Duhet të lindni përsëri prej së Larti

13 Prill 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

“Duhet të lindni përsëri prej së Larti”

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjn 3, 1-8

 

 Tashti ndër farisenj ishte një njeri që quhej Nikodem, një nga bujarët e judenjve.  Ky erdhi natën te Jezusi dhe i tha: “Rabbi, e dimë se ti je Mësuesi që erdhi prej Hyjit, sepse askush s’mund t’i bëjë këto mrekulli, që i bën ti, po qe se Hyji nuk është me të.”

 Jezusi iu përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po të them: kush nuk lind përsëri prej së larti, nuk mund ta shohë Mbretërinë e Hyjit.”

 “Si është e mundur ‑ i tha Nikodemi ‑ të lindë njeriu kur është i moçëm? A thua mund të hyjë përsëri në barkun e nënës së vet e të lindë?”   Jezusi u përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po të them: kush nuk lind me anë të ujit e të Shpirtit nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Hyjit.  Çka lind prej mishit, mish është, e çka lind prej Shpirtit, shpirt është.

 Mos u çudit që të thashë: ‘Duhet të lindni përsëri prej së Larti.’  Era fryn në drejtimin që do; ia dëgjon ushtimën e nuk di nga vjen e kah shkon. Kështu ndodh edhe me secilin

që lind prej Shpirtit.”

 

Ungjilli i sotëm na çon drejt një thellësie që prek zemrën e përvojës së krishterë, që është rilindja në Shpirtin Shenjt. Dëgjuam se Nikodemi shkon te Jezusi “natën”. Nata nuk është vetëm një kohë fizike, por një gjendje shpirtërore. Është nata e kërkimit, nata e dyshimit, nata e një besimi që ende nuk ka guximin të dalë në dritë.

Nikodemi, mësues i Ligjit, farise, njeri me autoritet, e njeh se Jezusi vjen nga Hyji, e respekton dhe e quan “Rabbi”. Fjalët që ai ia thotë Jezusit janë të bukura: “Rabbi, e dimë se ti je Mësuesi që erdhe prej Hyjit, sepse askush s’mund t’i bëjë këto mrekulli që i bën ti, po qe se Hyji nuk është me të.” Ky, i dashur dëgjues, është një besim kolektiv dhe i përgjithshëm (“ne e dimë\ ne besojme”), jo ende një besim personal (“unë besoj”). Nikodemi ka parë shenjat, ka bërë një gjykim të drejtë, por nuk ka hyrë ende në marrëdhënie të thellë me Jezusin. Kjo na fton të pyesim veten: A është besimi im vetëm një bindje e saktë, apo një marrëdhënie e gjallë me Jezusin?

Përgjigja e Jezusit është tronditëse: “Përnjëmend, përnjëmend po të them: "kush nuk lind përsëri prej së larti, nuk mund ta shohë Mbretërinë e Hyjit.” Nikodemi mendon në mënyrë njerëzore, fizike: si mund të lindë njeriu përsëri? A thua mund të hyjë përsëri në barkun e nënës së vet e të lindë? Por Jezusi flet në mënyrë shpirtërore. Disa herë ky është edhe problemi ynë: i interpretojmë gjërat shpirtërore në mënyrë thjesht njerëzore. Ne mendojmë: do përpiqem më shumë, do të mundohem të jem më i mirë. Por Jezusi na flet për diçka shumë më të thellë, për një jetë të re. “Duhet të lindni prej së Larti” nuk është një këshillë, as një ftesë, por është një domosdoshmëri shpirtërore. Lindja prej ujit e Shpirtit i referohet Pagëzimit, por Raniero Cantalamessa e thellon këtë kuptim. Ai thotë: Në Pagëzim, njeriu merr gjithçka në mënyrë reale. Ndërsa pagëzimi në Shpirtin Shenjt nuk shton diçka të re, por zgjon dhe aktivizon atë që tashmë është dhënë. Ky është momenti kur besimi bëhet personal, i gjallë, përjetim.

Ai përshkruan disa efekte tipike të pagëzimit në Shpirtin Shenjt: një ndjenjë e fortë e pranisë së Hyjit, dashuri më e madhe për Krishtin, dëshirë për lutje dhe Fjalën e Hyjit, ndryshim në mënyrën e jetesës (kthim i vërtetë), guxim për të dëshmuar fenë. Kardinali Cantalamessa thekson: Shumë të krishterë janë “të pagëzuar”, por nuk e kanë përjetuar ende fuqinë e brendshme të Shpirtit Shenjt që transformon dhe që jep jetë. Është si të kalosh nga një fe “formale” në një fe të përjetuar dhe të gjallë.

Jezusi i thotë Nikodemit edhe: “Çka lind prej mishit, mish është, e çka lind prej Shpirtit, shpirt është.” Kjo është një thirrje për të dalluar dy mënyra jetese brenda nesh.

“Mishi” nuk do të thotë vetëm trupi, por jeta e jetuar pa Hyjin, e mbështetur vetëm në forcat tona, në egoizëm, krenari dhe në kënaqësi kalimtare. Çdo gjë që lind vetëm nga kjo logjikë mbetet e kufizuar, e brishtë dhe nuk mund të japë jetë të përjetshme. Ndërsa ajo që lind nga Shpirti është jetë e re, që vjen nga Hyji, që e transformon zemrën dhe e bën njeriun të aftë të dojë, të falë dhe të jetojë sipas së vërtetës.

Çdo njeri duhet të zgjedhë: ose të jetojë sipas “mishit”, ose të jetojë sipas Shpirtit.

Por të jetosh “sipas Shpirtit” do të thotë: të zgjedhësh dashurinë edhe kur kushton, të falësh edhe kur dhemb, të ndjekësh Hyjin edhe kur nuk është e lehtë. Po, njeriu shpirtëror është ai që mëson të dallojë lëvizjet e Shpirtit Shenjt brenda tij. Ky është njeriu i lirë dhe me zemër e mendje të hapur ndaj Hyjit.

 

O Shpirt Shenjt, eja në zemrat tona. Na rilind në dashurinë e Hyjit Ate, na forco në besim dhe na udhëhiq në të vërtetën tënde. Bëj të jetojmë çdo ditë si bij të dritës. Amen.