Guxim, jam unë, mos kini frikë!

03 GUSHT 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Guxim, jam unë, mos kini frikë!

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT -(Mt 14, 22-36)

 

Në atë kohë, aty për aty Jezusi i urdhëroi nxënësit të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndante popullin. Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm.  Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valëve, sepse era frynte kundër. Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. Por, menjëherë Jezusi u tha: “Guxim, jam unë, mos kini frikë!” Pjetri u përgjigj: “Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!”  “Eja!” - i tha. Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti: “Më shpëto, o Zot!” Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha: “Fepakët! Përse dyshove!” Kur hynë në barkë, pushoi era. Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë: “Me të vërtetë je Biri i Hyjit!” Pasi kaluan detin, u kapën në breg në Gjenezaret. Njerëzit e atij vendi, posa e njohën, e vunë në dijeni mbarë krahinën dhe ia sollën të gjithë të sëmurët.  I luteshin t’i lejonte t’i preknin vetëm kindin e petkut të tij. Ata që e prekën, u shëruan.

 

Ungjilli i sotëm na tregon se: “Jezusi u ngjit vetëm në mal për t’u lutur.” Pak çaste më parë kishte ushqyer shumë njerëz. Kështu, Jezusi na mëson se veprimtaria nuk mund ta zëvendësojë kurrë lutjen. Mund të jemi shumë të zënë, të bëjmë shumë të mira, të punojmë pa pushim, por nëse nuk gjejmë kohë për të qenë vetëm me Hyjin, zemra fillon të thahet. Shën Ambrozi thotë: “Ai që nuk gjen kohë për t’u ngjitur në malin e lutjes, rrezikon të zbresë në luginën e lodhjes, të krenarisë ose të ftohjes shpirtërore.”

Ndërkohë, gjatë natës, apostujt ndodhen në det dhe “barka përplasej prej valëve, sepse era frynte kundër.” Era që fryn kundër dhe valët që përplasen me barkën simbolizojnë vështirësitë, tundimet dhe frikërat që përballon njeriu gjatë udhëtimit të tij shpirtëror. Nata simbolizon errësirën e besimit, ato çaste kur Hyji duket i heshtur dhe njeriu mendon se është vetëm.

Por Ungjilli na thotë edhe diçka shumë të rëndësishme: Jezusi nuk i lë vetëm apostujt. Krishti nuk shkon në fillim të stuhisë, por në orën më të errët të natës, në rojën e katërt. Edhe pse ata nuk e shihnin, Ai i shihte. Edhe pse mendonin se ishin vetëm, Ai po ecte drejt tyre. Por, kur apostujt e shohin Jezusin duke ecur mbi ujë, frikësohen dhe thonë: “Diçka po na shtihet!” Ja si frika mund të na verbojë deri në atë pikë sa të mos e njohim praninë e Zotit pranë nesh. Zemra e frikësuar sheh vetëm dallgët; zemra me besim sheh Krishtin që ecën mbi to. Fakti që Jezusi ecën mbi ujë ka një kuptim të thellë: Ai është Zot mbi gjithçka që e kërcënon njeriun. Ajo që për njeriun është burim frike dhe pasigurie, Krishti e ka nën pushtetin e Tij. Prandaj, asnjë stuhi në jetën tonë nuk është më e madhe se fuqia e Tij.

Ndërsa apostujt dridheshin nga frika, Jezusi u tha: “Guxim, jam unë, mos kini frikë!” Në greqisht Jezusi përdor shprehjen “Ego eimi” – “Unë Jam”, emri me të cilin Hyji iu zbulua Moisiut. Pjetri përgjigjet: “Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti.” Jezusi i thotë vetëm: “Eja!” Një fjalë, por e mbushur me fuqinë e Hyjit. Atëherë Pjetri zbret nga barka dhe fillon të ecë mbi ujë. Jo sepse është i fortë, por sepse shikon Jezusin. Besimi nuk është të mos kesh frikë; besimi është të mbash shikimin te Krishti edhe kur ke frikë.

Por Ungjilli vazhdon: “Kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë...” Ungjilli nuk thotë se stuhia u bë më e fortë në atë çast. Era kishte fryrë gjatë gjithë kohës; ajo që ndryshoi nuk ishte deti, por zemra e Pjetrit. Ai ndaloi së shikuari Jezusin dhe filloi të fundosej. Edhe ne shpesh fundosemi jo sepse problemet janë shumë të mëdha, por sepse largojmë shikimin nga Jezusi dhe shikojmë vetëm problemet, mëkatet tona, të ardhmen, sëmundjen, padrejtësitë dhe frikërat. Kur sytë ndalen te problemi, zemra mbushet me frikë. Pjetri, ndërsa po fundosej, bërtiti: “Më shpëto, o Zot!” Kjo është lutja që Hyji nuk e lë kurrë pa përgjigje. Jezusi përnjëherë shtriu dorën dhe e kapi. Dora që shpëton Pjetrin është e njëjta dorë që do të shtrihet mbi Kryq për shpëtimin e botës. Biri i Hyjit zgjati dorën për të na shpëtuar nga fundosja e mëkatit.

Ungjilltari thotë se, sapo Jezusi hyri në barkë, stuhia u qetësua. Ungjilli i sotëm na thotë: prano Krishtin në barkën tënde dhe zemra do të gjejë qetësi. Paqja nuk buron nga mungesa e stuhive, por nga prania e Krishtit.

Atëherë apostujt u përkulën me nderim para Jezusit e thanë: “Me të vërtetë je Biri i Hyjit!” Ja, të dashur dëgjues, besimi i tyre nuk lindi nga deti i qetë, por nga stuhia. Dishepujt nuk arrijnë në këtë rrëfim duke parë një mrekulli të lehtë. Ata arrijnë tek ai pasi kanë kaluar frikën, natën dhe dobësinë. Edhe në jetën shpirtërore, shpesh njohja më e thellë e Krishtit lind jo në ditët e rehatisë, por në netët kur duket se gjithçka po shembet. Pikërisht aty Krishti zbulohet si “Unë Jam”, Ai që nuk na lë vetëm.

 

O Jezus, kur dallgët e jetës trazojnë zemrën time dhe frika më verbon, mos lejo t’i largoj sytë e zemrës prej Teje. Bëj që ta dëgjoj çdo ditë zërin Tënd: “Guxim, jam unë, mos ki frikë!” dhe ta ndjek me besim, derisa të arrij në bregun e jetës së pasosur. Amen.