“Gjoni ishte njeri i drejtë e i shenjtë!”
06 Shkurt 2026
UNGJILLI I DITËS
“Gjoni ishte njeri i drejtë e i shenjtë!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MARKUT -Mk 6, 14-29
Edhe mbreti Herod dëgjoi për Jezusin, sepse emri i tij u bë i njohur. Thuhej: “Gjon Pagëzuesi u ngjall prej të vdekurish, prandaj në të po veprojnë fuqitë mrekullibërëse”. Disa të tjerë thoshin: “Është Elia!” Prapë disa tjerë: “Është profet si çdo profet tjetër!” Kur dëgjoi, Herodi tha: “U ngjall Gjoni, ai, të cilit ia pata Shkurtuar kokën!” Dhe njëmend, vetë Herodi kishte dhënë urdhër të kapej Gjoni, të ngujohej në pranga e të burgosej. Shkaku ishte Herodiada, gruaja e Filipit, të vëllait të tij, të cilën e kishte marrë për grua. E pasi Gjoni i kishte thënë Herodit: “S’guxon ta mbash gruan e vëllait tënd!”, Herodiada e urrente dhe donte ta vriste, por nuk mundte, sepse Herodi e druante Gjonin. E dinte mirë se është njeri i drejtë e i shenjtë e prandaj edhe e mbronte. Kur e dëgjonte, trazohej fort në shpirt, por prapëseprapë e dëgjonte me ëndje. Por erdhi dita e volitshme, kur Herodi, me rastin e ditëlindjes së vet, u përgatiti një gosti bujarëve të vet, oficerëve të lartë dhe krerëve të Galilesë. Hyri vajza e Herodiadës e kërceu. I pëlqeu shumë Herodit dhe të ftuarve. Atëherë mbreti i tha vajzës. “Lyp prej meje çka të duash dhe unë do ta jap.” Dhe iu përbetua (shumë): “Do të jap gjithçka të më lypësh, qoftë edhe gjysmën e mbretërisë sime!” Ajo doli dhe i tha s’ëmës: “Çka të kërkoj? “Kokën e Gjon Pagëzuesit!” ‑ i tha ajo. Vajza u kthye vrik te mbreti e i tha: “Dua të ma japësh tani në pjatë kokën e Gjon Pagëzuesit.” Mbreti u trishtua, por për shkak të premtimit dhënë me përbetim e për shkak të të ftuarve, nuk deshi t’ia mohojë kërkesën. Mbreti menjëherë dërgoi një vrasës dhe urdhëroi t’ia sjellë kokën e Gjonit. Ky shkoi, ia Shkurtoi kokën në burg, e solli në pjatë, ia dha vajzës, kjo ia dha s’ëmës. Kur dëgjuan nxënësit e Gjonit, erdhën, morën trupin e tij dhe e shtinë në dhe.
Sot, Ungjilli na çon në dy vende krejt të kundërta: së pari në një burg të errët dhe pastaj në një pallat të mbushur me dritë, muzikë dhe festë. Por paradoksi i Fjalës së Hyjit është ky: në burg gjejmë Gjonin – të lidhur, por të lirë; në pallat gjejmë Herodin – të pushtetshëm, por skllav. Gjoni Pagëzuesi duke e shpallë të vërtetën vazhdimisht i thërriste të gjithë në kthimin e zemrës. Profeti këtë e kishte bërë edhe para Herodit. Në fakt ai (Herodi) e dëgjonte Gjonin me ëndje, por nuk donte ta ndryshonte jetën e tij. Ai e donte të vërtetën në fjalë, por jo në jetë. Po, të dashur dëgjues, Herodi e dëgjon fjalën, Herodi preket nga Fjala, Herodi trazohet prej Fjalës. Por ai nuk merr vendimin për kthim të jetës së vet. Papa Françesku thotë se ky është rreziku shpirtëror më i madh: “Të dëgjosh Fjalën dhe të mos ndryshosh”. Na bën mirë ta pyesim vetën: A jemi ne si Herodi, që e dëgjojmë Fjalën e Zotit, prekemi prej saj, por nuk e lejojmë të na shndërrojë zemrën dhe jetën?
Të dashur dëgjues, e dimë prej Ungjillit se Gjon Pagëzuesi vritet në burg. Sigurisht, Profeti mund të heshtet, madje edhe të vritet, por e vërteta mbetet e gjallë dhe vazhdon të flasë. Gjoni Pagëzuesi, në burg, humb kokën, por në qiell fiton kurorën e lavdisë. Ndërsa për ne Ai mbetet: profeti i ndërgjegjes, zëri i së vërtetës, dhe dëshmia se liria e vërtetë lind vetëm nga bindja ndaj Fjalës së Hyjit.
O Hyj i Mirë, na jep guximin e Gjon Pagëzuesit, që të duam të vërtetën jo vetëm me fjalë, por me jetë. Na liro nga frika e Herodit, nga dëgjimi pa kthim, nga ndërgjegjja që trazohet, por që nuk vendosë kur për kthimin e jetës. Amen.