Duani armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë!
16 QERSHOR 2026
UNGJILLI I DITES
“Duani armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT - (Mt 5,43-48)
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: »keni degjuar se qe thënë: 'Duaje të afërmin tënd' e urreje armikun tënd. E unë po ju them: Duani armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, për t'u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqij e mbi të mirë e të bjerë shi për të drejtë e për të padrejtit. Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bejnë kaq edhe tagrambledhësit? E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët? Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!«
Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm përbën një nga mësimet më të larta dhe më të forta të Jezusit. Në të, Jezusi i çon nxënësit përtej logjikës njerëzore të reciprocitetit që thotë: “Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd”, e çon drejt logjikës së Hyjit, që është logjika e dashurisë pa kushte.
Jezusi nuk kërkon thjesht të mos e urrejmë armikun, por ta duam atë dhe të lutemi për të. Kjo nuk do të thotë të miratojmë të keqen ose padrejtësinë, por të mos lejojmë që zemra jonë të pushtohet nga urrejtja. Dashuria e krishterë nuk është para së gjithash një ndjenjë, por një zgjedhje që buron nga hiri i Hyjit.
Arsyeja që jep Jezusi është tejet e thellë: “Që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiell” (Mt 5,45). Ati qiellor bën që dielli të lindë mbi të mirët dhe mbi të këqijtë; Ai jep shiun e tij për të drejtët dhe të padrejtët. Dashuria e Hyjit nuk është përzgjedhëse, por përfshirëse. Dishepulli është i thirrur të pasqyrojë në jetën e vet këtë mënyrë të dashurisë së Atit.
Shën Augustini vëren se dashuria ndaj armikut është një nga shenjat më të qarta të pranisë së Krishtit në zemrën e njeriut. Ai shkruan: “Nëse duam vetëm atë që na duan, çfarë bëjmë më shumë se të tjerët? Dashuria e krishterë shfaqet kur zemra arrin të dojë edhe atë që të lëndon.” Pra, armiku nuk është vetëm dikush që duhet duruar, por një person të cilit i duhet e mira dhe shëlbimi i shpirtit. Lutja për armikun është ilaçi më i mirë kundër zemërimit, sepse ndërsa lutemi për tjetrin, zemra jonë pastrohet nga hidhërimi dhe hakmarrja.
Papa Benedikti XVI ka shpjeguar se kjo dashuri është e mundur vetëm sepse buron nga vetë Krishti. Në enciklikën Deus Caritas Est, ai kujton se njeriu nuk mund të arrijë vetë në një dashuri kaq të lartë; ajo është fryt i takimit me Hyjin që është Dashuri. Kur e përjetojmë mëshirën e Zotit ndaj dobësive tona, vetëm atëherë bëhemi më të aftë të tregojmë mëshirë ndaj të tjerëve.
Edhe Papa Françesku shpesh ka folur për këtë tekst ungjillor si një “revolucion i butësisë”. Ai thotë se i krishteri nuk fiton duke mposhtur armikun, por duke e çarmatosur atë me dashuri dhe falje. Sepse, falja nuk është shenjë dobësie, por forcë që vjen nga Kryqi i Krishtit. Në Kryq, Jezusi lutet për ata që po e kryqëzojnë: “O Atë, fali, sepse nuk dinë çfarë bëjnë” (Lk 23,34).
Pjesa përfundon me një thirrje që duket gati e paarritshme: “Jini të përsosur sikurse është i përsosur Ati juaj qiellor” (Mt 5,48). Në gjuhën biblike, përsosmëria nuk nënkupton mungesën e gabimeve, por plotësinë e dashurisë. Jezusi na fton të ecim çdo ditë drejt ngjashmërisë së Atin, duke mësuar të duam gjithnjë e më shumë sipas zemrës së Hyjit. Do të bëhemi të përsosur në masën kur të arrijmë me dashtë si Krishti, i cili nga Kryqi i fali armiqtë e vet.
Të dashur dëgjues Ungjilli i sotëm na fton të shqyrtojmë zemrën tonë: a ka ende vende ku mbretëron hidhërimi, gjykimi ose dëshira për hakmarrje? Krishti na fton t'ia dorëzojmë Atij këto plagë dhe të lejojmë që hiri i Tij t’i shndërrojë në dashuri. Vetëm kështu bëhemi dëshmitarë të vërtetë të Ungjillit në botë.
Prandaj le ta pyesim veten:
1. A ka ndonjë person ndaj të cilit mbaj ende zemërim, hidhërim ose mungesë faljeje? Sot është dita- fale! Ose kërko falje!
2. A lutem për ata që më kanë lënduar, apo vetëm për ata që më duan dhe më mbështesin? Sot është dita- Lutu për të në meshë ose në rruzare!
3. Në cilat situata konkrete Zoti po më fton sot të tregoj dashurinë dhe mëshirën e Tij? Sot është dita- tegoju i mëshirshëm dhe i dashur me të gjithë!
Lutje përfundimtare
O Jezus, Mësues i dashurisë së vërtetë, Ti na mësove të duam edhe armiqtë tanë dhe të lutemi për ata që na lëndojnë. Shikoji plagët e zemrës sonë dhe na jep hirin e faljes së sinqertë.
Na çliro nga urrejtja, nga dëshira për hakmarrje dhe nga çdo hidhërim që na largon prej Teje. Mbushe zemrën tonë me dashurinë e Atit qiellor, që të dimë të shohim në çdo njeri një vëlla ose motër për të cilin Ti ke derdhur gjakun Tënd. Na mëso të duam sikurse Ti na ke dashur, të falim sikurse Ti na ke falur dhe të jetojmë kështu si bij të Atit qiellor. Amen.