Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve.
25 Prill 2026
UNGJILLI I DITËS
“Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve.”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MARKUT -Mk 16, 15-20
Dhe u tha: “Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve. Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë, do të dënohet. Shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë, janë këto: në emër tim do t’i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja; [në duar] do t’i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pijnë ndonjë gjë që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq. Do t’i vënë duart mbi të sëmurët e këta do të shërohen.” Zotëria [Jezusi], pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit. Kurse ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte Fjalën me mrekulli që e përcillnin.
Të dashur dëgjues, fjala që dëgjuam sot fillon me një folje që nuk toleron rehati: “Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve.” Feja e krishterë në thelb është misionare. Ajo është si një zjarr – nëse nuk përhapet, shuhet. Në të vërtetë, Zoti ynë nuk është një Zot i mureve, por i rrugëve. Nuk është një Zot i sakristive të mbyllura, por i shesheve të hapura. Nuk është një Zot që pret njerëzit të vijnë, por që i dërgon dishepujt të shkojnë tek ata. Kisha nuk është një port i sigurt ku strehohemi nga stuhitë, por një anije që del në det për të kërkuar ata që po mbyten. Sigurisht, të predikosh nuk do të thotë vetëm të flasësh me fjalë. Do të thotë: të jetosh Ungjillin, të reflektosh dashurinë e Krishtit, të jesh dëshmi e gjallë. Bota nuk ka nevojë për shumë fjalë, por për dëshmitarë të vërtetë.
Jezusi thotë: Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet. Le ta kuptojmë mirë këtë fjalë: besimi nuk është një formular për t’u plotësuar. Besimi është një takim, një miqësi e thellë, një histori dashurie me Zotin. Dhe pastaj vjen fjala e fortë: Kush s’do të besojë, do të dënohet. Por kujdes: kjo nuk është një kërcënim, as nuk do të thotë se Zoti na dënon, por është njeriu që, duke mbyllur zemrën ndaj dashurisë, e mbyll vetën në vetminë e tij. Hyji na ka krijuar të lirë. Kjo do të thotë se mund të pranojmë, por edhe mund të refuzojmë Zotin. Shëlbimi është një dhuratë që duhet pranuar me besim.
Atëherë Jezusi përmend disa shenja që do t’i shoqërojnë besimtarët: do të dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja, do të shërojnë të sëmurët. Këto nuk janë vetëm mrekulli të jashtme. Këto shenja kanë edhe një kuptim të thellë shpirtëror. Don Tonino Bello thotë: “Do të dëbojnë djajtë”- sot do të thotë: të dëbosh padrejtësinë, të luftosh indiferencën, të çlirohesh nga mëkati dhe të mos pajtohesh me të keqen. “Do të flasin gjuhë të reja”. Do të thotë: të flasësh gjuhën e dashurisë, të faljes dhe gjuhën e paqes e të shpresës. Pra, të mos përdorësh më fjalë që vrasin e plagosin, por fjalë që shërojnë e ndërtojnë. “Do të shërojnë të sëmurët”. Jo vetëm fizikisht, por, të shërosh zemrat e thyera, të japësh shpresë aty ku gjithçka duket e humbur, të prekësh plagët e të tjerëve me dhembshuri. Mrekullia më e madhe nuk është një trup i shëruar, por një zemër që rifillon të besojë.
Vazhdon Ungjilli: Jezusi u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit. Në pamje të parë duket sikur Ai u largua. Por në të vërtetë ka ndodhur e kundërta. Ai nuk u largua për të qenë më pak i pranishëm, por për të qenë i pranishëm në çdo zemër që beson, i pranishëm në çdo sakrament, i pranishëm në Kishën e Tij. Krishti nuk është një figurë historike e së kaluarës. Ai është një Person i gjallë sot. Përfundon Ungjilli me një fjali shumë të bukur: Zoti bashkëpunonte me ta. Kjo fjalë shpreh misterin e bashkëveprimit ndërmjet hirit hyjnor dhe lirisë njerëzore: Hyji është gjithmonë i pari që vepron, por e përfshin njeriun si bashkëpunëtor në veprën e Tij. Prandaj, çdo e mirë është fryt i hirit që vepron në ne, duke na thirrur në një jetë përvujtërie dhe besimi: përvujtërie, sepse gjithçka është dhuratë; dhe shprese, sepse Hyji vepron edhe në dobësinë tonë. Kështu Jezusi me këtë fjalë na jep një siguri të madhe: nuk jemi vetëm, nuk jemi të braktisur, nuk jemi të pafuqishëm.
Përfundoj, të dashur dëgjues, duke thënë: ky Ungjill nuk është për “dikë tjetër”. Është për mua dhe për ty. Sot Zoti na thotë: dil nga frika jote. Dil nga komoditeti yt. Dil nga heshtja jote. Dhe fillo: në familjen tënde, në punën tënde, në rrethin tënd. Zoti nuk na kërkon të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme. Ai na kërkon: të jemi të vërtetë, të thjeshtë, të jemi të guximshëm dhe të dashur.
O Shën Mark, ti që me përkushtim shpalle Fjalën e Zotit dhe i solle botës Ungjillin e Jezu Krishtit, ndërmjetëso për ne pranë Hyjit, që zemrat tona të jenë të hapura ndaj së vërtetës dhe jeta jonë të jetë dëshmi e dashurisë së Tij. Amen.