Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde!
13 MARS 2026
UNGJILLI I DITËS
“Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MARKUT- Mk 12, 28-34
Një nga skribët që kishte dëgjuar rragatjen e tyre, duke parë se Jezusi u përgjigj mirë, iu afrua dhe e pyeti: “Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?” Jezusi iu përgjigj: “I pari është: ‘Dëgjo, Izrael! Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm. Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde!’ Urdhri i dytë është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Tjetër urdhër më të madh se këta nuk ka.” Skribi u përgjigj: “Mirë fort, Mësues! U përgjigje ashtu siç është e vërteta! Ai është i Vetmi, e pos tij s’ka tjetër. Të duash Atë me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë fuqi e të duash të afërmin tënd porsi vetveten, vlen më shumë se të gjitha flitë e shkrumbimit e theroret.” Jezusi, duke parë se u përgjigj me urti, i tha: “Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit.” Dhe askush s’pati më guxim të hyjë me të në rragatje.
Ungjilli i sotëm na flet për marrëdhënien me Hyjin dhe me njerëzit. Siç e dëgjuam Skribi i afrohet Jezusit pas një debati të zjarrtë me saducenjtë. Ai ka dëgjuar arsyetimet, ka parë mënyrën e përgjigjes së Jezusit dhe e ka dalluar urtinë e Tij. Kujtoj se në kohën e Jezusit, skribët ishin specialistë të Shkrimeve të Shenjta hebraike. Shpesh quheshin edhe “doktorë të Ligjit”. Ky pra e pyet Jezusin: “Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?” Dëshiron të dije nga Jezusi: Cili është thelbi i gjithë Ligjit? Cili është boshti që i jep kuptim 613 urdhërimeve që në traditën hebraike i kishin? Rabinët shpesh debatonin për të dalluar urdhërimet “më të rënda” dhe “më të lehta”. Prandaj kjo ishte një pyetje serioze.
Në këtë pikë, Jezusi kthehet tek rrënja: Shema Israel. Gjithçka nis me një fjalë: Dëgjo. Në gjuhën biblike, dëgjimi nuk është akt pasiv. Të dëgjosh do të thotë të pranosh, të hapësh zemrën, të lejosh që Fjala e Zotit të të formojë. Para se të duash, duhet të dëgjosh. Para se të bësh diçka për Zotin, duhet ta dëgjosh Atë.
“Dëgjo, Izrael… Duaje Zotin… Duaje të afërmin. “Këtu është përmbledhja e gjithë Ligjit, e gjithë jetës shpirtërore, e gjithë shenjtërisë. “Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm.” Nëse Hyji është një, atëherë edhe zemra e jonë nuk mund të jetë e ndarë. Në dimensionin shpirtëror kjo nënkupton një thirrje për unitet të brendshëm. Në fakt, problemi ynë më i madh nuk është se nuk e duam Zotin aspak, por se e duam bashkë me shumë gjëra të tjera që shpesh e zënë vendin e Tij. Nuk mund të kemi shumë “zota”: pasuri, egoizëm, pushtet, frikë, lëvdata etj…
“Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën, mendjen dhe fuqinë tënde.”
Zemra në Bibël është qendra e personit. Dashuria ndaj Hyjit është orientim i thellë i dëshirave drejt Tij. Le ta pyesim vetën: Çfarë dëshiroj më shumë? Çfarë kërkon zemra ime më së shumti? Dashuria e vërtetë ndaj Hyjit është përgjigje e dashurisë së Tij. Jezusi përfshin edhe mendjen. Po dashuria e vërtetë ndaj Hyjit gjithmonë e kërkon të vërtetën. Ketë e bën duke reflektuar, thelluar, mësuar e kuptuar. Dashuria e vërtetë është konkrete. Ajo bëhet shërbim, bëhet mision. Zemra, mendja dhe veprat tona duhet të jenë të bashkuara, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të jetojmë një dashuri të vërtetë. Në ketë mënyrë dashuria ndaj Zotit bëhet, burimi i gëzimit dhe paqes së brendshme. Ne shpesh jetojmë me një shpirt të ndarë: mendja mendon një gjë, zemra ndien një tjetër, ndërsa veprat janë thjesht rutinë. Prandaj Jezusi na thërret në një dashuri të integruar, në një dashuri që përfshin mendjen dhe zemrën, trupin dhe shpirtin. Gjithashtu, të dashur dëgjues, dashurinë ndaj Zotit nuk mund as ta reduktojmë në ndjenjë. Dashuria është vendim. Është zgjedhje e përditshme. Është të zgjedhësh Zotin kur je i lodhur, kur je i mërzitur, kur nuk ndien asgjë, sepse dashuria e vërtetë nuk është vetëm zjarr, ajo është besnikëri.
“Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!” Jezusi nuk e ndan dashurinë ndaj Hyjit nga dashuria ndaj njeriut. Të duash Zotin në adhurim është e bukur; por të duash dikë që të acaron është sakrificë. Por pikërisht këtu dashuria jonë bëhet si ajo e Krishtit. Jezusi që jep këtë urdhër është i njëjti që jep jetën e vet në Kryq. Prandaj dashuria ndaj Hyjit dhe ndaj të afërmit e gjen formën e saj të plotë në Kryq: dashuri që fal, dashuri që duron, dashuri që nuk kërkon të vetën. Nëse me të vërtetë, ky urdhërim do të merrej seriozisht, konfliktet do të trajtoheshin me mëshirë, varfëria do të shihej si thirrje ndërgjegjes, tjetri nuk do të ishte kërcënim, por dhuratë.
Pasi skribi e dëgjoi Jezusin, i tha: “Mirë fort, Mësues! U përgjigje ashtu siç është e vërteta!” Dhe Jezusi e lavdëron dhe i thotë: “Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit.” Kjo do të thotë se skribi ishte në drejtimin e duhur, ishte afër së vërtetës. Por kujdes! Jezusi nuk i thotë: “Je brenda Mbretërisë”, por “Nuk je larg.” Skribi kishte kuptuar se thelbi i gjithçkaje është dashuria. Ai nuk ishte më i mbyllur në formalizëm. Si me thanë: ai ishte në prag. Porta ishte para tij. Por duhej ta kalonte pragun. D.m.th. duhet të pranonte Jezusin si Zotin e jetës së tij.
Kjo fjalë është edhe për ne, të dashur dëgjues: mund të dimë shumë për Zotin, mund të pranojmë se dashuria është më e madhja, por pyetja është: a kemi hyrë në një marrëdhënie të vërtetë me Jezusin?
O Hyj i Mirë, na mëso të duam me gjithë zemrën, mendjen dhe fuqinë tonë. Na jep hirin ta duam të afërmin me dashurinë Tënde. Jezus, na jep një zemër që nuk mjaftohet vetëm të dijë, por të pranon Ty si Zotin e jetës. Amen.