrë, unitet në vullnet, unitet në dashuri. Kjo do të thotë: të njohësh Krishtin është të njohësh Atin. Të dëgjosh Krishtin është të dëgjosh Atin. Të jesh në duart e Jezusit, je në duart e Atit.

Pyetja është: “A jam unë një nga delet e Jezusit?” A e dëgjoj zërin e Tij? A e ndjek Atë? A besoj në Jezusin?

 

O Zot Jezus, më jep një zemër të hapur për të vërtetën Tënde dhe më mëso të dalloj zërin Tënd mes zërave të kësaj bote. Më jep guxim të të ndjek, edhe kur rruga është e vështirë. Më mbaj në dorën Tënde, dhe mos lejo që të largohem prej Teje. Amen.