Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju!

23 Shkurt 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju!”

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT -Mt 25, 31-46

 

“E kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm.  Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve.  Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.  Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës!  Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët,  i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’  Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish?  Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm?  Ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’  Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çka do bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua.’  Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij!  Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët,  isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.’  Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm, a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, në burg e nuk t’u gjetëm në nevojë?’  E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.’  Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.”

 

Të dashur dëgjues nga Ungjilli i sotëm ne kuptojmë se gjykimi ynë përfundimtar do të jetë mbi atë që ne kemi bërë apo nuk e kemi bërë ndaj të afërmit. Do të ndodhë tamam ashtu si ka thënë Shën Gjoni i Kryqit: «Në mbrëmjen e jetës, do të gjykohemi mbi dashurinë». Le t’i meditojmë këto rreshta më konkretisht.

Pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi. Nuk është e vështirë të shihet se sot në botë uria është mjaft e pranishme. Kjo nuk ndodh sepse Zoti nuk kujdeset për njerëzit, as sepse mungon ushqimi, por sepse mungon një shpërndarje e drejtë e të mirave tokësore. Prandaj mund të thuhet se uria është fryt i varfërisë, dhe varfëria është fryt i padrejtësisë: ka prej atyre që kanë me tepri, dhe ka prej atyre që u mungon edhe më e nevojshmja. Shën Tereza ka thënë: “Nëse ndonjëherë njerëzit tanë të varfër e vdesin urie, nuk është sepse Zoti nuk kujdeset për ta, por sepse ne nuk kemi qenë instrumente dashurie në duart e Tij.” Në lutjen Ati Ynë, Jezusi na mëson të themi: “Bukën tonë të përditshme na e jep sot.” Jo bukën time, as vetëm bukën e familjes sime, por bukën tonë. Në të vërtetë nuk është pasuria, as varfëria që na e garanton apo na përjashton nga Parajsa, por aftësia, apo paaftësia për të parë me mëshirë ata që janë afër nesh dhe kanë nevojë për ne.

Isha shtegtar e më përbujtët. Në lidhje me ketë me vjen në mendje shembulli ekzemplare i mikpritjes që Abrahami ju bën tre mysafirëve të panjohur. Buzëqeshja në fytyrën e Abrahamit ishte ajo që i thoshte më së pari mysafirit mirëserdhe, pastaj  shoqërohet me hapjen e krahëve të tij, për t’i përqafuar ata që i afrohen tendës se tij.  Shkrimi i Shenjtë thotë se ishte pika e zhegut kur ata tre mysafire i shkojnë Abrahamit, pra ishte koha e pushimit, por ky fakt, nuk ja mbyll zemrën atij. Me të vërtetë të dashur dëgjues, nëse shtegtarin e presim si duhet, ai do të na lërë bekimin. Mysafirët që Abrahami priti i thonë: Sara, gruaja jote, do të ketë djalë” dhe ashtu ndodhi. Atij i lindi djali, i cili do të bëhej trashëgimtar i premtimeve të Zotit.

Gjithashtu duke ushtruar mikpritje zemra jone hapet gjithnjë e më shumë dhe ne mësojmë ta presim mirë edhe Shpirtin Shenjt i cili thirret Mik i ëmbël i shpirtit tonë.

Isha i zhveshur e më veshët. Një episod nga jeta e Shën Martinit na ndihmon në realizimin konkret të kësaj Fjalës. Në kohen kur Shenjti ynë ishte ushtar i Perandorisë Romake, tek porta e qytetit takon një të varfër gjysme të zhveshur i cili dridhej nga të ftohtit. Shën Martini e pa atë person në atë gjendje dhe ndjeu dhimbje për të. Hoqi mantelin e tij, e ndau për gjysme, e njërën pjesë ja dha njeriut që vuante nga i ftohti, e pjesën tjetër e mbajti për vete. Dhe natën pas, Martinit ju duk Krishti i veshur me gjysmën e mantelit që Martini i kishte dhuruar të varfrit. Në atë moment vetë Jezusi e falënderon Martinin për gjestin që ai kishte bërë ndaj njeriut që vuante nga të ftohti.

I sëmurë e erdhët të më shihni. Papa Francesku thotë: Te mos i lëmë kurrë vetëm të sëmurët! Spitalet janë katedrale të vërteta të dhimbjes, në të cilat duhet të bëhet e dukshme edhe forca e dashurisë. Për një person të sëmurë, një vizitë siç duhet është një Ilaç i mirë. Një buzëqeshje, një përkëdhelje, një shtrëngim dore, janë gjeste të thjeshta por janë shumë të rëndësishme për atë që është i sëmurë.

Në kuptimin me të thellë te vizitosh të sëmurin do të thotë te shohësh  me zemër, d.m.th. i sëmuri duhet ta shoh në fytyrën tënde dhe në sytë e tu një dashuri, dhe një interes për situatën e tij.

Isha në burg e erdhët tek unë. E dimë të dashur dëgjues se në të shumtën e rasteve, nëse dikush është në burg është sepse ka gabuar. Por duhet edhe ta dimë mirë  se çdo i burgosur, pavarësisht asaj që ka bërë, mbetët gjithmonë një person shumë i dashur prej Zotit. Zoti e do aq shumë, saqë vetë Jezu Krishti identifikohet me ta, duke na thënë: Isha në burg dhe erdhët të më shihni. Papa Francesku ka thënë: Duhet të besojmë se edhe në shpirtin e tyre ka mirësi, dhe nuk duhet ta drejtojmë gishtin gjykues drejt tyre, por të bëhemi të afërmit e tyre. Po kush mund të depërtoje në thellësitë e ndërgjegjes se një te burgosuri për ta kuptuar se çfarë përjeton ai? Kush mund ta kuptoje dhimbjen dhe vetminë e shpirtit që një i burgosur përjeton? Ka shumë mënyra nëpërmjet të cilave mund ti ndihmojmë të burgosurit p.sh. nëpërmjet vizitave, letrave, duke i dërguar ndonjë libër, e në veçanti duke i mbajtur vazhdimisht në lutjet tona.

 

O Mari, Nënë e mëshirës, na mëso të shohim Birin tënd në çdo të varfër, e në çdo të vuajtur, dhe të duam siç don ti. Amen.