Fytyra i shkëlqeu porsi dielli!
6 GUSHT 2026
UNGJILLI I DITES
“Fytyra i shkëlqeu porsi dielli!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT - (Mt 17,1-9)
Pas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllain e tij e i çoi në vetmi në një mal të lartë. Atëherë u shndërrua para syve të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. Dhe ja, atyre iu dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të. Atëherë Pjetri i tha Jezusit: “Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu: nëse do ti, po ngre këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.” E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shndritshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjojeni!” Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën së tepërmi. Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!” Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm. Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi: “Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.”
Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm na fton të ndalemi përballë një prej mistereve më të thella të jetës së Krishtit: Shndërrimi i Jezusit. Jezusi merr me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin – tre dishepujt që do të jenë pranë Tij si në dritën e Taborit, ashtu edhe në errësirën e Gjetsemanit. Ai i çon në mal, në vendin ku toka prek qiellin, në vendin e takimit me Hyjin, që t’u hapë sytë për të parë lavdinë e Tij dhe veshët për të dëgjuar zërin e Atit. Ndërsa Jezusi qëndron në lutje para Atit, Fytyra e Tij ndriçon si dielli dhe petkat e Tij bëhen të bardha si drita. Kjo dritë nuk është një shkëlqim i jashtëm; ajo është shfaqja e lavdisë së brendshme që buron nga bashkimi i përjetshëm i Birit me Atin. Është shkëlqimi i dashurisë së amshuar të Atit, që për një çast depërton përmes velit të mishit njerëzor dhe zbulon lavdinë e Fjalës së mishëruar.
Shndërrimi i Jezusit është një paraprirje e lavdisë së Ringjalljes dhe një forcim për dishepujt, që kur të kalojnë errësirën e Gjetsemanit dhe dhimbjen e Kalvarit, të mos e humbin besimin, por të kujtojnë se pas Kryqit vjen drita e Ringjalljes.
Pranë Jezusit shfaqen Moisiu dhe Elia. Moisiu – figura e Ligjit; Elia – zëri i Profetëve. Prania e tyre tregon se gjithçka që Hyji ka thënë dhe premtuar gjatë historisë, gjen përmbushjen e vet në Krishtin.
Atëherë Pjetri, i mahnitur nga bukuria e asaj lavdie, i thotë Jezusit: “Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu...” Pjetri, duke parë lavdinë e Krishtit, nuk dëshironte të zbriste më nga mali, sepse kishte shijuar një grimë të gëzimit qiellor. Por Jezusi do t’u tregojë dishepujve se lavdia e vërtetë kalon përmes Kryqit.
Ndërsa Shën Agustini e sheh dëshirën e Pjetrit si një figurë të shpirtit që kërkon të banojë në gëzimin e Hyjit. Ai thotë se njeriu shpesh dëshiron të qëndrojë në përvojat e ngushëllimit shpirtëror, por Zoti e thërret të zbresë nga mali për të dashur dhe për të shërbyer në botë.
Edhe ne, të dashur dëgjues, kur në lutje përjetojmë ëmbëlsinë e pranisë së Zotit dhe zemra jonë mbushet me gëzimin hyjnor, do të dëshironim të qëndronim gjithmonë në atë dritë, pa u kthyer më në përditshmërinë tonë, ku na presin lodhjet, sprovat, konfliktet dhe kryqet e jetës. Por jeta e krishterë nuk është qëndrim i përhershëm në malin e ngushëllimeve. Është edhe zbritje për të shërbyer, për të dashur, për të falur.
Pastaj një re e ndritshme i mbulon. Dhe dëgjohet zëri i Atit: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjojeni!” Para se dishepujt të shohin fytyrën e Krishtit të mbuluar me gjak në Kalvar, Ati u lejon të shohin fytyrën e Tij të ndriçuar në Tabor. Para se të dëgjojnë britmën e Krishtit: “Hyji im, Hyji im, përse më braktise?”, dishepujt dëgjojnë zërin e Atit: “Ky është Biri im i dashur.”
Po, të dashur dëgjues, urdhri i Atit: “Atë dëgjojeni!” është më i rëndësishëm se çdo zë tjetër në botë. Në një botë ku dëgjojmë shumë zëra – zërin e frikës, të krenarisë, të dëshpërimit dhe të dëshirave tona – Ati na drejton te Krishti, sepse vetëm Ai ka fjalët e jetës. Kush e dëgjon Krishtin, dëgjon zemrën e Atit; kush ecën pas Tij, ecën drejt dritës së jetës së amshuar.
Ungjilltari thotë se dishepujt, pasi dëgjojnë zërin e Atit, “ranë me fytyrë për dhe dhe u trembën së tepërmi”. Kjo nuk është vetëm frikë njerëzore, por përvoja e shpirtit që përballet me madhështinë dhe shenjtërinë e Hyjit. Por pikërisht aty shfaqet butësia e Krishtit. Ai afrohet, i prek dhe u thotë: “Çohuni e mos u trembni.” Ky është misteri i dashurisë hyjnore: Ai që zbulon madhështinë e Tij është i njëjti që përkulet drejt dobësisë sonë. Ata, kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm. Kjo është zemra e gjithë përvojës së Taborit. Mali i Shndërrimit na mëson se gjithçka tjetër mund të kalojë: emocionet, ngushëllimet, shenjat dhe përvojat e jashtëzakonshme. Por Krishti mbetet. Dhe ai që ka mësuar të shohë vetëm Jezusin, ka gjetur thesarin më të madh.
Edhe jeta jonë është thirrur për shndërrim. Kur lutemi me zemër të sinqertë dhe lejojmë që hiri i Hyjit të veprojë në ne; kur zgjedhim dashurinë në vend të urrejtjes, faljen në vend të hakmarrjes dhe përvujtërinë në vend të krenarisë, atëherë Krishti fillon të shndërrojë zemrën tonë dhe drita e Tij nis të shkëlqejë në jetën dhe në fytyrën tonë. Ndoshta jo me një shkëlqim të dukshëm për sytë e njerëzve, por me një paqe të thellë në zemër; me një paqe që nuk vjen nga rrethanat e jetës, por nga prania e Krishtit që banon në zemrën tonë.
O Zot Jezus, dritë e vërtetë që shndrit në errësirën tonë, shndërroj zemrat tona me hirin tënd. Na mëso të dëgjojmë zërin e Atit, të qëndrojmë me Ty në lutje dhe, të forcuar nga Shpirti i Shenjtë, të zbresim në jetën e përditshme për të sjellë dashurinë, faljen dhe paqen tënde. Amen.