Ja, ne lamë çdo gjë dhe erdhëm pas teje!

 

11 KORRIK 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Ja, ne lamë çdo gjë dhe erdhëm pas teje!

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT - (Mt 19, 27-29)

 

Atëherë Pjetri mori fjalën dhe e pyeti: “Ja, ne lamë çdo gjë dhe erdhëm pas teje, çka, pra, do të fitojmë?” Jezusi u tha: “Për të vërtetë po ju them: ju që erdhët pas meje, në ripërtëritje të botës ‑ kur Biri i njeriut të rrijë mbi fronin e lavdisë së vet ‑ edhe ju do të rrini mbi dymbëdhjetë frone dhe do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Edhe kushdo që të lërë, për dashuri të emrit tim, shtëpi ose vëllezër, ose motra, ose babë ose nënë, ose grua ose fëmijë, ose ara, do të marrë njëqind për një dhe do të fitojë jetën e pasosur.

 

Në Ungjillin e sotëm, pyetja e Pjetrit lind nga dëshira për të kuptuar vlerën e sakrificës së bërë për Krishtin. “Ja, ne lamë çdo gjë dhe erdhëm pas teje, çka, pra, do të fitojmë?” Po, çfarë do të thotë sot “ta lësh gjithçka”? Të lësh gjithçka nuk do të thotë vetëm të heqësh dorë nga gjërat materiale, por do të thotë edhe të zbrazësh zemrën nga gjithçka që na largon prej Hyjit. Jo rrallë, zemra jonë tundohet të kërkojë gjithnjë e më shumë siguri, para, pushtet, aprovime nga njerëzit dhe komoditet. Në këtë mënyrë rrezikojmë të humbasim atë për të cilën jemi krijuar: bashkimin e përjetshëm me Hyjin.

Ungjilli vazhdon: “Për të vërtetë po ju them: ju që erdhët pas meje, në ripërtëritje të botës, kur Biri i njeriut të rrijë mbi fronin e lavdisë së vet, edhe ju do të rrini mbi dymbëdhjetë frone dhe do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit.” Këto fjalë të Jezusit na zbulojnë se ndjekja e Krishtit nuk është kurrë një humbje, por një pjesëmarrje në lavdinë dhe në mbretërinë e Tij. Kur Jezusi flet për "ripërtëritjen e botës", Ai i referohet krijimit të ri që fillon me Ringjalljen e Tij dhe që do të arrijë plotësinë në fund të kohëve, kur Hyji do të bëjë "qiell të ri dhe tokë të re". Dymbëdhjetë apostujt përfaqësojnë Izraelin e ri, Kishën e themeluar mbi Krishtin. Premtimi i "dymbëdhjetë froneve" tregon se ata do të marrin pjesë në autoritetin dhe mbretërimin e Krishtit. Megjithatë, ky mbretërim nuk është një pushtet sipas logjikës së botës, por një pjesëmarrje në dashurinë, të vërtetën dhe drejtësinë e Hyjit. Benedikti XVI na kujton gjithashtu se të "gjykosh", në kuptimin biblik, nuk do të thotë para së gjithash të dënosh, por të marrësh pjesë në fitoren e së vërtetës mbi gënjeshtrën dhe të dritës mbi errësirën. Apostujt do të gjykojnë sepse kanë jetuar me Krishtin, kanë dëgjuar fjalën e Tij dhe janë bërë dëshmitarë të mbretërisë së Hyjit. Çdo gjë e lënë për Krishtin merr kuptim në dritën e jetës së amshuar. Hyji është besnik dhe nuk lë pa shpërblim asnjë akt dashurie dhe besnikërie ndaj Tij. Prandaj, kjo fjalë e Jezusit është një ftesë për besim. Kur i japim diçka Zotit, ne nuk po heqim dorë nga jeta; përkundrazi, po ia besojmë Atij që mund ta kthejë çdo sakrificë në bekim dhe çdo humbje në lavdi.

Përfundon Jezusi: “Edhe kushdo që të lërë, për dashuri të emrit tim, shtëpi ose vëllezër, ose motra, ose babë ose nënë, ose grua ose fëmijë, ose ara, do të marrë njëqind për një.” Nga Ungjilli i sotëm mësojmë edhe se njeriu nuk bëhet më i vetmuar kur i lë disa lidhje të gjakut për Krishtin, por në të vërtetë futet në një hapësirë marrëdhëniesh më të thella, më të gjera dhe më të pastra. Fiton, pra, një familje shpirtërore: Kishën. Vëllezërit dhe motrat në Krishtin nuk janë thjesht një figurë shpirtërore, por një realitet i gjallë që shpesh e tejkalon lidhjen e gjakut në dashuri dhe besnikëri. Në këtë dritë, “njëqind herë më shumë” nuk duhet kuptuar materialisht, por shpirtërisht. Është gëzimi i zemrës që mbushet me Hyjin. Po, kur njeriu në zemrën e vet krijon hapësirë për Hyjin, fiton paqe, fiton liri të brendshme, fiton një familje shpirtërore, fiton një dashuri që bota nuk mund ta japë. Edhe vuajtjet marrin kuptim. Në fund, premtimi i Jezusit kulmon me fjalët: "do të fitojë jetën e pasosur." Kjo do të thotë se asnjë sakrificë e bërë për Krishtin nuk mbaron në varfëri. Çdo "po" që i themi Zotit, çdo gjë që lëmë për dashurinë e emrit të Tij, hap zemrën tonë për një jetë më të madhe, për një dashuri më të thellë dhe, në fund, për vetë qiellin.

 

O Zot Jezus, na jep guximin të lëmë gjithçka që na largon prej Teje. Bëje zemrën tonë të lirë, që të të njohim dhe të të duam me gjithë shpirt, që një ditë të marrim pjesë në lavdinë Tënde, të sodisim fytyrën Tënde dhe të gëzojmë përgjithmonë bashkimin e amshuar me Ty, që je lumturia jonë e përjetshme. Amen.