Jezusi, Shërbëtori i butë që sjell shpresë!

18 KORRIK 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

Jezusi, Shërbëtori i butë që sjell shpresë!

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT- (Mt 12, 14-21)

 

 

atë kohë, farisenjtë, si dolën jashtë, mbajtën këshillim kundër Jezusit si ta vrasin. Kur Jezusi mori vesh, u largua prej andej. Pas tij shkuan shumë vetë dhe ai i shëroi të gjithë. U urdhëroi që të mos e shpallnin, për të shkuar vend fjala e Isaisë profet: "Ja, shërbëtori im, të cilin e zgjodha, i dashuri im, që e ka për zemër shpirti im. do ta vë Shpirtin tim. Ai do t'u lajmërojë paganëve fenë e vërtetë. Nuk do të kërcënohet as nuk do të bërtasë, askush s'do ta dëgjojë zërin e tij sheshe. As kallamin e shkelur s'do ta thejë, as fitilin që veçsa tymon nuk do ta ndalë deri që të mos ta ketë çuar fenë e vërtetë në fitore. Emrin e tij do të shpresojnë popujt."

 

Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm na paraqet një kundërshtim të fortë. Nga njëra anë janë farisenjtë, të cilët, pasi panë mrekullitë e Jezusit, vendosin ta vrasin. Nga ana tjetër është Jezusi, i cili nuk përgjigjet me zemërim, nuk kërkon hakmarrje dhe nuk u bën ballë me dhunë kundërshtarëve të Tij. Ai largohet dhe vazhdon të shërojë të sëmurët. Ky është paradoksi i Ungjillit: ndërsa urrejtja përpiqet të shuajë dashurinë, dashuria vazhdon të bëjë mirë.

Shën Mateu e sheh këtë sjellje të Jezusit si përmbushje të profecisë së Isaisë për Shërbëtorin e Zotit, i cili nuk do ta imponojë të vërtetën me forcë, por do ta shpallë atë me butësi dhe besnikëri.

Forca e butësisë- Në botën tonë, shpesh mendohet se është i fortë ai që bërtet më shumë, ai që fiton debatet ose ai që imponon vullnetin e vet. Jezusi na paraqet një forcë krejt tjetër: forcën e butësisë. Në fakt Ai nuk është i dobët. Ai është aq i fortë në dashurinë e Tij, sa nuk ka nevojë të përdorë dhunën për të bindur askënd. Shën Gjon Gojarti shkruan: "Krishti nuk i tërheq njerëzit me frikë, por me dashuri. Kjo është fuqia e vërtetë e Hyjit."

Sa herë edhe ne mendojmë se për të zgjidhur një konflikt duhet të ngremë zërin, të hakmerremi ose të fitojmë me çdo kusht. Jezusi na mëson se zemrat nuk ndryshohen me dhunë, por me durim, me të vërtetën dhe me dashurinë.

" As kallamin e shkelur s'do ta thejë " - Kjo është një nga figurat më prekëse të gjithë Ungjillit. Kallami i thyer është njeriu i dobët, ai që është plagosur nga jeta, ai që ka rënë në mëkat, ai që ka humbur shpresën, ai që ndihet i pavlefshëm. Fitili që ende tymon është ai besim që duket se po shuhet, ajo lutje që mezi del nga zemra, ajo shpresë që mezi mbahet gjallë. Jezusi nuk i flak këta njerëz. Ai nuk i gjykon. Ai nuk i përbuz. Përkundrazi, u afrohet me dashuri dhe i ngre përsëri.

Pra mund të themi se Jezusi: " nuk e shuan shkëndijën e vogël të besimit, por e ushqen derisa të bëhet flakë." Sa ngushëlluese janë këto fjalë! Ndoshta edhe ne sot ndihemi si një kallam i shkelur ose si një fitil që mezi ndizet. Ndoshta jemi të lodhur, të zhgënjyer ose të rënduar nga mëkatet tona. Jezusi nuk largohet prej nesh. Ai afrohet me butësi dhe na thotë: "Mos ki frikë, unë jam me ty."

Jezusi nuk e plagos njeriun, por e shëron- Shpesh ne jemi shumë të ashpër me veten dhe me të tjerët. Kur dikush gabon, nxitojmë ta gjykojmë. Kur dikush bie, mendojmë se nuk ka më shpresë për të. Por Jezusi vepron ndryshe. Ai e dallon mëkatin nga mëkatari. Ai e urren të keqen, por e do njeriun dhe dëshiron ta shpëtojë. Shën Gregori i Madh shkruan: "Mjeku hyjnor prek plagën me butësi, sepse e di se dashuria shëron më shumë se ashpërsia". Edhe ne jemi të thirrur të kemi këtë zemër. Në familje, në bashkësi dhe në vendin e punës, ka njerëz që mbajnë plagë të padukshme. Një fjalë e mirë, një gjest mirëkuptimi, një falje e sinqertë mund të bëhen për ta një shenjë e pranisë së Krishtit.

"Në emrin e Tij do të shpresojnë kombet"- Ungjilli përfundon me një premtim të madh: "Në emrin e Tij do të shpresojnë kombet." Shpresa jonë nuk mbështetet te forca jonë, te pasuria apo te sukseset tona. Ajo mbështetet te Krishti. Kur gjithçka duket e errët, Ai mbetet drita. Kur ne ndihemi të dobët, Ai mbetet forca jonë. Kur mëkati na rrëzon, Ai na ngre përsëri me mëshirën e Tij. Kjo është arsyeja pse të krishterët nuk janë njerëz që nuk vuajnë, por njerëz që nuk e humbasin shpresën.

Të dashur dëgjues, ky Ungjill na fton të bëjmë një pyetje shumë të thjeshtë: A ngjasoj me Jezusin në mënyrën se si i trajtoj të tjerët? Kur përballem me dobësitë e dikujt, a e ndihmoj të ngrihet apo e gjykoj? Kur dikush më lëndon, a përgjigjem me hakmarrje apo me durim? A jam një njeri që sjell paqe apo tension?

Shenjtëria nuk matet vetëm nga lutjet që bëjmë, por edhe nga mënyra se si sillemi me njerëzit më të brishtë. Jezusi vazhdon edhe sot të kalojë pranë nesh si Shërbëtori i butë. Ai nuk na detyron ta ndjekim. Ai na fton me dashuri.

Lutja.

O Jezus, Shërbëtori i butë dhe plot mëshirë, faleminderit që nuk na braktis në dobësitë tona. Na jep një zemër të ngjashme me Tënden, që të dimë të falim, të ngushëllojmë dhe të ngremë ata që janë rrëzuar. Bëj që jeta jonë të jetë një shenjë e shpresës dhe e dashurisë sate për të gjithë ata që takojmë. Amen.