Hyji nuk është Hyji i të vdekurve, por i të gjallëve!
3 QERSHOR 2026
UNGJILLI I DITES
“Hyji nuk është Hyji i të vdekurve, por i të gjallëve!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MARKUT- Mk 12, 18-27
Saducenjtë që mësojnë se nuk ka ringjallje, erdhën dhe e pyetën: “Mësues, Moisiu shkroi për ne: ‘Po vdiq vëllai i ndokujt dhe e lë gruan pa fëmijë, vëllai i tij të martohet me gruan e tij e t’i lindë fëmijë vëllait të vet’. Tashti, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua dhe vdiq, por nuk la pasardhës. I dyti e mori atë e vdiq, por nuk la trashëgimtar. Po ashtu edhe i treti. Asnjëri prej të shtatëve nuk la trashëgimtar. Pas të gjithëve vdiq edhe gruaja. Pas ringjalljes (kur të ngjallen) gruaja e cilit do të jetë? Sepse, të shtatë e patën grua.” Jezusi u përgjigj: “Po a nuk jeni në gabim pikërisht pse nuk e kuptoni Shkrimin e shenjtë e pushtetin e Hyjit? Sepse, kur njerëzit të ngjallen prej së vdekuri, as burrat s’do të marrin gra, as gratë burra, por do të jenë porsi engjëjt në qiell. Për sa pastaj i përket çështjes së ringjalljes të të vdekurve, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut, në fragmentin mbi dukurinë e ‘Kaçubës’, se si i tha Hyji: ‘Unë jam Hyji i Abrahimit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit?’. Hyji nuk është Hyji i të vdekurve, por i të gjallëve. Jeni shumë gabim!”.
Ungjilli i sotëm është një nga tekstet më të fuqishme mbi ringjalljen, jetën e amshuar dhe mënyrën si Jezusi zbulon fytyrën e Hyjit si Hyj i jetës. Në këtë pjesë, e shohim Jezusin duke u përballur me Saducenjtë, të cilët janë të mbyllur në kufijtë e arsyes njerëzore dhe të ligjit tokësor. Ata janë njerëz fetarë, por pa besim në jetën e pasosur. Kanë tempullin, por jo qiellin. Kanë ligjin, por jo shpresën. Siç e dëgjuam në Ungjill, saducenjtë, të cilët nuk besonin në ringjallje, duke u mbështetur në ligjin e leviratit, të përshkruar në Ligjin e Përtërirë, i paraqesin Jezusit një rast të ndërlikuar: një grua që martohet me shtatë vëllezër, njëri pas tjetrit. Me këtë shembull, ata synojnë ta vënë në provë, duke e pyetur: në ringjallje, kur të ngjallen të vdekurit, gruaja e cilit prej tyre do të jetë?
Jezusi u jep një përgjigje të dyfishtë: “Po a nuk jeni në gabim pikërisht pse nuk e kuptoni Shkrimin e shenjtë e pushtetin e Hyjit?” Saducenjtë e njihnin Shkrimin, por nuk e lanë Fjalën e Hyjit të hynte në jetën e tyre. Ata e kufizuan Hyjin brenda logjikës njerëzore, prandaj nuk arrinin të shihnin jetën që Hyji premtonte përtej vdekjes. Në të vërtetë, njohja e Shkrimit nuk është vetëm studim, por takim personal me Krishtin. Vetëm ai që lutet me Fjalën e Hyjit fillon ta kuptojë se Hyji është Atë dhe se për Të asgjë nuk është e pamundur. Madje, pushteti i Hyjit shfaqet pikërisht aty ku njeriu sheh pamundësi. Hyji është Ai që krijon, fal, ringjall dhe ripërtërin. Prandaj kush e njeh vërtet Hyjin, nuk mund ta shohë vdekjen si fund, sepse Hyji është burimi i jetës.
Vazhdon Jezusi: “Sepse, kur njerëzit të ngjallen prej së vdekuri, do të jenë porsi engjëjt në qiell.” Ky është një nga momentet më sublime të tekstit. Saducenjtë imagjinojnë qiellin si vazhdim të tokës. Por Jezusi zbulon: qielli nuk është kopje e kësaj bote, por përmbushje e saj. Njeriu nuk është krijuar vetëm për kohën; ai është krijuar për amshim. Martesa tokësore është e shenjtë, por është shenjë e diçka je më të madhe. Dashuria njerëzore bëhet shenjë e dukshme e dashurisë së Hyjit dhe parapërgatitje për bashkimin me Të. Sigurisht, në amshim dashuria nuk zhduket, por pastrohet dhe hyjnizohet.
Atëherë Jezusi citon Librin e Daljes, ku Hyji i drejtohet Moisiut me fjalët: “Unë jam Hyji i Abrahamit, Hyji i Isakut dhe Hyji i Jakobit.” Vini re, të dashur dëgjues: Hyji nuk thotë: “Unë isha” Hyji i Abrahamit, Hyji i Isakut dhe Hyji i Jakobit, por thotë: “Unë jam”. Jo, Hyji nuk e mbyll marrëdhënien e Tij me njeriun me vdekjen, sepse besëlidhja e Tij është e përjetshme. Kur Hyji thotë se është Hyji i Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, Ai nuk flet për figura të zhdukura, por për persona që jetojnë në Të. Prandaj vdekja nuk ka fjalën e fundit. Ajo nuk është ndërprerje e dashurisë së Hyjit, por kalim në një mënyrë më të plotë të jetesës në Të. Hyji i gjallë nuk krijon marrëdhënie të përkohshme; çdo thirrje e Tij është për amshim. Prandaj, besimi i vërtetë lind kur njeriu e kupton se Hyji nuk është ide, por jetë. Dhe nëse Hyji është “Hyji i të gjallëve”, atëherë edhe ne jemi të thirrur të jetojmë tashmë si bij të jetës së amshuar.
Përfundon Jezusi: “Hyji nuk është Hyji i të vdekurve, por i të gjallëve.” Kjo fjalë e Jezusit nuk është vetëm ngushëllim, por shpallje e fuqishme: jeta në Hyjin nuk përfundon kurrë, sepse Ai vetë është Jeta. Po, të dashur dëgjues, Hyji është burimi i jetës së pavdekshme dhe të gjithë ata që i përkasin Hyjit jetojnë në një marrëdhënie të gjallë me Hyjin, sepse vetë Ai është jeta e tyre. Prandaj, për të krishterin, vdekja nuk është shkatërrim, por kalim në një jetë më të plotë. Shën Ambrozi thoshte: “Kush e sheh Krishtin, sheh jetën që nuk vdes.”
O Hyj, burim i jetës së amshuar, forcoje besimin tonë kur dyshojmë, ndriçoje mendjen tonë kur nuk kuptojmë. Na jep hirin të jetojmë çdo ditë me shpresën e ringjalljes dhe me sigurinë e dashurisë sate të amshuar. Amen.