Jezusi mori bukët dhe ua dha atyre që ishin ulur.

17 Prill 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Jezusi mori bukët dhe ua dha atyre që ishin ulur.

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS GJONIT - Gjn 6, 1-15

 

 Pastaj Jezusi kaloi në anën tjetër të detit të Galilesë, që quhet edhe i Tiberiadit.  E ndiqte një shumicë e madhe, sepse shihnin mrekullitë që bënte në të sëmurë.  Jezusi u ngjit në një kodër, ku u ul të rrijë bashkë me nxënësit e vet.

  Ishin afër Pashkët, e kremtja e judenjve.  Jezusi çoi sytë dhe pa një shumicë të madhe njerëzish që po vinte tek ai e i tha Filipit: “Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz?”  Foli kështu për ta sprovuar, sepse ai vetë e dinte se çka kishte në mend të bënte.  “As dyqind denarë bukë ‑ iu përgjigj Filipi ‑ nuk do të dilnin mjaft për t’i dhënë secilit nga një grimë.”  I tha njëri nga nxënësit, Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit:  “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, çka janë këto për kaq njerëz?”

  Jezusi u tha: “Thuajuni njerëzve të ulen.” Në atë vend kishte shumë bar. U ulën, pra, rreth pesë mijë burra.  Jezusi mori bukët, falënderoi dhe ua dha atyre që ishin ulur. Po ashtu edhe prej peshqve ‑ aq sa deshën.  E kur u nginë, u tha nxënësve të vet: “Mblidhni tepricat që të mos tresë asgjë.”  I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copat që u tepruan atyre që hëngrën prej pesë bukësh elbi.  Njerëzit, kur panë mrekullinë që bëri Jezusi, thanë: “Ky është përnjëmend Profeti që duhet të vijë në botë.”  Kur Jezusi hetoi se duan të vijnë e ta kapin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri në mal, krejtësisht vetëm.

 

Ungjilli sot na vendos përballë një skene të thjeshtë, por jashtëzakonisht të thellë: një turmë që ndjek Jezusin, sepse shihnin mrekullitë që bënte në të sëmurë. Pra, mund të themi se kjo është një fe e interesit, e nevojës dhe e kërkimit për shërim. Po ne të dashur dëgjues pse e kërkojmë Jezusin? A e kërkojmë që të na ndihmoj kur të jemi në vështirësi? Apo e kërkojmë  që të na plotësoj nevojat tona?

Ungjilli tregon  se: Jezusi u ngjit në një kodër. Në shkrimin Shenjt mali është vendi ku qielli prek token. Moisiu në mal merr Ligjin. Jezusi në mal jep Bukën.

Atëherë Jezusi çoi sytë dhe pa një shumicë të madhe njerëzish që po vinte tek ai e i tha Filipit: “Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz. Pyetja e Jezusit është që të zbuloj zemrën e njeriut, sepse ai vetë e dinte se çka kishte në mend të bënte.  Filipi përgjigjet me logjikë ekonomike: “As dyqind denarë bukë nuk do të dilnin mjaft për t’i dhënë secilit nga një grimë.” Kjo është disa herë edhe logjika jonë. Shohim kohën tone, energjinë tonë  dhe mungesat tona, e themi: nuk është e mundur. Por Jezusi kërkon diçka tjetër: kërkon besimin që shkon përtej llogarisë sonë njerëzore. Kardinali Cantalamessa shpesh thotë: Zoti na vendos në situata ku logjika njerëzore dështon, që të hapet rruga për besimin.

Andreu gjen një zgjidhje… por menjëherë e hedh poshte. Ai thotë: Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Po çka janë këto për kaq shumë njerëz?  Ky është zëri ynë i brendshëm: Po, unë po lutem… por çfarë po ndryshon? Unë kam pak… por ç ‘vlerë ka ajo që kam unë?” Harrojmë se në logjikën e Zotit: pak bëhet shumë dhe dhurimi me besim hap derën e mrekullisë. Zoti nuk kërkon shumë; kërkon gjithçka kemi. Jo madhësinë e dhuratës, por dorëzimin e zemrës.

Pastaj Jezusi thote: “Thuajuni njerëzve të ulen.” Kjo është e çuditshme. Nuk e ka siguruar ende ushqimin e  mjaftueshëm dhe u thotë: “Uluni.” Në të vërtete ky është një akt besimi. Ata duhet të veprojnë sikur mrekullia tashmë ka ndodhur. Të veprosh mbi fjalën e Jezusit, jo mbi ndjenjat e tua, është besimi i vërtetë.

Atëherë Jezusi mori bukët, falënderoi dhe ua dha atyre që ishin ulur. Të ndalojmë pak këtu të dashur dëgjues. Nuk ka ende buke të mjaftueshëm. Madje ka vetëm pak. Dhe Jezusi falënderon. Me këtë kuptojmë se falënderimi nuk është përgjigje ndaj bekimit. Falënderimi është rruga drejt bekimit. Falënderimi pranon se gjithçka vjen nga Ati dhe ajo që vjen nga Ati nuk mund të jetë e pamjaftueshme. Prandaj i dashur dëgjues, falënderoje Zotin për atë që ke edhe kur të duket e  pamjaftueshme, sepse: mirënjohja dhe falënderimi hapin derën e mrekullisë. E kur u nginë mblodhën dymbëdhjetë shporta me copat që u tepruan. Dymbëdhjetë  shporta – simbol i plotësisë. Zoti ynë është Zot i bollëkut. Por ky bollëk vjen vetëm pasi ndodh dhurimi, besimi, dhe falënderimi. Pas kësaj mrekullie turma thotë: “Ky është profeti!” Dhe duan ta bëjnë mbret. Por Jezusi tërhiqet në vetmi. Ata duan një Jezus që jep bukë, një Jezus që zgjidh problemet. Një Jezus që i shërben interesave të tyre. Por nuk duan një Jezus që kërkon kthimin e zemrës. Jezusi jep bukën, por kërkon zemrën.

 

“O Zot Jezus, shpesh ndihem si Filipi: i kufizuar, i pasigurt. Shpesh mendoj si Andreu: se ajo që kam nuk mjafton. Por sot dua të jem si djaloshi: që të jap gjithçka kam, pa frikë. Merre jetën time, bekoje, dhe bëje vend të mrekullisë sate. Amen.”