“Effatha... Çelu!”
13 Shkurt 2026
UNGJILLI I DITËS
“Effatha... Çelu!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MARKUT- Mk 7, 31 – 37
Pastaj doli prapë nga krahina e Tirit, e nëpër Sidon, erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit. I sollën një shurdhaman që mezi fliste dhe iu lutën ta vërë dorën mbi të. Ai e ndau prej popullit veçmas, ia futi gishtërinjtë e vet në veshë, me pështymë të vet ia preku gjuhën, i drejtoi sytë kah qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha ‑ që do të thotë: “Çelu!” E menjëherë iu çelën veshët e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm. Jezusi u urdhëroi të mos i tregojnë askujt. Por, sa më tepër që ai ua ndalonte, ata aq më tepër e shpallnin. Të mrekulluar mbi çdo masë thoshin: “Gjithçka bëri mirë!” “Ky po bën të dëgjojnë të shurdhërit e të flasin memecët!”
Dëgjuam të dashur dëgjues se njeriu që i sjellin Jezusit është shurdh-memec. Në Shkrimin e Shenjtë, dëgjimi është themeli i fesë: “Dëgjo, Izrael”. Prandaj, sipas ekzegjezës biblike, kjo nuk është vetëm sëmundje trupore, por simbol i paaftësisë së njeriut për të dëgjuar Fjalën e Hyjit dhe për të shpallur fenë. Në të vërtetë edhe njeriu i sotëm shpesh është shurdh ndaj Fjalës së Zotit dhe memecë në dëshminë e fesë. Dimë të dëgjojmë shumë zëra, por jo Zërin e Zotit; flasim shumë, por jo për të vërtetën që shpëton.
Ndërsa, të dashur dëgjues, Papa Françesku na fton ta lexojmë këtë Ungjill edhe si një pasqyrë të jetës sonë të përditshme. Sipas tij, njeriu shurdh-memec përfaqëson një botë që shpesh nuk di të dëgjojë dhe nuk di të flasë me zemër. Dëgjojmë shumë zëra, por nuk dimë të dëgjojmë britmën e atyre që vuajnë; flasim shumë, por shpesh fjalët tona plagosin në vend që të shërojnë. Shërimi i njeriut shurdh-memec është një shenjë e thellë e asaj që Krishti dëshiron të bëjë me secilin prej nesh.
Ungjilli thotë se Jezusi shëron njeriun duke e marrë mënjanë, larg turmës. Po, të dashur dëgjues, Zoti nuk na shëron në rrëmujë, por në heshtje, në afërsi, në marrëdhënie personale me Të. Ai na sheh në sy, hyn në thellësinë e jetës sonë, aty ku plagët janë më të fshehura dhe me të thella. Edhe gjesti i prekjes së veshëve dhe gjuhës na flet për afërsinë e Hyjit. Kjo është mënyra e Jezusit, dhe kjo është mirë të jetë edhe mënyra e Kishës: afërsi, dhembshuri, butësi.
Atëherë Jezusi pasi i drejtoi sytë kah qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha ‑ që do të thotë: “çelu!”. Kjo fjalë është zemra e këtij Ungjilli. Kjo fjalë nuk i drejtohet vetëm veshëve dhe gojës së atij njeriu, por edhe zemrës së tij. Hapu ndaj Zotit. Hapu ndaj të tjerëve. Mos u mbyll në vetvete. Shën Jeronimi thekson se fjala “Effatá – Hapu” është më shumë se një urdhër shërimi: është fjalë krijuese, që i rikthen njeriut aftësinë për të dëgjuar dhe për të folur. Është pra e lidhur me veprën e Zanafillës, Ashtu si Zoti krijon me anë tw fjalës, ashtu edhe Jezusi krijon një njeri të ri me anë të fjalës së vet.
Kjo skenë pasqyrohet më së miri në sakramentin e Pagëzimit, ku Kisha lutet që veshët tanë të hapen për Fjalën e Hyjit dhe goja jonë të shpallë fenë. Në të vërtetë, të jesh i krishterë do të thotë të jesh njeri i hapur: i hapur ndaj Zotit dhe ndaj tjetrit.
Të dashur dëgjues, ky Ungjill na fton të pyesim veten:
A jemi vërtet të hapur për të dëgjuar Fjalën e Hyjit?
A jemi të shurdh ndaj britmës së të varfërve, ndaj dhimbjes së atyre që vuajnë, ndaj nevojës së atyre që janë vetëm?
A jemi memecë kur duhet të flasim për drejtësinë, për të vërtetën, për dashurinë?
Po të lutemi o Zot Jezus, thuaj edhe zemrës sonë: Effatá...çelu!
Hape zemrën tonë, që të dëgjojmë Fjalën Tënde dhe ta shpallim atë me krejt jetën tonë. Hape zemrën tonë ndaj nevojës së të afërmeve tanë. Amen.