Dua të fal, sepse jam i falur!

13 GUSHT 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Dua të fal, sepse jam i falur!

 

KOMENT I UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT - Mt 18, 21-19, 1

 

Ungjilli i sotëm nxjerr në pah një aspekt të rëndësishëm të dashurisë së krishterë: faljen. Edhe hebrenjtë e Besëlidhjes së Vjetër e njihnin detyrën e faljes. Pyetja ishte: sa herë duhej falur i afërmi? Prandaj Pjetri e pyet Jezusin: “Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?” Jezusi iu përgjigj: “Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!” Përmes kësaj përgjigjeje, Jezusi na mëson të falim gjithmonë, sepse kështu vepron Hyji me secilin prej nesh: Ati na fal gjithmonë. Prandaj nuk mund të themi: “Këtë person e kam falur mjaft; tani nuk mundem më”. I krishteri është thirrur të jetë njeri i mëshirës, jo i llogarive.

Për ta bërë më të kuptueshëm mësimin e vet, Jezusi tregon shëmbëlltyrën e dy borxhlinjve. Ai thotë: “Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. Kur filloi të bëjë llogari, i sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talente. E, pasi nuk kishte t’ia kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ Zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi dhe ia fali detyrimin.” Dhjetë mijë talente paraqesin një borxh të pamundur për t’u shlyer: një borxh aq të madh sa njeriu, me forcat e veta, nuk mund ta përballojë kurrë. Përballë kësaj pamundësie, mbetet vetëm një rrugë: të kërkojë mëshirën e zotërisë. Atëherë zotëria, i prekur nga dhembshuria, ia fal plotësisht borxhin. Kjo është edhe historia jonë: Jezusi, Biri i Atit, mbi Kryq pagoi borxhin e mëkatit që ne, me forcat tona, nuk mund ta shlyenim kurrë dhe na hapi rrugën e pajtimit me Hyjin. Por Ungjilli tregon se: pikërisht ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të tij, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti në fyt duke i thënë: “Ma kthe detyrimin!” Atëherë shoku i tij i ra ndër këmbë dhe iu lut: “Ki durim me mua dhe do t’i kthej.” Por ai nuk deshi; shkoi dhe e futi në burg derisa të kthente detyrimin. Kur shërbëtorët e tjerë, shokët e tij, panë se ç‘ndodhi, u pikëlluan së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ndodhi. Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: “Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse mu lute. A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?” Dëgjoni, të dashur dëgjues: Jezusi nuk e quan “shërbëtor të keq” për shkak të borxhit të madh që kishte ndaj zotërisë së vet, por sepse zemra e tij mbeti e mbyllur ndaj mëshirës. Atij iu fal një borxh i pallogaritshëm, ndërsa ai nuk pranoi t’ia falte të afërmit një borxh krejt të vogël. Kështu ndodh edhe me ne: Jezusi nuk na quan shërbëtorë të këqij pse kemi mëkatuar, sepse Hyji, në mëshirën e Tij të pafund, na fal sa herë kthehemi tek Ai me zemër të penduar. Por kur, pasi kemi marrë faljen e Tij, vazhdojmë të mbajmë në zemër hidhërime, urrejtje, gjykime dhe nuk pranojmë ta falim të afërmin, atëherë zemra jonë mbyllet ndaj mëshirës. Kush ka përjetuar mëshirën e Hyjit, nuk mund ta mohojë atë ndaj vëllait. Falja që marrim nga Hyji nuk mund të mbetet e mbyllur në zemrën tonë; ajo duhet të bëhet falje për vëllezërit tanë.

Pastaj Jezusi na zbulon pasojat e një zemre që, pasi ka përjetuar mëshirën e Hyjit, refuzon të falë të afërmin: “Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthente tërë detyrimin.” Kjo është drejtësia e shenjtë e Hyjit përballë padrejtësisë së zemrës së shërbëtorit të pamëshirshëm. Por këtu lind një pyetje e rëndësishme: kush janë këta “torturues” për të cilët flet Jezusi? Torturuesit më të mëdhenj nuk gjenden jashtë nesh, por në thellësinë e zemrës sonë: hidhërimi që nuk shërohet, zemërimi që nuk falet dhe sidomos urrejtja, e cila bëhet një torturuese e pamëshirshme. Ajo e mban njeriun të lidhur me plagën e vet dhe bëhet një derë e hapur për veprimin e djallit. Kur nuk falim, zemra jonë humbet edhe dhuratën e madhe të lirisë që Krishti na ka dhuruar, sepse do të mbetemi të lidhur me zinxhirët e zemërimit, hidhërimit dhe urrejtjes. Prandaj, të falësh është sikur të lirosh një të burgosur nga burgu dhe pastaj ta kuptosh se ky i burgosur ishe ti.

Po, të dashur dëgjues, kush refuzon të falë, herët a vonë do të përfundojë viktimë e mos faljes, sepse do të mbyllet në një botë vuajtjesh shumë të mëdha. Për këtë arsye, mos falja është dënimi më i rëndë që mund t’ia bëjmë vetvetes. Mos falja është si të pish helm duke pritur që tjetri të vdesë. Me të vërtetë disa plagë që na kanë shkaktuar të tjerët janë shumë të dhimbshme dhe të vështira për t’u mbajtur. Por është po aq e vërtetë se falja është rruga e vetme që na lehtëson peshën e dhimbjes, na zbut plagët e zemrës dhe na sjell paqe në zemër, liri në shpirt dhe hap një rrugë drejt shërimit të brendshëm.

Sigurisht, të falësh nuk do të thotë të thuash se e keqja nuk ndodhi; nuk do të thotë as të pranosh padrejtësinë. Falja do të thotë: unë nuk do ta lejoj që urrejtja ta sundojë zemrën time. Përfundoj duke thënë se ne mund të jetojmë së bashku dhe mund të punojmë së bashku jo pse nuk gabojmë e nuk i shkaktojmë asnjë vuajtje njëri-tjetrit, por sepse e duam dhe e falim njëri-tjetrin.

 

O Atë i mëshirshëm, Ti që na fale borxhin që s’mund ta shlyenim kurrë, na çliro nga burgu i mos faljes, nga zinxhirët e zemërimit, hidhërimit dhe urrejtjes. O Jezus, që në Kryq fale edhe ata që të kryqëzuan, mësoje shpirtin tonë të thotë çdo ditë: “Dua të fal, sepse jam i falur.” Amen.