Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde!
4 QERSHOR 2026
UNGJILLI I DITES
“Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MARKUT - Mk 12, 28-34
Një nga skribët që kishte dëgjuar rragatjen e tyre, duke parë se Jezusi u përgjigj mirë, iu afrua dhe e pyeti: “Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?” Jezusi iu përgjigj: “I pari është: ‘Dëgjo, Izrael! Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm. Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde!’ Urdhri i dytë është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Tjetër urdhër më të madh se këta nuk ka.” Skribi u përgjigj: “Mirë fort, Mësues! U përgjigje ashtu siç është e vërteta! Ai është i Vetmi, e pos tij s’ka tjetër. Të duash Atë me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë fuqi e të duash të afërmin tënd porsi vetveten, vlen më shumë se të gjitha flitë e shkrumbimit e theroret.” Jezusi, duke parë se u përgjigj me urti, i tha: “Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit.” Dhe askush s’pati më guxim të hyjë me të në rragatje.
Ungjilli i sotëm na flet për marrëdhënien me Hyjin dhe me njerëzit. Siç e dëgjuam, një Skrib i afrohet Jezusit pas një debati të zjarrtë me saducenjtë. Ju kujtoj të dashur dëgjues se në kohën e Jezusit, skribët ishin specialistë të Shkrimeve të Shenjta hebraike. Shpesh quheshin edhe “doktorë të Ligjit”. Ky, pra, e pyet Jezusin: “Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?” Skribi nuk po pyet thjesht për renditje ligjore, por po kërkon themelin. D.m.th. po kërkon gurin mbi të cilin qëndron gjithë ndërtesa e jetës shpirtërore. Dhe Jezusi duke i treguar zemrën e vetë Ligjit. Dëgjo, Izrael! Këtu fillon gjithçka. Para çdo veprimi, para çdo virtyti, para çdo sakrifice, qëndron thirrja për dëgjim. Kjo është porta e urtisë: jo të flasësh, por të dëgjosh. Dhe ky dëgjim nuk është i jashtëm, por i brendshëm, është një hapje e zemrës që lejon fjalën e Hyjit të bëhet dritë në mendje.
“Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm.” Kur njeriu e pranon një Zot të vetëm, ai çlirohet nga “zotat e shumtë” që shpesh e shpërndajnë jetën: frika, egoja, pasuria, pushteti. Zemra fillon të bëhet më e përqendruar, më e lirë dhe më e qartë në zgjedhjet e saj. Në dimensionin shpirtëror kjo nënkupton një thirrje për unitet të brendshëm, sepse një shpirt i përçarë nuk mund ta dojë Zotin plotësisht, pasi dashuria kërkon tërësi. Prandaj urdhri i parë nuk është vetëm “duaj”, por: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën, mendjen dhe fuqinë tënde.”
Të duash me zemër, mendje dhe fuqi nuk është ndarje e njeriut në tre pjesë, por është shprehje e plotësisë së qenies së tij: Zemra: vendi i dëshirave dhe ndjenjave. Mendja: vendi i njohjes dhe së vërtetës. Fuqia: vendi i veprimit dhe i jetës së përditshme. Nëse njëra mungon, dashuria çalon. Nëse zemra do, por mendja nuk njeh, dashuria verbohet. Nëse mendja njeh, por zemra nuk digjet, dashuria ftohet. Nëse të dyja ekzistojnë, por nuk shndërrohen në vepra, dashuria mbetet iluzion. Zemra, mendja dhe veprat tona duhet të jenë të bashkuara, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të jetojmë një dashuri të vërtetë. Kështu, dashuria ndaj Zotit bëhet burimi i gëzimit dhe paqes së brendshme.
“Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.” Në këtë moment, feja zbret nga qielli në tokë. Dashuria për Zotin nuk mbetet e mbyllur në adhurim, por bëhet e dukshme në marrëdhënie. Jezusi nuk e ndan dashurinë ndaj Hyjit nga dashuria ndaj njeriut. Të duash Zotin në adhurim është e bukur; por të duash dikë që të acaron është sakrificë. Jezusi që jep këtë urdhër është i njëjti që jep jetën e vet në Kryq. Prandaj dashuria ndaj Hyjit dhe ndaj të afërmit e gjen formën e saj të plotë në Kryq: dashuri që fal, dashuri që duron, dashuri që nuk kërkon interesin e vet. Nëse me të vërtetë ky urdhërim do të merrej seriozisht, atëherë konfliktet do të trajtoheshin me mëshirë, varfëria do të shihej si thirrje e ndërgjegjes, tjetri nuk do të ishte kërcënim, por dhuratë.
Pasi Skribi i tha: “Mirë fort, Mësues! U përgjigje ashtu siç është e vërteta!” Jezusi, duke e lavdëruar, i thotë: “Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit.” Kjo fjali është një mister i madh. Skribi nuk është ende brenda, por nuk është as larg. Ai është në prag. Por duhej ta kalonte pragun, domethënë duhet të pranonte Jezusin si Zot të jetës së tij. Mbretëria e Hyjit nuk është ide, por realitet që fillon aty ku dashuria bëhet vepër.
Pra të dashur dëgjues në Ungjillin e sotëm, Jezusi nuk shton ligj të ri. Ai e përmbledh gjithçka në dashuri. Dhe kjo nuk është thjesht reduktim, por përmbushje. Sepse dashuria nuk e heq ligjin; ajo e bën të gjallë. Ligji pa dashuri është kufizim. Dashuria e bën kufirin rrugë. Në këtë kuptim, gjithë Shkrimi Shenjt përmblidhet në një fjalë të vetme: dashuri. Jo dashuri si ndjenjë kalimtare, por si vendim i vazhdueshëm i vullnetit, i mendjes dhe i jetës. Në ketë mënyrë, njeriu fillon të jetojë brenda Mbretërisë së Hyjit.
O Hyj i dashurisë dhe i së vërtetës, na mëso të të duam me gjithë zemrën, mendjen dhe me gjithë fuqinë tonë. Të lutemi, na jep hirin ta shohim të afërmin me sytë e Tu dhe ta duam me dashurinë Tënde. Amen.