Do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi i botës!

27 KORRIK 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi i botës!

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT - Mt 13,31-35

Në atë kohë, Jezusi u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër: "Mbretëria e qiellit është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në arën e vet. Ajo është, pa dyshim, më e Vogla ndër të gjitha farërat, por kur rritet, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet, zhvillo­het në lëndë, sa që shpendët e qiellit vijnë e bëjnë çerdhe në degë të tij."U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: "Mbretëria e qiellit i përngjan tharmit që e merr gruaja dhe e përzien me tri masë miell derisa të mbruhet të gjithë."Të gjitha këto Jezusi ia tha popullit në shëmbëlltyra dhe asgjë nuk i thoshte pa shëmbëlltyra që të plotësohej fjala e profetit: 'Do të flas në shëmbëlltyra, do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi i botës!'

Në këtë pjesë të Ungjillit, Jezusi na flet për Mbretërinë e Hyjit përmes dy shëmbëlltyrave shumë të thjeshta: kokrrës së sinapit dhe tharmit. Ai nuk zgjedh shembuj madhështorë apo të jashtëzakonshëm, por gjëra të zakonshme, të cilat çdo njeri i njihte. Kjo na kujton se Hyji vepron shpesh në heshtje, në gjërat e vogla dhe në zemrën e përulur.

Kokrra e sinapit është fara më e vogël, por bëhet një pemë ku zogjtë gjejnë strehë. Edhe jeta e fesë fillon me hapa të vegjël. Një lutje e bërë me zemër, një fjalë e mirë, një falje e sinqertë, një vepër dashurie mund të duken të parëndësishme, por që, në duart e Hyjit, ato bëhen burim bekimi për shumë njerëz.

Jezusi i zgjedh këto shëmbëlltyra për të na mësuar të mos e përçmojmë fillimin e vogël të veprimit të Hyjit. Ajo që duket e dobët sipas syve të botës, me hirin e Zotit bëhet e fortë dhe jep fryte të shumta. Edhe Kisha filloi me një grup të vogël nxënësish, por Ungjilli u përhap në mbarë botën.

Edhe në jetën tonë shpesh dëshirojmë rezultate të menjëhershme. Mërzitemi kur nuk shohim ndryshime të shpejta në familje, në punë ose në jetën shpirtërore. Jezusi na fton të kemi durim. Hyji punon sipas kohës së Tij. Ai nuk e nxiton rritjen, por e shoqëron me dashuri.

Shëmbëlltyra e dytë flet për tharmin. Një sasi shumë e vogël arrin të fryjë të gjithë brumin. Tharmi nuk duket, por vepron nga brenda. Kështu vepron edhe hiri i Hyjit në zemrën tonë. Shpesh nuk e ndiejmë menjëherë ndryshimin, por nëse e lejojmë Fjalën e Zotit të veprojë në jetën tonë, ajo fillon ta shndërrojë mënyrën tonë të menduarit, të folurit dhe të vepruarit.

Shën Augustini thotë se dashuria është si tharmi: kur hyn në zemrën e njeriut, ajo nuk mbetet e mbyllur, por e ndryshon krejt jetën. Njeriu që takon Krishtin nuk mund të mbetet i njëjti. Ai fillon të jetojë me më shumë paqe, më shumë falje dhe më shumë shpresë.

Edhe sot Jezusi vazhdon të mbjellë farën e Mbretërisë në zemrën tonë. Pyetja nuk është nëse fara ka fuqi të rritet, por nëse ne i japim tokë të mirë. Ai vazhdon të vendosë tharmin e hirit të Tij në jetën tonë, por a e lejomë ne lejojmë që ky hir të na shndërrojë zemren?

Bota ka nevojë për të krishterë që nuk kërkojnë domosdoshmërisht të bëjnë gjëra të mëdha, por që janë besnikë në gjërat e vogla. Një familje që lutet së bashku, një prind që edukon me dashuri, një i ri që zgjedh ndershmërinë, një njeri që fal dhe pajton – këto janë farat e Mbretërisë që Hyji i bën të rriten në kohën e duhur.

Pyetje për reflektim

Cila është “kokrra e vogël e sinapit” që Zoti po më fton që ta mbjell sot në jetën time?

A po i jap hapësirë hirit të Hyjit që të më shndërrojë nga brenda, si tharmi që fryn brumin?

A e humbas shpresën kur nuk shoh menjëherë frytet e së mirës, apo besoj se Hyji vepron edhe në heshtje?

 

O Jezus, Ti që mbjell farën e Mbretërisë në zemrat tona, na jep një besim të thjeshtë e të qëndrueshëm. Na mëso të mos përçmojmë gjërat e vogla, por t’i jetojmë me dashuri dhe besnikëri. Bëje Fjalën tënde tharm që e shndërron zemrën tonë, familjet tona dhe bashkësitë tona. Na jep durim për të pritur frytet e hirit Tënd dhe guxim për të qenë dëshmitarë të Ungjillit në jetën e përditshme. Le të rritet në ne Mbretëria Jote, që edhe të tjerët të gjejnë paqe, shpresë dhe strehë pranë Teje. Amen.