I tha Zoti Zotit tim: rri në të djathtën time!

5 QERSHOR 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

I tha Zoti Zotit tim: rri në të djathtën time!

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MARKUT - Mk 12, 35-37

 

Kurse Jezusi, duke mësuar në Tempull, bëri këtë pyetje: “Si mund të thonë skribët se Mesia është biri i Davidit,   kur vetë Davidi, i shndritur prej Shpirtit Shenjt, tha: ‘I tha Zoti Zotit tim: rri në të djathtën time, derisa t’i vë armiqtë e tu shtrojë të këmbëve të tua?’ Vetë Davidi e quan atë Zot! Si është atëherë i biri?” Masat e popullit e dëgjonin me kënaqësi.

 

Ekzistojnë momente në Ungjill kur Jezusi nuk jep përgjigje, por bën pyetje. Dhe pyetjet e Tij janë më të forta se shumë predikime. Sepse pyetja e Krishtit depërton aty ku argumenti nuk arrin: në ndërgjegje. Dhe pikërisht në Tempull, afër Mundimit, Jezusi bën një pyetjen: Si mund të thonë skribët se Mesia është biri i Davidit…?

Në të vërtetë, në Ungjillin e Markut deri tani, shumë njerëz kanë folur për Jezusin: turmat, dishepujt, Pjetri, kundërshtarët dhe edhe demonet. Por identiteti i Jezusit mbetet pjesërisht i fshehur. Prandaj, tek Ungjilli i Markut ekziston ajo që shumë studiues e quajnë: “sekreti mesianik”. Pse? Sepse identiteti i Jezusit nuk mund të kuptohet plotësisht pa Kryqin. Në të vërtetë, Mesia pritej: si mbret, si pasardhës i Davidit, si restaurues i Izraelit. Por Skribët e kishin kufizuar Mesinë në kategori njerëzore dhe politike. Sepse ata donin: një Mesi politik, një mbret tokësor, një fitues sipas logjikës njerëzore. Jezusi është Mesia i premtuar në Shkrime, por jo Mesia që ata prisnin; Ai vjen krejt ndryshe nga pritjet e tyre. Jezusi është Mesia që shërben, Mesia që vuan dhe Mesia që jep jetën për botën. Jezusi është Mesia i kryqit.

Edhe ne, të dashur dëgjues, shpesh kërkojmë një Mesia sipas pritjeve tona. Shpesh kërkojmë një Zot që zgjidh menjëherë problemet tona dhe që i përshtatet dëshirave tona. Duam një Jezus që na ngushëllon, por jo që na qorton; që na fal, por jo që na mëson të falim; që na do, por jo që na thërret të ndryshojmë jetën.

Por Jezusi na ngushëllon në dhembjen tonë, por edhe na korrigjon në të vërtetën; na fal mëkatet tona, por edhe na mëson të falim; na do pa kushte, por edhe na thërret në pendim dhe kthim.

Vazhdon Ungjilli: Vetë Davidi, i shndritur prej Shpirtit Shenjt, tha… Pra, Davidi nuk foli nga vetja e tij, por ishte Shpirti i Shenjtë ai që fliste përmes tij. Kjo ka rëndësi të veçantë, sepse të vërtetat e Zotit nuk mund të kuptohen vetëm me mendje njerëzore. Duhet drita e Shpirtit Shenjt. Skribët, që i njihnin Shkrimet me mendje dhe i kishin studiuar gjatë, nuk e njohën Fjalën e gjallë që qëndronte përpara tyre; nuk e njohen Mesinë për të cilin Shkrimet dëshmonin. Dhe Skribët nuk e njohën Krishtin jo sepse Shkrimet nuk flisnin qartë për Të, por sepse ata i lexonin Shkrimet pa dritën e Shpirtit Shenjt dhe pa përvujtërinë e zemrës që i hapet së vërtetës.

Kjo është një paralajmërim edhe për ne. Mund të dimë shumë gjëra për fenë: mund të lexojmë libra, të dimë teologji, të citojmë Bibël, të bëjmë diskutime fetare, por pa Shpirtin Shenjt zemra mbetet e mbyllur. Apostujt nuk ndryshuan botën sepse kishin teori të bukura, por sepse kishin përjetuar fuqinë e Shpirtit Shenjt.

Pastaj, Jezusi citon fjalët e Psalmit 110: “I tha Zoti Zotit tim: rri në të djathtën time…”. Këtu Davidi e quan Krishtin ‘Zoti im’, duke treguar se Ai nuk është vetëm biri i Davidit sipas mishit, por Zoti i tij sipas hyjnisë. Ndërsa Shën Augustini thotë: këtu Ati i flet Birit. Pra, nuk është një njeri që i flet një njeriu, por Hyji Atë i flet Hyjit Bir: Rri në të djathtën time. Kjo do të thotë: bano në barazinë time, në lavdinë time, në amshimin tim. Dhe Ai që ulet në të djathtën e Atit është i njëjti që: ecën me dishepujt, prek të sëmurët, qan për Jerusalemin, dhe vdes në kryq. Kjo është madhështia e krishterimit: Hyji ka zbritur midis nesh. Në Krishtin Jezus, Ai hyn në frikërat, mëkatet, vetminë dhe plagët tona. Dhe na thotë: “Mos ki frikë. Unë jam.”

Jezusi vijon duke iu referuar Psalmit: “… derisa t’i vë armiqtë e tu shtrojë të këmbëve të tua.” Po kush janë armiqtë e vërtetë të jetës sonë? Shpesh besojmë se armiqtë tanë janë jashtë nesh—njerëzit, struktura apo kundërshtarët— por, të dashur dëgjues, armiqtë më të rrezikshëm jetojnë brenda nesh: mëkati, egoizmi, dembelizmi shpirtëror, mungesa e dashurisë, mosfalja, krenaria, frika… Këta janë armiqtë që Krishti dëshiron të vërë nën këmbët e Tij. Po, Krishti erdhi pikërisht që t’i fitojë këta armiq. Dhe fitorja e Krishtit nuk është thjesht pushtet — është shëlbim.

Tani Jezusi pyet përsëri: “Nëse Davidi e quan Zot, si mund të jetë vetëm biri i tij?” Pra, nëse Davidi e quan ‘Zoti im’, atëherë Biri nuk është thjesht një mbret tokësor; Ai është Fjala e amshuar që ekzistonte para Davidit. Krishti është njëkohësisht Biri i Davidit dhe Zoti i Davidit: Biri i Davidit sipas mishit, Zoti i Davidit sipas hyjnisë. Prandaj sot, të mos mjaftohemi vetëm duke e admiruar Jezusin, por ta adhurojmë me zemër, t’ia dorëzojmë plotësisht jetën tonë dhe ta vendosim Atë në qendër të gjithçkaje që jemi. Dhe atëherë do të kuptojmë se Ai që Davidi e quajti “Zot” është edhe: shpresa jonë, paqja jonë, shpëtimi ynë, dhe mbreti i përjetshëm i jetës sonë.

Përfundon Ungjilli me një detaj shumë të bukur: “Masat e popullit e dëgjonin me kënaqësi”. Në të vërtetë, njerëzit e thjeshtë nuk e dëgjonin Jezusin vetëm me veshë, por me zemër, dhe kjo thjeshtësi i bënte të hapur ndaj së vërtetës së Tij, sepse nuk janë të rënduara nga krenaria që vjen nga një dije pa thellësi.

Ajo kënaqësi që përjetonin duke dëgjuar Jezusin nuk ishte thjesht një admirim njerëzor, por ishte gëzimi i shpirtit që njeh të vërtetën dhe ndien afërsinë e Hyjit.

 

O Zot Jezus Krisht, na jep hirin të të njohim jo vetëm me mendje, por me zemër të hapur, që e vërteta jote të bëhet jeta jonë. Amen.