Jezusi i tha: çohu merre shtrojën tënde dhe ec!
17 MARS 2026
UNGJILLI I DITES
Tema: “Jezusi i tha: çohu merre shtrojën tënde dhe ec!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS GJONIT - Gjn 5, 1-16
Pas disa kohësh ishte festa e judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jerusalem. Në Jerusalem, te Dera e deleve, është një ndërtesë banje, që hebraisht quhet Betsata. Ajo ka pesë treme. Nën to rrinin të shtrirë shumë të sëmurë ‑ të verbër, të çalë dhe të marrë gjymtyrësh. Aty ishte një njeri që ishte i sëmurë prej tridhjetë e tetë vjet. Jezusi, kur e pa ashtu të shtrirë e kur e mori vesh se është për një kohë të gjatë në atë gjendje, i tha: “A dëshiron të shërohesh?” “Zotëri ‑ iu përgjigj i sëmuri ‑ nuk kam njeri që, kur të tundet uji, të më shtjerë në banjë e, derisa unë ulem, një tjetër zbret para meje.” “Çohu ‑ i tha Jezusi ‑ merre shtrojën tënde dhe ec!” Ai njeri u shëndosh përnjëherë, mori shtrojën e vet dhe ecte. Ajo ditë ishte e shtunë. Prandaj judenjtë i thoshin të shëruarit: “Është e shtunë! Nuk ke leje ta mbartësh shtratin tënd!” Ai iu përgjigj: “Ai që më shëroi, më tha: ‘Merre shtrojën tënde dhe ec!’“ Ata e pyetën: “Kush është ai njeri që të tha: ‘Merre dhe ec?’“ Por, i shëruari nuk e dinte kush është, sepse Jezusi u zhduk në popullin që gjendej aty. Më vonë Jezusi e gjeti në Tempull dhe i tha: “Ja, u shërove! Mos mëkato më, që të mos të të gjejë ndonjë e zezë më e madhe!” Ai njeri shkoi te judenjtë dhe u tha se Jezusi ishte ai që e shëroi. Prandaj judenjtë zunë ta sulmojnë Jezusin, sepse bënte vepra të tilla ditën e shtunë.
Të dashur dëgjues kur Bibla thotë “pas këtyre gjërave”, ajo na fton që të shohim gjithë Ungjillin si histori shpëtimi.
Dëgjuam se Jezusi u ngjitet në Jerusalem. Te Dera e deleve, - Simboli i dobësisë njerëzorë, i nevojës për shërim, dhe i mungesës së shpresës. Aty ishte një ndërtesë banje, që hebraisht quhet Betsata, që do të thotë “Shtëpia e Mirësisë”. Në atë vend, rrinin të shtrirë shumë të sëmurë ‑ të verbër, të çalë dhe të marrë gjymtyrësh. Jezusi pikërisht aty shkon. Aty ku kishte shumë të sëmurë, shumë vuajtje, shumë dhimbje, shumë dëshpërim dhe shumë pritje për shërim.
Edhe shpirti i njeriut, shpesh është si kjo turmë plot me dhimbje. Plot me plagë, me frika të ndryshme, me pritje të kota,… pikërisht aty vjen Jezusi.
Ungjilltari vazhdon të tregoj se: Aty ishte një njeri që ishte i sëmurë prej tridhjetë e tetë vjet. Bibla disa herë përdor numra simbolikë. Dhe në këtë rast numri 38, d.m.th. një jetë e tërë me vuajtje. Besoj se ka shumë prej jush dëgjues të dashur që keni vuajt shumë dhe për kohë të gjatë. Ndoshta edhe krejt jeta jote është e shënuar me vuajtje.
Por Ungjilli i sotëm ka në fjalë ngushëllimi edhe për ty. Jezusi e pa njeriun që vuante. Shikim i Jezusit është shikim dashurie, që prek zemrën dhe depërton në thellësi të shpirtit. Jezusi nuk sheh vetëm sëmundjen fizike, por edhe historinë e vuajtjes së atij njeriu. Ai sheh nevojën e brendshme të shpirtit. Jezusi sheh plagët e jetës që askush tjetër nuk i shihte. Po, i dashur dëgjues Zoti sheh atë pjesë të jetës sate që të dhemb shumë, dhe që askush tjetër nuk e sheh. Në sytë e Jezusit, as vuajtja e trupit as vuajtja e shpirtit nuk është e fshehtë. Ungjilli na siguron se asnjëri prej nesh nuk është vetëm në vuajtje. Ai është me ne, dhe shikimi tij hyjnorë pushon në sëmundjet e trupit dhe në plagët e shpirtit tonë.
Jezusi i tha njeriut të sëmurë: “A dëshiron të shërohesh?” “Zotëri ‑ iu përgjigj i sëmuri ‑ nuk kam njeri që të më ndihmoj…
Në këtë përgjigje kuptojmë se problemi i tij nuk është vetëm sëmundja, por edhe vetmia dhe mungesa e shpresës. Ai kërkonte dhe shpresonte te ndihma njerëzore: ndoshta priste prej familjarë apo prej të afërmeve, por askush nuk ishte aty për të. Kjo është e tmerrshme. Vetmia shpesh herë dhemb më shumë se cilado sëmundje e trupit.
Ne njerëzit kur gjendemi në vështirësi të ndryshme shpesh jemi të prirur të kërkojmë ndihmë nga të tjerët, madje ndonjëherë edhe para se të kërkojmë prej Jezusit. Por shpesh përfundojmë të zhgënjyer, të vetmuar dhe të pa shpresë. Jezusi i thotë çdo njërit prej nesh: jam këtu për ty, a dëshiron që Unë të shëroj?
Zoti nuk të ka harruar. Ai dëshiron që ti të thuash me zemër të hapur: “Nuk kam askënd, por të kam Ty, o Zot!”. Shpresa në Jezusin nuk do të zhgënjejë kurr.
Atëherë Jezusi i tha: “Çohu, merre shtrojën tënde dhe ec!”
Jezusi gjithmonë na thërret për të vepruar në besim. Edhe shërimi shpirtëror kërkon një “çohu” të brendshëm, një vendim për të lënë pas gjendjen e paralizuar të shpirtit tonë. Shërimi ndodh menjëherë dhe kjo tregon pushtetin absolute të Jezusit.
Më vonë Jezusi e gjeti në Tempull dhe i tha edhe: ‘Ja, u shërove! Mos mëkato më, që të mos të të gjejë ndonjë e zezë më e madhe! Këtu Ai e lidh shërimin me përgjegjësinë shpirtërore. Shërimi fizik është fillimi i ecjes, jo fundi. Mrekullitë e Zotit janë thirrje për ndryshim jetësor dhe për largim nga mëkatit. Thirrje për të ecë në besim, për të njohur më shumë fytyrën e Zotit dhe për të dëshmuar veprat që Ai bën për ne.
O Zot i dashur, Ti që sheh çdo plagë të trupit dhe të shpirtit tim. Në vetminë time, kur askush nuk është pranë meje, më ndihmo të besoj se dashuria jote nuk më braktis. Më shëro, o Zoti im, dhe më ndihmo të ec pa frikë drejt bashkimit me ty! Amen.