Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde!

21 GUSHT 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde!

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT- (Mt 22, 34-40)

 

Në atë kohë, Farisenjtë, kur mon vesh se ua mbylli gojën saducenjve, u bashkuan dhe njëri prej tyre [sues Ligji], për ta vënë në provë, e pyeti: Mësues, cili është më i madhi urdhërim i Ligjit?

Jezusi u përgjigj: Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. I dyti është i barabartë me të: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët.

 

 

 

 

Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm na paraqet një nga pyetjet më të rëndësishme që i është drejtuar Jezusit: “Mësues, cili është urdhërimi më i madh i Ligjit?” (Mt 22,36). Në kohën e Jezusit, rabinët numëronin qindra urdhërime dhe shpesh diskutonin se cili ishte më i rëndësishmi. Jezusi nuk jep një përgjigje të ndërlikuar. Ai e përmbledh të gjithë Ligjin dhe Profetët në një fjalë të vetme: në dashurinë. Ai thotë: Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. I dyti është i barabartë me të: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët.” (Mt 22,37-39).

Këtu gjendet zemra e gjithë jetës së krishterë. Të duash Hyjin me gjithë zemër. Jezusi nuk kërkon një dashuri të pjesshme, por një dashuri të plotë. Të duash Hyjin me gjithë zemër do të thotë ta vendosësh Atë në vendin e parë të jetës. Shpesh zemra jonë ndahet mes shumë gjërave: puna, shqetësimet, pasuria, dëshira për sukses, frikërat dhe planet personale. Të gjitha këto janë të rëndësishme, por asgjë nuk duhet të zërë vendin e Hyjit.

Shën Augustini thotë: “Na krijove për Ty, o Zot, dhe zemra jonë nuk gjenë paqe derisa të pushojë në Ty.” Njeriu kërkon lumturinë në shumë vende, por vetëm Hyji mund ta mbushë plotësisht zemrën e tij. Kur Zoti është në qendër, gjithçka tjetër merr kuptimin e vet. Të duash Hyjin do të thotë t'i besosh Atij, ta kërkosh në lutje, ta dëgjosh Fjalën e Tij dhe ta pranosh vullnetin e Tij edhe në çastet e vështira.

Dashuria për të afërmin është prova e dashurisë për Hyjin- Jezusi bashkon dy urdhërime që nuk mund të ndahen. Nuk mund të thuash se e do Hyjin, nëse nuk e do vëllanë apo motrën që ke pranë. “Nëse nuk e gjen Krishtin tek i varfri dhe tek vëllai yt, nuk do ta gjesh as mbi altar.” Këto fjalë na ftojnë të bëjmë një shqyrtim të sinqertë të ndërgjegjes. Dashuria për Hyjin nuk matet vetëm me lutjet apo devocionet tona, por edhe me mënyrën se si sillemi me të tjerët. Sa herë është më e lehtë të lutemi sesa të falim! Sa herë është më e lehtë të ndezim një qiri sesa të tregojmë durim dhe mirësi në familje! Jezusi na kujton se çdo vepër dashurie ndaj të afërmit është një vepër dashurie ndaj vetë Atij.

Kush është i afërmi im? I afërmi nuk është vetëm ai që na do apo që mendon si ne. I afërmi është çdo njeri që Hyji vendos në rrugën tonë: një familjar, një i sëmurë, një i varfër, një person që vuan, madje edhe ai që na ka lënduar. Shën Gregori i Madh thotë: “Masa e dashurisë për Hyjin shihet në dashurinë konkrete ndaj të afërmit.” Prandaj dashuria e krishterë nuk është vetëm një ndjenjë. Ajo është një zgjedhje e përditshme: të dëgjosh, të falësh, të ndihmosh, të japësh kohë, të mos gjykosh dhe të mbash barrët e njëri-tjetrit. Në botën e sotme, ku shpesh mbizotëron indiferenca dhe individualizmi, Ungjilli na fton të bëhemi dëshmitarë të dashurisë së Hyjit.

Jezusi përfundon duke thënë: “Në këto dy urdhërime varet i gjithë Ligji dhe Profetët.” (Mt 22,40). Kjo do të thotë se çdo urdhërim, çdo praktikë fetare dhe çdo vepër e mirë e gjen kuptimin e saj në dashuri. Shën Augustini e përmbledh këtë të vërtetë me një shprehje të njohur: “Duaj dhe bëj çfarë të duash.” Ai nuk nënkupton një liri pa kufij, por se ai që e do vërtet Hyjin, do të kërkojë gjithmonë të bëjë të mirën. Shenjtorët e kanë kuptuar këtë sekret. Ata nuk u bënë të mëdhenj për shkak të veprave të jashtme, por sepse lejuan që zemra e tyre të mbushej me dashurinë e Krishtit.

Të dashur dëgjues, Jezusi na fton sot të rikthehemi te thelbësorja. Ndonjëherë e ndërlikojmë fenë tonë me shumë gjëra, por harrojmë gjënë më të rëndësishme: të duam. Të duam Hyjin me gjithë qenien tonë dhe të duam të afërmin me një dashuri konkrete e të përditshme.

Le ta pyesim veten: A e ndiej praninë e Zotit në jetën time? A jam bërë një vegël e dashurisë së Tij për të tjerët?

 

O Jezus, Ti na mësove se urdhërimi më i madh është dashuria. Derdhe në zemrat tona Shpirtin Tënd të Shenjtë, që të të duam Ty me gjithë zemër dhe t'i duam vëllezërit e motrat tona me një dashuri të sinqertë. Largo prej nesh egoizmin, indiferencën dhe çdo ndjenjë urrejtjeje. Bëj që jeta jonë të bëhet një dëshmi e dashurisë sate, në mënyrë që, duke të dashur Ty në këtë botë, të arrijmë një ditë të gëzojmë plotësinë e dashurisë sate në Mbretërinë e qiellit. Amen.