Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin!
11 PRILL 2026
UNGJILLI I DITËS
“Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT - Mk 16, 9-15
Si u ngjall, pra, Jezusi, herët në mëngjes, të parën ditë të javës, më së pari iu dëftua Marisë Magdalenë, prej së cilës pati dëbuar shtatë shpirtra të ndytë. Ajo shkoi e u tregoi atyre që kishin qenë me të, që tani ishin në zi dhe e qanin. Kur ata dëgjuan se është gjallë dhe se kjo e kishte parë, nuk i besuan. Pastaj Jezusi iu dëftua në një trajtë tjetër, udhës, dy prej nxënësve që po shkonin në fshat. Ata u kthyen e u treguan të tjerëve. As këtyre nuk u besuan. Në fund iu dëftua të Njëmbëdhjetëve ndërkohë që po ndodheshin në tryezë. I qortoi për pabesimin e tyre dhe për ngurtësinë e zemrës, pse s’u besuan atyre që e kishin parë të ngjallur prej së vdekuri. Dhe u tha: “Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve.
Dëgjuam se Jezusi, herët në mëngjes, të parën ditë të javës, më së pari iu dëftua Marisë Magdalenë, prej së cilës pati dëbuar shtatë shpirtra të ndytë. Maria, pra ishte një grua me një të kaluar të plagosur.
Sipas Ungjillit të Gjonit, Maria Magdalenë është personi i parë që e sheh Jezusin e ringjallur. Në lidhje me këtë fakt, Shën Gregori i Madh thekson se Maria Magdalenë ishte ajo që e kërkoi Jezusin me më shumë këmbëngulje dhe më shumë dashuri, edhe kur të tjerët u larguan nga varri. Për këtë arsye, ajo meriton të jetë e para që e sheh. Dashuria e zjarrtë dhe kërkimi i vazhdueshëm e bëjnë atë të denjë për këtë zbulim. Ndërsa Kardinali Raniero Cantalamessa e përshkruan Marinë Magdalenë si figurën e dashurisë më të pastër dhe më këmbëngulëse ndaj Jezusit. Ajo nuk largohet nga kryqi, ajo shkon te varri herët, ajo qëndron duke qarë dhe duke kërkuar. Sipas tij, kjo është arsyeja pse ajo e sheh e para Jezusin e ringjallur: dashuria e saj është më e fortë se frika dhe dyshimi. Pasi Jezusi i shfaqet, Maria Magdalenë merr misionin nga Krishti për ta shpallur lajmin e ringjalljes, por paradoksi është se dëshmia e saj nuk besohet.
Pastaj Jezusi iu dëftua, gjatë udhës për në Emaus, dy prej nxënësve. Por as këtyre nuk u besuan. Nxënësit, kur dëgjojnë lajmin e Ringjalljes, nuk besojnë. Ata janë të mbyllur në dhimbjen dhe në trishtimin e tyre.
Por, të dashur dëgjues, kjo nuk është vetëm historia e tyre; është edhe historia jonë: kur jemi të zhgënjyer e të thyer, të shpresojmë na duket e rrezikshme. Ndonjëherë nuk besojmë sepse kemi frikë të besojmë përsëri. Pavarësisht vështirësisë për të besuar, Jezusi nuk i braktis nxënësit e vet. Siç thoshte Papa Françesku: Zoti nuk lodhet duke na kërkuar. Ai hyn edhe në dyshimet tona.
Jezusi u shfaqet përsëri atyre që nuk besuan. U shfaqet, e i qorton. Sigurisht se kur Jezusi i qorton për “ngurtësinë e zemrës”, nuk është duke i dënuar, por është duke i thirrur që të dalin prej trishtimit dhe të hapin zemrën ndaj hirit. Në fakt, edhe në jetën tonë, ngurtësia e zemrës shfaqet kur themi: “Nuk dua të shpresoj më”, “Nuk dua të lëndohem përsëri”. Pikërisht këtu Jezusi ndërhyn, sepse Ai nuk do që ne të mbetemi të mbyllur në plagët dhe zhgënjimet tona.
Pas gjithë kësaj historie mosbesimi, ndodh diçka e jashtëzakonshme: Jezusi u beson pikërisht atyre misionin më të madh. Ai u tha: “Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve”. Ata që nuk besuan tani bëhen ata që do të predikojnë besimin. Zoti nuk pret që ne të jemi të përsosur për të na dërguar, Ai pret që ne të jemi të gatshëm për të shkuar.
Ungjilli sot të dashur dëgjuese na thotë se Ringjallja nuk është vetëm një fakt historik që duhet besuar, por është një realitet që duhet përjetuar në shpirt. Çdo besimtar është i thirrur të kalojë të njëjtën rrugë: nga errësira në dritë, nga dyshimi në fe, nga takimi në mision.
O Zot Jezus, Ti që iu dëftove Marisë Magdalenë sepse ajo të kërkoi me dashuri të madhe, më jep edhe mua një zemër që të kërkon pa u lodhur. Mos lejo që të largohem nga Ti në çastet e errësirës, por bëj që, edhe në lotët e dyshimit, të qëndroj pranë teje, që një ditë, si Maria Magdalenë, të gëzohem në praninë tënde të gjallë. Amen.