“Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi.!”

07 Shkurt 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi.!”

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MARKUT- Mk 6, 30-34

 

 Apostujt u bashkuan prapë te Jezusi dhe i treguan gjithçka kishin bërë dhe kishin mësuar.  Atëherë ai u tha: “Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi.” Sepse aty aq shumë njerëz vinin e shkonin sa që s’kishin kohë as të hanin.  Ata u nisën me barkë për në një vend të pabanuar, në vetmi.  Porse njerëzit i panë në ç’drejtim u nisën e shumica e morën me mend vendin ku do të shkonin dhe, në këmbë, prej të gjitha qyteteve, shkuan atje e arritën para tyre.  Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimbsen, sepse ishin porsi ‘delet pa bari’, e filloi t’u mësojë shumë gjëra.

Të dashur dëgjues, dëgjuam se pas misionit tw tyre,  Apostujt kthehen tek Jezusi dhe i tregojnë gjithçka që kishin bërë dhe mësuar. Misioni që lind nga Jezusi është e drejtë të përfundoj tek Jezusi. Pra kthimi i apostujve është kthim tek burim. Pa këtë kthim, fjala humb fuqinë e saj shpirtërore, sepse marrëdhënia me Jezusin, është kriteri i vetëm, për të qene të frytshëm në mision që Ai na e beson.

Atëherë Jezusi ju bën një ftesë që është krejt njerëzore, por njëkohësisht edhe krejt hyjnore. Ai ju thotë: “Ejani të shkojmë në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi.” I fton që të pushojnë bashkë me Të. Ndoshta ndonjëherë mund të ndodhë të mendojmë se pushimi është humbje kohe, por për Jezusin është pjesë e misionit. Vetëm ai që di të pushoj me Jezusin, di të dhurohet për njerëzit. Vetëm ai që ndalet, di të dëgjojë. Besoj sa na bën mirë ta pyesim vetën: A mos jam i lodhur sepse kam vepruar shumë, por kam pushuar pak me Jezusin? A mos kam shërbyer, pa u ushqyer?

O Zot Jezus, na mëso të ndalemi, na mëso të dëgjojmë. Të lutemi na e jep hirin të pushojmë në zemrën Tënde, që të jemi e të veprojmë sipas zemrës Sate.

Vazhdon Ungjilltari duke na thënë se ata u nisën drejt një vendi të pabanuar: drejt shkretëtirës. E dimë tashmë të dashur dëgjues se “shkretëtira” në Bibël: është vendi i takimit me Zotin, vendi ku dëgjohet Fjala e Tij. Shkretëtira është vendi ku Fjala e Zotit pushon në zemër, para se të dalë nga goja e jonë. Po, Jezusi i çon apostujt: nga veprimi në dëgjim, nga turma në bashkim, nga zhurma në heshtje. Kuptohet pra se Jezusi i çon apostujt në shkretëtirë jo thjeshtë për t’i larguar nga njerëzit, por për t’i përgatitur për njerëzit.

Ungjilli na tregon edhe se si njerëzit shkojnë tek Jezusi nga të gjitha anët. Dhe: Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimbsen, sepse ishin porsi ‘delet pa bari’, e filloi t’u mësojë shumë gjëra.

Jezusi sheh turmën që është si dele pa bari: të hutuar, të plagosur, të uritur për të kuptuar. Ashtu si në të vërtetë edhe sot, Jezusi sheh: familjet tona të lodhura, të rinjtë tanë pa shpresë, sheh zemra të thyera prej dhimbjes. Dhe çfarë bën Jezusi? Nuk fillon me mrekulli, por fillon t’i mësoj. Sepse e vërteta shndrit, e vërteta shëron.

 

O Jezus, Bariu i Mirë i shpirtrave tanë, të lutemi depërto me shikimin tënd në plagët që ne i fshehim, në lodhjen që nuk dimë ti shprehim me fjalë, në zbrazëtinë që e mbulojmë me zhurmë. Amen!