Java e Katërt e kreshmëve – e martë

Java e Katërt e kreshmëve – e martë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e Katërt e kreshmëve – e martë

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tash koha e duhur

   shkëlqen dhuruar nga Hyji,

   të shërojë botën e mekur

   me shërimin e kursimit.

 

   Me dritë të hijshme të Krishtit

   ndriçon dita e shpëtimit,

   ndërsa zemrat plasur fajesh

   përtërihen agjërimit.

 

   Ne këtë me trup e mendje

   ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,

   që me kalim fatbardhë

   Pashkës së amshuar t’i afrohemi.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Britma ime le të mbërrijë tek ti, o Zot, mos e fsheh fytyrën tënde para meje.

 

   Psalmi 102 /101/ Lutja në fatkeqësi

 

   Qoftë bekuar Hyji... që na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona (2 Kor 1, 4).

 

   I (2-12)

 

O Zot, dëgjoje lutjen time *

   e britma ime le të mbërrijë tek ti.

 

Mos e fsheh fytyrën tënde para meje *

   në ditën time të vështirë,

prire veshin tënd drejt meje: *

   kurdo të të thërras, më dëgjo shpejt!

 

Sepse ditët e mia po zhduken si tymi, *

   e eshtrat e mi po digjen si zjarri.

Zemra po më thahet si bari i kositur *

   e po harroj të ha edhe bukën time.

 

Prej gjëmave të mia të mëdha *

   u bëra asht e lëkurë.

U bëra i ngjashëm me pelikanin në shkretëtirë, *

   u bëra porsi kukuvajka në rrënoja.

 

Rri zgjuar e rënkoj *

   porsi trumcaku qyqevetëm mbi pullaz.

Gjithë ditën më fyejnë armiqtë e mi, *

   kur më zemërohen, e nëmin emrin tim.

 

Ha hi porsi bukë, *

   e pijen time e përziej me lot.

Për shkak të zemërimit të felgrimit tënd, *

   sepse më lartësove e më mposhte.

Ditët e mia janë porsi hija e zgjatur *

   e unë u thava porsi bari.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Britma ime le të mbërrijë tek ti, o Zot, mos e fsheh fytyrën tënde para meje.

 

Ant. 2 Kthehu, o Zot, drejt lutjes së të varfrit.

 

   II (13-23)

 

Por ti, o Zot, qëndron për amshim, *

   prej breznie në brezni Emri yt.

 

Ngrihu, ki dhembje për Sionin: †

   ka ardhur koha të kesh mëshirë për të *

   - shi tani është koha!

 

Sepse shërbëtorët e tu i duan gurët e tij *

   e u dhembet edhe pluhuri i tij.

 

Paganët do ta druajnë Emrin tënd, o Zot, *

   të gjithë mbretërit e tokës lavdinë tënde.

Sepse Zoti e ndërtoi Sionin, *

   u dëftua në lavdinë e vet.

 

E mori parasysh lutjen e të vobektëve *

   dhe nuk e përbuzi uratën e tyre.

 

Le të shënohet kjo për brezninë e ardhshme *

   dhe populli që do të vijë le ta lavdërojë Zotin.

 

Sepse Zoti shikon nga Shenjtërorja e vet e lartë, *

   nga qielli ai vrojton mbi tokë,

për t’i dëgjuar ofshamat e robërve, *

   për t’i shpëtuar të dënuarit me vdekje,

 

që në Sion të shpallet Emri i Zotit *

   e lavdia e tij në Jerusalem,

kur të mblidhen së bashku popujt e mbretëritë *

   për t’u vënë në shërbimin e Zotit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Kthehu, o Zot, drejt lutjes së të varfrit.

 

Ant. 3 Qysh në fillim e themelove Tokën, edhe qielli është latim i duarve të tua.

 

   III (24-29)

 

Udhës m’i shpenzove fuqitë e mia, *

   ditët m’i shkurtove.

 

Do të them: »Hyji im, †

   mos më rrëmbe në gjysmën e ditëve të mia, *

   vitet e tua zgjasin nga breznia në brezni.

 

Qysh në fillim themelove Tokën *

   edhe qielli është latim i duarve të tua.

 

Këto do të mbarojnë ndërsa ti mbetesh për amshim, †

   gjithçka do të vjetrohet si petku. *

   Ti i shndërron porsi të veshmet e zhduken,

 

kurse ti i vetmi je gjithmonë i njëjtë, *

   - vitet e tua kurrë nuk kanë të sosur.

Fëmijët e shërbëtorëve të tu do të jetojnë në paqe, *

   pasardhësit e tyre do të qëndrojnë para teje.«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Qysh në fillim e themelove Tokën, edhe qielli është latim i duarve të tua.

 

   D Ja, kjo është koha e mëshirës,

   C këto janë ditët e shëlbimit.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Levitikut 19, 1-18. 31-37

 

   Urdhërimet në lidhje me të afërmin

 

   Zoti foli me Moisiun e tha: »Fol me mbarë bashkësinë Izraelite e thuaju: Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë, Zoti, Hyji juaj!

   Secili prej jush le ta druajë t'ëmën e të atin e vet! Mbani të shtunat e mia! Unë jam Zoti, Hyji juaj!

   Mos u ktheni kah hyjnitë e rreme dhe mos bëni për vete trupore idhujsh! Unë jam Zoti, Hyji juaj!

   Kur t'i kushtoni Zotit fli pajtimi, bëni ashtu që t'i jeni të pëlqyeshëm. Le të hahen atë ditë që të jenë kushtuar e të nesërmen; kurse, çkado që të teprojë për të pasnesërmen, le të digjet në zjarr. Nëse do të hahet gjë prej saj të tretën ditë, do të ishte çnderim i gjësë së shenjtë dhe flija nuk do të pranohej. Kush do ta hante, do ta mbarte mbi vete peshën e fajit që e përdhosi gjënë e shenjtë të Zotit: dhe i tilli do të zhbihet prej popullit të vet.

   Kur të korrësh prodhimet e tokës sate, mos e korr deri në skajin e arës sate dhe mos i mblidh kallinjtë që kanë rënë. Kështu as në vreshtin tënd mos i mblidh vilet dhe kokrrat e rëna, por lëri t'i mbledhin skamnorët dhe udhëtarët. Unë jam Zoti, Hyji juaj.

   Mos vidhni! Mos rreni! Askush mos ta gënjejë të afërmin e vet!

   Mos u përbe rrejshëm me emrin tim e kështu ta përdhosësh emrin e Hyjit tënd. Unë jam Zoti.

   Mos iu shpif të afërmit tënd dhe mos e rrëmbe.

   Fitimin e mëditësit mos e mbaj ti deri në mëngjes.

   Mos e shaj të shurdhin e mos i qit para pengesë të verbrit, por druaje Hyjin tënd. Unë jam Zoti.

   Mos bëni padrejtësi në gjyqe. Mos i mbaj krahun të varfrit as mos e përkrah të fortin: gjykoje me drejtësi të afërmin tënd. Mos shpërpall shpifje në popullin tënd dhe mos bashkëpuno me gjakderdhje të të afërmit tënd. Unë jam Zoti.

   Mos e urre në zemrën tënde vëllain tënd. E ke detyrë ta qortosh bashkëvendësin, të mos kesh pjesë në mëkatin e tij. Mos u hakmerr as mos ushqe hidhërim ndaj bijve të popullit tënd. Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. Unë jam Zoti.

   Mos u ktheni kah shortarët e dijësit që të mos bëheni të papastër me anën e tyre. Unë jam Zoti, Hyji juaj.

   Ngrehu në këmbë para flokthinjurit e nderoje njeriun e vjetër, druaje Hyjin tënd. Unë jam Zoti.

   Nëse jeton me ty i huaji në tokën tuaj, mos e shtypni; por le të jetë ndër ju si vendas dhe duaje si vetveten: edhe ju keni qenë të huaj në dheun e Egjiptit. Unë jam Zoti, Hyji juaj.

   Mos bëni padrejtësi në gjyqe, në masa të gjatësisë, në peshore e në vëllim. Masat kini të sakta: peshore të sigurta, efin e drejtë dhe hinin. Unë jam Zoti, Hyji juaj, që ju kam nxjerrë nga dheu i Egjiptit.

   Mbani të gjitha urdhërimet e mia e të gjitha vendimet e mia dhe kryeni ato. Unë jam Zoti.«

 

   Përgjigjja Krh. Gal 5, 14. 13; Gjn 13, 34

 

   C I tërë Ligji përmblidhet në këtë urdhër: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. * Me dashuri shërbeni njëri-tjetrit.

   D Po ju jap një urdhër të ri: Duani njëri-tjetrin! Sikurse unë ju desha ju duani njëri-tjetrin.

   C Me dashuri shërbeni njëri-tjetrit.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Ligjëratat” e shën Luanit të Madh, papë

   (Ligj. 10 mbi Kreshmët, 3-5; PL 54, 299-301

 

   E mira e dashurisë

 

   Në Ungjillin e Gjonit, Zoti thotë: “Nëse e doni njëri-tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi” (Gjn 13-35). Në letrën e të njëjtit apostull lexohet: “Të dashur, ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria vjen nga Hyji, dhe secili që ka dashuri ka lindur prej Hyjit dhe Hyjin e njeh. Kush nuk ka dashuri nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri” (1 Gjn 4, 7-8).

   Le të shqyrtohen, pra, shpirtrat e besimtarëve, dhe me shqyrtim të çiltër le t’i gjykojnë ndjenjat e përbrendshme të zemrës së vet. E nëse në ndërgjegje të vet do të gjejnë ndonjë fryt të dashurisë, mos të dyshojnë për praninë e Hyjit në vete. Por nëse duan të jenë më të gatshëm për ta mirëpritur një mysafir aq të shkëlqyeshëm, le ta zgjerojnë gjithmonë e më tepër horizontin e shpirtit të vet me vepra mëshire.

   Njëmend, nëse Hyji është dashuri, dashuria nuk mund të ketë kufi, sepse hyjnia nuk mund të kufizohet brenda asnjë caku.

   Fort të dashur, është e vërtetë se për ta ushtruar të mirën e dashurisë çdo kohë është e volitshme. Prapëseprapë, këto ditë janë të volitshme në mënyrë të veçantë. Ata që dëshirojnë të arrijnë në Pashkët e Zotit me shenjtërinë e shpirtit dhe të trupit le të përpiqen në çdo mënyrë për ta fituar atë virtyt në të cilin janë të përfshira të gjitha virtytet e tjera në më të lartën shkallë dhe prej të cilit mbulohet shumica e mëkateve. Ndërsa përgatitemi për ta kremtuar misterin më të lartë, misterin e gjakut të Jezu Krishtit, që i ka shlyer paudhësitë tona, të bëhemi gati me flitë e mëshirës. Gjithçka mirësia hyjnore na dha neve, t’ua japim edhe ne atyre që na fyen.

   Bujaria jonë le të jetë më e madhe ndaj skamnorëve e ndaj atyre që vuajnë, që nga shumë zëra të falënderohet Hyji. Ushqimi e nevojtarëve le të ketë mbështetje në agjërimet tona. Përnjëmend, asnjë vepër e përshpirtshme e besimtarëve nuk i pëlqen Zotit aq fort sa ajo e drejtuar skamnorëve të tij; dhe ku e gjen një mëshirë të kujdesshme, aty e njeh shenjën e mirësisë së vet.

   Mos të kemi frikë se, duke dhënë, do të zvogëlohen të mirat tona, sepse vetë dashamirësia është një e mirë e madhe, as s’mund t’i mungojë mundësia bujarisë, aty ku Krishti ushqen dhe është ushqyer. Në të gjitha këto vepra ndërhyn ajo dorë, e cila duke e thyer bukën e rrit, dhe duke ua ndarë të tjerëve e shumëzon.

   Kush jep lëmoshë le të japë me gëzim. Le të jetë i sigurt se do ta ketë fitimin më të madh kur do ta ketë mbajtur për vete minimumin, sikurse thotë i lumi Pali apostull: “Ai që mbjellësit i jep farën dhe bukën për ushqim, ai edhe juve do t’ju japë farë e do ta shumëzojë e do të bëjë të rriten frytet e drejtësisë suaj” (2 Kor 9, 10), në Jezu Krishtin, Zotin tonë, i cili jeton e mbretëron me Atin e me Shpirtin Shenjt në shekuj të shekujve. Amen.

 

   Përgjigjja Krh. Lk 6, 38; Kol 3, 13

 

   C Jepni e do t’ju jepet: * masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet në kthim.

   D Sikurse Zoti ju fali ju, po ashtu bëni edhe ju;

   C Masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet në kthim.

 

   Lutja

 

   Ky ushtrim kreshmor në jetën e krishterë, i përgatittë, o Zot, zemrat e besimtarëve të tu, që t’i përjetojnë si duhet misteret e Pashkëve dhe t’ua kumtojnë vëllezërve shëlbimin tënd. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.