Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet.
15 Prill 2026
UNGJILLI I DITËS
Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet.
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjn 3, 16-21
Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur. Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të. Kush beson në të, nuk dënohet, ndërsa, kush nuk beson, ai është dënuar që tani, pse nuk besoi në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit. E gjykimi është ky: Drita erdhi në botë, por njerëzit më tepër deshën errësirën se dritën, sepse veprat i kishin të këqija.
Vërtet, kushdo që bën të keqen, e urren dritën dhe nuk del në dritë që të mos i zbulohen veprat e tij, kurse ai që e vë në zbatim të vërtetën, ai del në dritë që të dalë ballafaqe se veprat e tij u bënë siç thotë Hyji.”
Ungjilli sot është si një zemër që rreh në qendër të Shkrimit të Shenjtë: Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet... Këto fjalë janë zemra e shpalljes së krishterë dhe janë porta për të hyrë në misterin e Hyjit. Përpara këtij misteri ne kemi nevojë për heshtje, për adhurim, për një zemër të hapur. Sepse këtu flitet për një ngjarje: Hyji e ka dashur botën deri në dhurimin e Birit të vet. Dashuria e Hyjit nuk është përgjigje ndaj meritave tona. Nuk është: “Ti u bëre i mirë, prandaj Hyji të deshi.”
“Hyji aq fort e deshi botën…” Këtu fillon gjithçka. Jo nga kërkimi i njeriut, por nga dashuria e Hyji. Nga dashuria e Hyjit që bëhet dhuratë. Dhe kjo dhuratë ka një emër: Jezu Krishti. Hyji, të dashur dëgjues, nuk dërgon një mesazh. Ai dërgon Birin e vet. Prandaj nuk kemi arsye të jetojmë sikurse ne na duhet ta fitojmë dashurinë e Hyjit. Ungjilli na thotë edhe: “Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të.” Kjo fjali është si një dritë që shndrit në errësirën e frikës njerëzore. Sa shpesh njeriu e imagjinon Hyjin si një gjykatës të ftohtë, që pret gabimin tonë për të na ndëshkuar. Por kjo nuk është sipas Ungjillit. Kjo është frikë e veshur si fe. Ungjilli na zbulon se Hyji Atë dërgon Birin për të shpëtuar. Prandaj Kush beson në të, nuk dënohet, ndërsa, kush nuk beson, ai është dënuar që tani.
Gjykimi, të dashur dëgjues, nuk është vetëm diçka që ndodh në fund të jetës. Gjykimi ndodh kur ne vendosim për dritën ose për errësirën. Pra gjykimi është një qëndrim i zemrës ndaj dritës. Ndonjëherë ne nuk e refuzojmë Hyjin drejtpërdrejt. Ne thjesht zgjedhim errësirën e rehatisë sonë, errësirën në të cilën fshehim mëkatet e plagët tona. Në të vërtetë drita ka një karakteristikë të veçantë: ajo nuk lufton errësirën me forcë. Ajo thjesht shndrit-shfaqet. Dhe pikërisht kjo shndritje është gjykimi, sepse ajo zbulon atë që është fshehur. Drita, të keqen e fshehur e bën të dukshme. Prandaj thotë Jezusi: njerëzit më tepër deshën errësirën se dritën, “sepse veprat i kishin të këqija”. Errësira është një hapësirë ku njeriu fsheh atë që nuk dëshiron t'i zbulohet. Realisht të dashur dëgjues drita është e mirë, por është edhe e rrezikshme për krenarinë tonë. Kështu që: Kushdo që bën të keqen, e urren dritën dhe nuk del në dritë që të mos i zbulohen veprat e tij. Këtu është çelësi shpirtëror: njeriu nuk i frikësohet vetëm gjykimit të Hyjit, por edhe të vërtetës për veten. Sepse drita është gjykim i heshtur i ndërgjegjes. Kurse ai që e vë në zbatim të vërtetën, ai del në dritë ... Këtu kemi një paradoks të bukur: e vërteta nuk është thjesht diçka që thuhet, është edhe diçka që njeriu e bën. Të bësh të vërtetën do të thotë të jetosh pa maskë. Të bësh të vërtetën do të thotë të mos fshehësh plagët, të mos fshehësh gabimet as mëkatet.
Përfundoj të dashur dëgjues duke thënë se, krejt Ungjilli i sotëm e gjen kulmin në Kryqin e Krishtit. Kryqi është vendi ku drita dhe errësira takohen. Në kryq ndodh diçka e jashtëzakonshme: njeriu tregon errësirën e tij më të madhe. Ndërsa Hyji tregon dashurinë e Tij më të madhe. Në Kryq dashuria që pranon të vdesë fiton mbi çdo errësirë. Dhe edhe neve Ungjilli na vendos përpara një zgjedhjeje të thjeshtë, por vendimtare: A duam të jetojmë në dritë apo në errësirë dhe në fshehje?
Drita ka ardhur në botë, jo për të na frikësuar, por për të na çliruar. Prandaj, mos ik nga drita. Sepse vetëm në dritë njeriu bëhet i vërtetë. Vetëm në dritë njeriu shërohet. Vetëm në dritë njeriu shpëtohet.
O Hyj Atë i dashurisë, ti që na e dhe Birin tënd si dritë për botën, hapi zemrat tona që të mos kemi frikë nga e vërteta.
Na jep hirin të dalim nga errësira jonë dhe të ecim me guxim në dritën tënde, edhe kur ajo zbulon dobësitë tona. Na mëso të besojmë se dashuria jote nuk dënon, por shëron, fal dhe shpëton. Amen.