Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet!

14 SHTATOR 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet!

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT- Gjn 3, 13-17

 

Askush nuk u ngjit në qiell, përveç Birit të njeriut që zbriti nga qielli. Dhe, sikurse Moisiu e lartësoi  gjarprin në shkretëtirë, po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut, që kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur. Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur. Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të.

 

Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm na çon në zemrën e misterit të dashurisë së Hyjit. Jezusi i thotë Nikodemit: “Askush nuk është ngjitur në qiell, përveç Atij që zbriti nga qielli, Birit të njeriut.” (Gjn 3,13) Dhe më tej: “E sikurse Moisiu e lartësoi gjarprin në shkretëtirë, po ashtu edhe Biri i njeriut duhet të lartësohet, që kushdo që beson në Të ta ketë jetën e pasosur.” (Gjn 3,14-15)

Pastaj vjen një nga vargjet më të njohura dhe më të bukura të të gjithë Biblës: “Sepse Hyji aq fort e deshi botën, sa që dha një të vetmin Birin e vet, që të mos humbasë askush që beson në Të, por ta ketë jetën e pasosur.” (Gjn 3,16) Këtu kemi lajmin e madh të krishterimit: Hyji na do. Dhe dashuria e Tij nuk mbetet vetëm në fjalë; ajo bëhet dhuratë, kryq dhe shpëtim.

Jezusi e lidh kryqin e Tij me një ngjarje të Testamentit të Vjetër: gjarprin prej bronzi që Moisiu ngriti në shkretëtirë (krh. Nr 21,4-9). Populli i Izraelit kishte mëkatuar dhe ishte plagosur nga gjarpërinjtë. Hyji i dha Moisiut një shenjë: kush e shikonte gjarprin e ngritur, shpëtonte. Jezusi e përdor këtë figurë për të folur për kryqin. Por ndryshimi është i madh: gjarpri prej bronzi ishte një shenjë; Krishti në kryq është vetë Shpëtimtari. Në kryq, Jezusi merr mbi vete plagën e mëkatit dhe e shndërron atë në vend shpëtimi. Kjo është një nga paradokset më të mëdha të fesë sonë: ajo që dukej si humbje bëhet fitore; ajo që dukej si vdekje bëhet burim jete; ajo që dukej si turp bëhet lavdi.

Ndonjëherë njerëzit e shohin kryqin vetëm si simbol të vuajtjes. Por kryqi i Krishtit na thotë diçka shumë më të thellë: Hyji nuk qëndron larg dhimbjes sonë. Ai hyn në të. Kur ne vuajmë, Krishti është me ne. Kur qajmë, Ai është me ne. Kur jemi të braktisur, Ai është me ne. Kur ndihemi të padenjë për dashurinë e Hyjit, kryqi na thotë: “Shiko sa shumë të kam dashur”.

3. “Hyji aq fort e deshi botën…”-Ky është ndoshta mesazhi më i madh për secilin prej nesh. Jezusi nuk thotë: “Hyji e deshi botën sepse bota ishte e përsosur.” Jo. Hyji e deshi botën në gjendjen e saj të plagosur. Ai e deshi njeriun mëkatar. E deshi njeriun e dobët. E deshi atë që ishte larguar. E deshi atë që kishte humbur shpresën. E deshi edhe atë që kishte harruar Zotin. Kjo është dashuria e krishterë: dashuria e Hyjit na paraprin. Ne nuk duhet të bëhemi të përsosur që Hyji të na dojë. Përkundrazi, sepse Ai na do, ne mund të fillojmë të ndryshojmë. Shën Augustini na kujton se Hyji na ka krijuar për Veten dhe zemra jonë nuk gjen qetësi derisa të kthehet tek Ai. Prandaj, nëse dikush që na dëgjon sot ndihet i pavlerë, i harruar apo i braktisur, Ungjilli i thotë: Ti je i dashur nga Hyji.-Jo për atë që ke. Jo për sukseset e tua. Jo për atë që mendojnë të tjerët për ty. Je i dashur sepse je krijesë dhe bir i dashur i Hyjit.

Jezusi vazhdon: “…që të mos humbasë askush që beson në Të, por të ketë jetën e pasosur.” Këtu shohim zemrën e misionit të Krishtit: Ai nuk dëshiron humbjen e askujt. Sa shpresë ka në këtë fjalë! Edhe ai që është larguar nga Kisha mund të kthehet. Edhe ai që ka rënë shumë herë mund të ngrihet. Edhe ai që ka bërë gabime të mëdha mund të fillojë përsëri. Edhe ai që ka humbur shpresën mund ta gjejë përsëri. Kryqi është dera e hapur e mëshirës. Prandaj nuk duhet ta mbyllim kurrë derën për një njeri që dëshiron të kthehet. Nëse Hyji nuk heq dorë prej nesh, as ne nuk duhet të heqim dorë nga vetja dhe nga të tjerët.

Të shikosh kryqin- Çfarë do të thotë sot “të shikosh” Krishtin e ngritur në kryq? Nuk do të thotë vetëm të shohim një kryq të varur në mur. Do të thotë të besojmë në dashurinë që kryqi na zbulon. Kur shoh kryqin, duhet të kujtoj: Hyji më do. Kur kam mëkatuar: Hyji më pret. Kur jam i plagosur: Krishti është me mua. Kur nuk shoh rrugëdalje: Kryqi nuk është fundi; pas kryqit vjen ringjallja. Kryqi është një shkollë e dashurisë. Ai na mëson edhe ne të duam, të falim, të durojmë dhe të dhurojmë veten për të tjerët.

Ungjilli përfundon me një fjali që duhet ta mbajmë në zemër: “Sepse Hyji nuk e dërgoi Birin në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet nëpër Të.” (Gjn 3,17) Ky është një ndryshim i madh në mënyrën se si duhet ta shohim Hyjin. Jezusi nuk erdhi për të na thënë: “Po pres të gabosh që të të dënoj.” Ai erdhi për të na thënë: “Po të kërkoj që të të shpëtoj.” Prandaj sakramenti i Rrëfimit nuk duhet të shihet si një gjykatë ku shkojmë të turpëruar, por si vendi ku takojmë mëshirën e Atit.

Të dashur dëgjues, sot le të bëjmë një ushtrim të thjeshtë: të shikojmë kryqin dhe të heshtim për pak çaste. Pastaj të themi ngadalë: “Jezus, Ti më do.”m Jo “Ti më do kur jam i mirë”. Jo “Ti më do kur nuk gaboj”. Por: “Ti më do edhe në dobësinë time dhe dëshiron të më shërosh.” Pastaj ta pyesim veten: A mund ta çoj këtë dashuri te dikush tjetër? Në familje, nëse dikush na ka lënduar, të kujtojmë kryqin. Nëse dikush është i vetmuar, t'i afrohemi. Nëse dikush ka rënë, ta ndihmojmë të ngrihet. Nëse dikush ka gabuar, të mos e dënojmë pa mëshirë. Sepse kush e ka kuptuar kryqin e Krishtit nuk mund të jetojë me urrejtje në zemër.

 

O Jezus i kryqëzuar, sot dua të shikoj drejt Teje dhe të kujtoj se Hyji aq fort e deshi botën sa dha Birin e vet për shpëtimin tonë. Faleminderit për dashurinë që nuk dorëzohet kurrë. Kur jam i dobët, më forco; kur bie, më ngri; kur mëkatoj, më fal; kur vuaj, më qëndro pranë. Më mëso të shikoj kryqin jo si shenjë dëshpërimi, por si dëshmi të dashurisë dhe të shpresës. Dhe bëj që, pasi ta kem përjetuar mëshirën Tënde, edhe unë të di të dua, të fal dhe të shërbej. O Jezus, bëj që kryqi Yt të jetë gjithmonë themeli i jetës sime dhe shpresa e shpëtimit tim. Amen.