E lumja ti që besove!”

15 GUSHT 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

E lumja ti që besove!

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT- (Lk 1, 39-56)

Ndër ato ditë, Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën. Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt dhe brohoriti me zë të lartë: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë nëna e Zotit tim? Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”  Atëherë Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: po, që se tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur. Sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm: i shenjtë është Emri i tij! Mëshira e tij brezni me brezni për ata që e nderojnë. E tregoi fuqinë e krahut të vet: i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve; i rrëzoi princat prej froneve të tyre, e i lartësoi të përvujtët. Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë, e të pasurit i nisi duarthatë. I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet, duke u sjellë në mend mëshirën – si ua pati premtuar etërve tanë – në dobi të Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.” Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj, e atëherë u kthye në shtëpinë e vet.

Ungjilli i sotëm, në festën e Ngjitjes së Zojës në Qiell (Lk 1,39-56) na fton të sodisim një nga skenat më të bukura dhe më të dashura të Ungjillit: Vizitën e Marisë tek kushërira e saj Elizabeta. Menjëherë pasi kishte marrë lajmin e madh nga Engjëlli Gabriel, Maria nuk mbyllet në vetvete për të soditur privilegjin e saj. Përkundrazi, ajo "u ngrit dhe shkoi me nxitim" drejt maleve të Judesë për t'i shërbyer Elizabetës. Ky "nxitim" i Marisë nuk është shenjë padurimi, por fryt i dashurisë. Kush e ka takuar vërtet Hyjin, nuk mund ta mbajë vetëm për vete këtë gëzim; ai ndien dëshirën ta ndajë me të tjerët.

Maria – gruaja që e çon Krishtin tek të tjerët- Maria është tabernakulli i parë i historisë. Ajo mban në kraharorin e saj Birin e Hyjit dhe e çon Atë në shtëpinë e Elizabetës. Nuk flet shumë për veten, por me praninë e saj sjell praninë e Jezusit. Sapo Maria përshëndet Elizabetën, ndodh diçka e jashtëzakonshme: foshnja në barkun e Elizabetës – Gjon Pagëzuesi – kërcen nga gëzimi dhe Elizabeta mbushet me Shpirtin Shenjt. Kjo na mëson se aty ku është Jezusi, aty lind gëzimi, paqja dhe jeta e re.

Shën Ambrozi shkruan: "Maria nxiton, jo sepse dyshon, por sepse gëzohet; jo sepse e shtyn frika, por sepse e nxit dashuria." Sa bukur do të ishte që edhe ne të ishim si Maria! Të sillnim praninë e Krishtit në familjet tona, në vendin e punës, në bashkësinë tonë, jo vetëm me fjalë, por me mënyrën si jetojmë.

Elizabeta e përshëndet Marinë me fjalë që Kisha i përsërit çdo ditë në lutjen "Të falemi Mari": "E bekuar je mbi të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd!" (Lk 1,42) Pastaj shton: " E lumja ti që besove se do të përmbushej ajo që të është thënë prej Zotit." (Lk 1,45) Maria është e lume jo vetëm sepse do të bëhet Nëna e Jezusit, por sepse besoi. Ajo nuk i kuptoi të gjitha planet e Hyjit, por iu besua plotësisht Atij. Edhe jeta jonë shpesh është e mbushur me pyetje pa përgjigje. Nuk dimë pse ndodhin disa sprova, pse disa lutje duket sikur nuk dëgjohen ose pse rruga bëhet e vështirë. Maria na mëson se besimi nuk është të kuptosh gjithçka, por të besosh se Hyji është besnik edhe kur nuk shohim qartë, Ai është aty me ne! Shën Augustini thotë: "Maria e pranoi Krishtin më parë me besim në zemër sesa në trupin e saj." Kjo është një ftesë edhe për ne: ta hapim zemrën ndaj Fjalës së Hyjit dhe ta lejojmë të veprojë në jetën tonë.

Magnificat-i – është kënga e një zemre të përvuajtur- Në fund të këtij takimi, Maria shpërthen në lutjen e saj të mrekullueshme: "Shpirti im e madhëron Zotin dhe shpirti im me hare i brohoret Hyjit, Shëlbuesit tim." (Lk 1,46-47) Magnificat-i nuk është vetëm një himn falënderimi. Është shpallja se Hyji vepron ndryshe nga logjika e botës. Ai i lartëson të përvujtët, i mbush me të mira të uriturit dhe u jep shpresë atyre që i besojnë. Maria nuk e përvetëson lavdinë. Ajo ia kushton gjithçka Hyjit. Përvujtëria e saj bëhet hapësira ku Hyji mund të bëjë mrekulli. "Maria e madhëron Zotin jo duke ia shtuar madhështinë  Hyjit, por duke e bërë zemrën e saj gjithnjë e më të hapur ndaj madhështisë së Tij."

Të dashur dëgjues, ky Ungjill na fton të shohim Marinë si modelin e jetës së krishterë. Ashtu si ajo, edhe ne jemi të thirrur: të ngrihemi pa vonesë për t'i shërbyer atyre që kanë nevojë; të sjellim praninë e Krishtit me fjalët dhe veprat tona; të besojmë edhe kur nuk kuptojmë gjithçka dhe të jetojmë me një zemër mirënjohëse që e madhëron Hyjin çdo ditë.

Në Festen e Ngjitjes së saj në Qiell: Le ta ftojmë Marinë të ecë me ne, që edhe ne të bëhemi njerëz që sjellin Krishtin aty ku ka trishtim, ndarje dhe mungesë shprese. E kështu pas këtij shtegtimi tokësor të ngjitemi edhe ne pranë saj, në lumninë e qiellit. E pas kësaj jete tokësore na jep dorën tënde o Zojë e na hap derën e qiellit. Amen.