Është Zotëria?
10 Prill 2026
UNGJILLI I DITËS
“Është Zotëria?”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjn 21, 1-14
Pastaj Jezusi prapë iu dëftua nxënësve në breg të detit të Tiberiadit. U dëftua kështu: Ishin bashkë Simon‑Pjetri, Toma, që quhet Binjak, Natanaeli, nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë prej nxënësve të tij. U tha Simon‑Pjetri: “Po shkoj të gjuaj peshk.” “Po vijmë edhe ne me ty!” ‑ i thanë ata. U nisën, pra, e hynë në lundër, por atë natë nuk zunë asgjë. Kur zbardhi drita, ja, Jezusi në breg. Nxënësit nuk e dinin se ishte Jezusi. Jezusi u tha: “Djelmosha, a keni ndopak peshk?” “Jo!” ‑ u përgjigjën ata. Ai u tha: “Qitni rrjetën në anën e djathtë të lundrës e do të gjeni!” Ata e hodhën e nuk mund ta nxirrnin, aq u ngarkua me peshk. Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Simon‑Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm ‑ sepse ishte i zhveshur ‑ dhe u hodh në det. Nxënësit e tjerë erdhën me lundër duke hequr rrjetën me peshk, sepse nuk ishin larg bregut ‑ reth dyqind kutë.
Si dolën në tokë, panë zjarrin me prush e mbi të peshk, dhe bukë. Jezusi u tha: “Bini ndonjë nga peshqit që zutë tani!” Atëherë Simon‑Pjetri hipi në lundër, e nxori në tokë rrjetën plot me peshk: njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Dhe, megjithëse ishin aq shumë, prapë nuk u shqye rrjeta. Jezusi u tha: “Ejani e hani!” Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria. Jezusi u afrua, mori bukën e ua dha. Po ashtu edhe peshkun. Ishte kjo hera e tretë që Jezusi iu dëftua nxënësve të vet pasi u ngjall së vdekuri.
Dëgjuam se Pjetri thotë: “Po shkoj të gjuaj peshk.” Kjo tregon gjendje shpirtërore të Pjetrit. Ai po kthehet prapa. Ndoshta ai mendon: “Kam dështuar…” “E mohova Zotin…” Tash: “Po shkoj të gjuaj peshk”. Sa herë kjo ndodh edhe me ne, pas një rënieje shpirtërore, pas një zhgënjimi, pas një mëkati. Kur nuk dimë si të përballemi me dështimin tonë, kthehemi te zakonet e vjetra, te mëkatet e vjetra, te jeta e vjetër...
Atë natë nuk zunë asgjë. Ajo natë është nata e lodhjes pa fryt, nata e përpjekjeve të kota, nata e zhgënjimit, sepse rrjetat janë bosh.
Nata pa peshk është simbol i një jete pa Krishtin. Por: kur zbardh drita, Jezusi është aty. Ata nuk e dinë, sepse nuk e njohin. Zoti është më afër se sa mendojmë, por jo gjithmonë e njohim praninë e Tij. Ai vjen në përditshmërinë tonë, në dështimet tona, në momentet kur mendojmë se gjithçka është bosh.
Pyetja e Jezusi është prekëse: “A keni ndopak peshk?” Jezusi e di përgjigjen. E di se janë munduar gjithë natën dhe nuk kanë zënë asgjë. Por dëshiron që ata ta pranojnë dështimin e tyre. “Jo!”, u përgjigjën ata. Kjo është porta e parë e hirit: të pranojmë se pa Jezusin nuk kemi dhe nuk mundemi asgjë.
Jezusi u tha: “Qitni rrjetën në anën e djathtë të lundrës e do të gjeni!” Ata kishin përvojë si peshkatarë, por dështuan. Kur iu bindën fjalës së Jezusit, gjithçka ndryshoi. Dhe menjëherë: rrjeta mbushet plot. Kështu edhe ne, kur të na ndodh që të lodhemi e të mundohemi dhe nuk shohim rezultate të mira, jemi të thirrur të ndalemi dhe të dëgjojmë më thellë Zotin. Sepse shpesh nuk mungon përpjekja jonë, por mungon dëgjimi i zërit të Tij. Kur e hapim zemrën ndaj fjalës së Zotit dhe i bindemi asaj, atëherë edhe dështimet tona Zoti i kthen në bekim.
Atëherë nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Po, dashuria percepton dhe njeh. Në lidhje me ketë Shën Agustini: “nuk sheh më mirë ai që ka sy më të mprehtë, por ai që do më shumë”. Pra, njohja e Zotit nuk është vetëm çështje mendjeje, por e një marrëdhënieje të thellë me Të.
Kur arrijnë në breg, ndodh diçka shumë e bukur. Jezusi tashmë ka bërë gati: zjarrin, bukën, peshkun. Këtu, të dashur dëgjues, detaji i “zjarrit me prush” nuk është i rastësishëm. Në Ungjill, një zjarr i tillë përmendet edhe kur Pjetri e ka mohuar Jezusin (Gjn 18,18). Zoti nuk e fshin të kaluarën, por e shndërron atë në vend takimi dhe shërimi. Pra, zjarri bëhet simbol i pastrimit, faljes dhe ripërtëritjes së Pjetrit.
Jezusi u tha: “Ejani e hani!” Jezusi nuk mban distancë. Ai thotë: “Ejani.” Zoti ynë është Zot i afërsisë, i butësisë dhe i dhembshurisë. Ai nuk gjykon nga larg, nuk flet me ton të ashpër, por na afrohet, na ushqen dhe qëndron me ne. Jezusi merr bukën dhe ua jep. Kjo na çon drejtpërdrejt tek Eukaristia. Eukaristia është vendi ku i Ringjalluri bëhet vazhdimisht i pranishëm në Kishë. Pra, i njëjti Jezus që ushqeu dishepujt, vazhdon të na ushqejë sot. Thotë Ungjilli se: “Askush nuk guxoi ta pyesë: Kush je ti?”, sepse tashmë e dinin. Ky është një moment shumë i bukur. Qëndrimi me Jezusin është më shumë përjetim i brendshëm sesa shpjegim me fjalë. Për Benedikti XVI, kjo është forma më e lartë e besimit: një siguri e brendshme që nuk ka nevojë për fjalë.
Kështu: Ungjilli sot të thotë edhe ty i dashur dëgjues: mos ki frikë nga dështimi yt. Mos u mbyll në të kaluarën. Mos u dorëzo në netët e zbrazëta. Jezusi qëndron në “bregun” e historisë sate, të flet, të ushqen dhe i jep kuptim përpjekjeve dhe mundit tënd.
O Krisht i Ngjallur, Ti që më pret në bregun e jetës sime, më mëso të të njoh në çdo moment. Kur jam i lodhur, më jep pushim; kur jam bosh, më mbush me hirin Tënd; kur nuk shoh rrugëdalje, më thuaj: “Hidhe rrjetën në anën e djathtë”. Dhe më jep zemër që të dëgjoj Fjalën Tënde! Amen.