Feja jote të shpëtoi!

11 NENTOR 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

“Feja jote të shpëtoi!”

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTE SIPAS LUKES – Lk 17,11-17

 

Në atë kohë, duke urdhëtuar për Jerusalem, Jezusi kaloi nëpër Samari e Galile. Kur hyri në një fshat (i) dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg e filluan të bërtasin: »Jezus, Mësues, ki dhimb për ne!« Kur i pa u tha: »Shkoni e paraqituni priftërinjve!« E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan. Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh. Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe iu falënderua. E ky ishte samaritanas. Jezusi mori fjalën e tha: »Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë tjerët? A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t'i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji? Çohu e shko - i tha - feja jote të shpëtoi!«

Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm na tregon takimin e Jezusit me dhjetë të gërbulurit, njerëz të sëmurë dhe të përjashtuar nga shoqëria. Ata qëndrojnë larg dhe, duke ngritur zërin, i drejtohen Jezusit: “Jezus, Mësues, ki mëshirë për ne!” (Lk 17,13). Në këtë thirrje të tyre gjejmë edhe lutjen e shumë njerëzve sot: “O Zot, ki mëshirë për mua; shëromë; më ndihmo; mos më lër vetëm.” Jezusi nuk i përbuz dhe nuk largohet prej tyre. Ai i dëgjon dhe u thotë: “Shkoni e paraqituni priftërinjve!” Ata nisen dhe, gjatë rrugës, ndodh mrekullia: “Ndërsa po shkonin, u pastruan.” (Lk 17,14).

Këtu ndodh diçka shumë e rëndësishme. Ata fillojnë të ecin me besim përpara se ta shohin mrekullinë. Jezusi nuk u thotë: “Prisni këtu dhe pastaj nisuni kur të shëroheni.” Ai u kërkon të besojnë dhe të hedhin hapin e parë. Shpesh edhe në jetën tonë Hyji na kërkon të bëjmë një hap besimi, edhe kur ende nuk e shohim përgjigjen e lutjes sonë. Ndoshta dikush lutet për një familjar, për një të sëmurë, për një fëmijë që është larguar nga Zoti, për një martesë në vështirësi, për një problem që duket pa zgjidhje. Ne duam ta shohim menjëherë mrekullinë. Por Ungjilli na mëson: besimi shpesh fillon duke ecur përpara, duke i besuar fjalës së Jezusit edhe kur rruga ende nuk është e qartë.

Por mrekullia e sotme nuk përfundon me shërimin e dhjetë gërbulurve. Ungjilli na tregon se vetëm njëri prej tyre, kur pa se ishte shëruar, u kthye duke lavdëruar Hyjin me zë të madh dhe ra përmbys para këmbëve të Jezusit për ta falënderuar. Dhe ishte samaritan. Jezusi pyet: “A nuk u pastruan të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët?” (Lk 17,17).

Kjo është pyetja që sot i drejtohet secilit prej nesh: Ku janë falënderimet e mia? Shpesh dimë shumë mirë t’i kërkojmë Hyjit. Kur kemi nevojë, lutemi. Kur jemi të sëmurë, kërkojmë shërim. Kur kemi probleme, kërkojmë ndihmë. Kur kemi frikë, kërkojmë mbrojtje. Por kur e marrim atë që kemi kërkuar, sa shpejt harrojmë të kthehemi dhe t’i themi: “Faleminderit, o Zot!”

Të gjithë u shëruan, por vetëm njëri u kthye. Të gjithë morën dhuratën, por vetëm njëri kuptoi Kush ishte Dhuruesi. Ky është ndryshimi midis një zemre që merr dhe një zemre që është mirënjohëse. Mirënjohja na ndihmon të mos e shohim jetën si diçka që na detyrohet, por si një dhuratë.

Shën Augustini, në reflektimet e tij mbi mirënjohjen, na mëson se njeriu duhet ta njohë të mirën që merr dhe ta kthejë atë në lavdërim të Hyjit. Zemra mirënjohëse nuk ndalet vetëm tek dhurata, por lartësohet drejt Dhuruesit. Edhe Shën Ambrozi, duke komentuar këtë episod, e vë në dukje faktin se të dhjetët morën mëshirë, por ai që u kthye te Krishti mori diçka më të madhe: ai jo vetëm u pastrua nga sëmundja, por u takua në një mënyrë më të thellë me Shëlbuesin. Prandaj Jezusi i thotë samaritanit: “Ngrihu e shko! Feja jote të shpëtoi.” (Lk 17,19).

Vëreni ndryshimin: të dhjetët u pastruan, por Jezusit i intereson edhe shpëtimi i zemrës. Mrekullia fizike ishte vetëm fillimi. Jezusi dëshiron t’i japë njeriut një jetë të re. Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Ndonjëherë i kërkojmë Jezusit vetëm që të ndryshojë rrethanat tona, ndërsa Ai dëshiron të ndryshojë edhe zemrën tonë. Ne kërkojmë që të zhduket problemi, ndërsa Jezusi dëshiron të na japë një besim më të madh. Kërkojmë të mos vuajmë, ndërsa Ai dëshiron të jetë me ne edhe në mes të vuajtjes.

Samaritani u kthye te Jezusi sepse kuptoi se shërimi i tij nuk ishte thjesht një ngjarje, por një takim me mëshirën e Hyjit. Ai nuk mund të vazhdonte rrugën sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Dashuria e kishte prekur dhe zemra e tij duhej të përgjigjej me falënderim.

Të dashur dëgjues, edhe ne kemi shumë arsye për të falënderuar. Ndoshta kemi kaluar sprova, por jemi ende në këmbë. Ndoshta kemi derdhë lot shumë, por Hyji na ka dhënë forcë. Ndoshta kemi humbur diçka, por kemi marrë edhe dhurata që nuk i kemi vënë re. Ndoshta lutja jonë nuk është përgjigjur në mënyrën që dëshironim, por Zoti nuk na ka braktisur. Le të mësojmë të themi jo vetëm “O Zot, më jep”, por edhe “Faleminderit, o Zot!” Faleminderit për jetën. Faleminderit për familjen. Faleminderit për njerëzit që na duan. Faleminderit edhe për ata që na kanë mësuar diçka përmes vështirësive. Faleminderit për besimin, për Kishën, për Fjalën e Hyjit dhe për Eukaristinë. Faleminderit sepse, edhe kur ne largohemi, Ti nuk lodhesh duke na kërkuar. Vetë fjala Eukaristi d.m.th. falënderimin. Në Meshë, Kisha bashkohet për t’i dhënë lavd Atit për Krishtin dhe për veprën e shpëtimit. Prandaj i krishteri është njeri i falënderimit. Edhe kur jeta nuk është e përsosur, ai mund të gjejë një arsye për të thënë: “O Zot, të falënderoj sepse Ti je me mua.”

Lutja

O Jezus i mëshirshëm, tw faleminderoj për çdo të mirë që më ke dhënë, për ato që i shoh dhe për ato që shpesh i harroj. Më fal kur të kërkoj vetëm në nevojë dhe harroj të të falënderoj. Më jep zemrën e samaritanit që u kthye tek Ti. Bëj që çdo ditë e jetës sime të bëhet një “faleminderim” për dashurinë tënde. Amen.