Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë guri i këndit!

01 QERSHOR 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

 Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë guri i këndit!

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MARKUT- Mk 12, 1-12

 

Atëherë Jezusi filloi t’u flasë në shëmbëlltyra: “Një njeri mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, punoi shtrydhësin, ndërtoi kullën, ua dha për gjysmë vreshtarëve dhe shkoi në dhe të huaj.  Në kohën e duhur dërgoi shërbëtorin e vet te vreshtarët për të marrë prej tyre pjesën e vet të fryteve të vreshtit.  Ata e kapën, e rrahën dhe e nisën duarthatë.  Ai prapë dërgoi tek ata një tjetër shërbëtor, por edhe ketë e poshtëruan.  Pastaj dërgoi edhe të tretin: këtë e vranë. Çoi edhe shumë të tjerë. Edhe këta disa i rrahën e disa i vranë.  Kishte vetëm edhe një: djalin e vet të dishirit. Të fundit ua dërgoi atë. Mendonte. ‘Do të ma nderojnë djalin.’  Por ata, vreshtarët, i thanë njëri‑tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim e neve do të na mbesë trashëgimi!’  E kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit.  Ç’do t’u bëjë (tani) zotëria i vreshtit? Do të vijë e do t’i vrasë ata vreshtarë e vreshtin do t’ua japë të tjerëve.  Po a nuk i keni lexuar këto fjalë në Shkrimin e shenjtë: ‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë guri i këndit;  kjo është vepër e Zotit, sa mrekulli në sytë tanë!’“  Mendonin ta kapnin, por druanin popullin. E morën vesh mirë se Jezusi e kishte drejtuar këtë shëmbëlltyrë kundër tyre. E lanë e shkuan.

 

Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm është një nga shëmbëlltyrat më tronditëse që Jezusi tregoi në ditët e fundit të jetës së Tij tokësore. Kjo nuk është vetëm një histori për disa vreshtarë të padrejtë. Është historia e njerëzimit. Është historia e zemrës sonë.

Jezusi fillon: “Një njeri mbolli një vresht…” Atëherë vreshtarët fillojnë ta konsiderojnë vreshtin si pronën e tyre. Në realitet, njeriu modern nuk e mohon gjithmonë Hyjin me gojë; shpesh e mohon duke jetuar sikur Hyji nuk ekziston. Vazhdon Jezusi: Vreshtari dërgon shërbëtorët për të marrë frytet. Zoti na ka besuar vreshtin e jetës sonë që të japim fryte shenjtërie. Dhe vreshti nuk është vetëm bota në përgjithësi. Vreshti është: familja jonë, puna jonë, studimet, përgjegjësitë, marrëdhëniet, detyrat e vogla të përditshme. Këtu Zoti pret fryte. E frytet nuk janë vetëm fjalë të bukura fetare, por janë: dashuria ndaj të afërmit, puna e bërë mirë, shërbimi ndaj të tjerëve, jeta e ndershme, lutja, falja.

Por, Ungjilli thotë: vreshtarët i kapën, i rrahën, i poshtëruan dhe i vranë. Në lidhje me këtë, Shën Josemaría Escrivá thoshte se këta shërbëtorë janë: frymëzimet e Shpirtit Shenjt, ndërgjegjja, Fjala e Hyjit, këshillat e njerëzve të mirë, ngjarjet e jetës, momentet e vetmisë dhe të dhimbjes. Por disa herë zemra jonë i refuzon. Sa herë: justifikojmë mëkatin, heshtim përballë së keqes, shtyjmë kthimin e zemrës, jetojmë me dy fytyra. Në këtë mënyrë ne rrahim “shërbëtorët” që Hyji dërgon në jetën tonë.

Tani është zemra e Ungjillit. Vreshtari thotë: Do të dërgoj birin tim të dashur.” Këtu shihet qartë zemra e Atit që nuk dorëzohet as përballë refuzimit të njeriut. Madje aty ku pritet drejtësia ndëshkuese, Hyji shfaq edhe më shumë thellësinë e dashurisë së Tij shpëtuese. Ai  dërgoi Birin e Tij të dashur. Pra, “Biri i dashur” nuk është vetëm një lajmëtar; Ai është Vetë Fjala e Hyjit, prania e gjallë e dashurisë së Atit në botë. Hyji nuk vepron nga larg, por hyn në historinë tonë, edhe duke e ditur se do të refuzohet. Po, Krishti është Biri që hyn me vetëdije në refuzim. Ungjilli na thotë se vreshtarët thanë: “Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim e neve do të na mbesë trashëgimi!” Kjo është tragjedia e krenarisë njerëzore. Këtu zbulohet iluzioni se njeriu mund ta zëvendësojë Hyjin dhe të zotërojë atë që nuk i përket atij. “Ta vrasim dhe trashëgimia do të jetë e jona”, është një gënjeshtër e madhe shpirtërore.

Trashëgimia nuk fitohet duke vrarë Trashëgimtarin, sepse në Krishtin, trashëgimia nuk është pronë për t’u marrë, por dhuratë për t’u pranuar.

Jezusi citon Psalmin: “Guri që ndërtuesit e hodhën poshtë u bë guri i qoshes.” Ky gur është vetë Krishti: Ai u përçmua nga njerëzit, por vendos nga Ati si themeli i shpëtimit. Ajo që për botën dukej humbje, u bë fitore. Bota mendoi: e mposhtëm Krishtin, e heshtëm të vërtetën, e varrosëm dashurinë. Por të dielën e Pashkëve, guri i hedhur poshtë u bë themel i historisë. Kjo ndodh edhe në jetën tonë. Edhe vuajtjet tona: lodhja, sëmundja, sakrificat, vështirësitë e punës, problemet familjare, mund të bëhen vend takimi me Krishtin. Nëse bashkohen me Kryqin, ato japin fryt që qëndrojnë për jetën e pasosur.

 

O Zot Jezus, bëje zemrën time vreshtin tënd të gjallë. Më mëso të mos e refuzoj zërin tënd, por ta pranoj me përvujtëri. Bëhu Ti Guri i këndit të jetës sime, që çdo gjë në mua të ndërtohet mbi Ty. Amen.